Instrumentalizimi i historisë në shërbim të politikës ditore


Gazeta Express
5 Prill 2019 17:16

Një çështje historike që bie ndesh me realitetin gjeografik dhe historik, që zhurmshëm imponohet ç’prej shekullit XIX dhe deri në ditët e sotme jo vetëm nga qarqet politike por dhe shkencore serbe është përdorimi i konceptit “Metohi-Metohija” për pjesën jugperëndimore të Kosovës së sotme.

Shkruan: Jahja Drançolli

Në dritën e ngjarjeve të sotme na bëhet e qartë se riaktualizimi i emërtimit Metohi është në funksion të politikës së ditës. Është interesante të theksohet se ky kuptim artificial pa ndonjë mbështetje historike, në karta që shtypën sot me qëllime propagandistike, merrë kuptim edhe më të gjerë sesa u fiksua nga përfaqësuesit e shkollës së Ilia Garashanin dhe Jivan Cvijić. Konkretisht, kur është fjala për emërtimin “Metohija”, që tash zë vend edhe në jetën zyrtare të qarqeve serbe si një kujtim gjeografik që i destinohet një pjese të territorit të sotëm të Kosovës, përkatësisht territorit midis Pejës dhe Prizrenit, duke i përfshirë edhe qytet në fjalë.

Në të vërtetë, në terminologjin e leksikut mesjetar të burimit të kishës ortodokse, termi “metohi“, “meteh“, e diçka tjetër të ngjashme, sipas dokumenteve mesjetare sllave, latine dhe greke, nuk përmban atributin e një kuptimi gjeografik, por gjithëherë në dokumente të kohës del si një term që ka kuptimin e një prone kishtare (metohion apo terra monasterio) a pronë fshati, shtëpie, vreshti dhe pemishte. Po ashtu edhe në dokumente osmane të shek. XV-XX, nuk ndeshet asnjë e dhënë për kuptimin gjeografik të termit “Metohija“. Është me interes të theksohet këtu se çfarë toponimësh u gjetën në Kosovë në fund të shek. XII deri në fillim të shek. XIII, para se të vendosej këtu administrata Nemanjide.

Për këto të dhëna të dorës së parë, veç tjerash ndeshim edhe në biografitë e Shën Savës dhe të Stefan Prvovençani-t kushtuar babait, Stefan Nemanjës. Në biografinë e të parit hasim këtë të dhënë: “Mori nga bregdeti vendin Zeta me qytete, nga Rabani (Arbëria-J.D.) të dy Pultet, nga toka bizantine, ndërkaq mori Patkovën (territori i Gjakovës së sotme –J.D.), Kostercin dhe Dershkovinën (fshatra në territorin e Pejës-J.D.), Podrimën, Sitnicën, Llapin dhe Lipjanin […]“.Ndërkaq, në biografinë e të dytit ndeshim në këto njoftime: “Mori […] territorin e Prizrenit dhe të dy Pologët në tërrësi […]“.

Siç shihet nga dokumentet në fjalë, edhe pse në to përmendën gati të gjitha pjesët e rajonit të Pejës, të Gjakovës dhe të Prizrenit të sotëm, atëbotë fare nuk paska egzistuar emërtimi a nocioni gjeografik dhe historik “Metohija“. Toponimi në fjalë nuk përmendet as në Kartën e Hilandarit të përpiluar në vitet 1200-1202, si dhe në krisobula, hagiografi, tipikët, biografi e hagiografi bizantine dhe serbe mesjetare.

Është për të vënë re se, edhe në përmbledhjet më përfaqsuese të dokumenteve serbe, si, “Zakonski spomenici srpskih država sredenjega veka“ (“Monumente ligjore të shteteve serbe mesjetare”) dhe “Stare srpske povelje i pisma“ (“Karta dhe korrespondenca mesjetare serbe”), të hartuara dhe të përmbledhura në fillimet e shek. XX nga medievistët serb, St.Novakoviç dhe Lj. Stojanoviç, emërtimi “Metohija“ ndeshët shumë shpesh por gjithëherë në kuptimin e një prone kishtare dhe asnjëherë si kuptim gjeografik apo politik që do të kishte kuptimin e territorit të Pejës, Gjakovës dhe të Prizrenit.

Gjatë tërë kohës së sundimit nemanjid (shek.XIII-XIV) dhe më pas, krahas territoreve të Prizrenit, Hvosnon dhePatkovën, të cilat u zunë ngojë më lartë, përmendet edhe në territorin Altini, regjion ky i cili përfshinte territorin midis Deçanit dhe Gjakovës.

Në anën tjetër, pas zhbërjes së shtetit nemanjid (1371), në këtë pjesë të Kosovës filluan të zgjerohen zotërimët e familjeve princore Balshaj, Dukagjini e Kastrioti. Me pushtimin e territorit të sotëm të Kosovës nga osmanët (1455) dhe me vendosjës së administratës osmane në këtë anë territoret e Pejës dhe të Gjakovës zunë të quheshin Dukagjin, përkatsisht hynë në kuadrin e Sanxhakut të Dukagjinit, i cili është shtrirë midis Adriatikut dhe Sanxhaqeve të Hercegovinës, Vuçiternit, Prizrenti dhe më vonë Shkodrës, çështje kjo që dëshmohët nga regjistrimet sumare osmane të ruajtura në deftere të shekujve XV-XVIII.Pra, sipas dftereve osmane, territoret e Pejës dhe të Gjakovës deri në vitin 1783 ishin pjesë e Sanxhakut të Dukagjinit, që në vitin e përmendur kishte pushuar së egzistuari. Atëherë, kuptimi gjeografik u ngushtua vetëm në Nahijen e Pejës, e cila hyri në kuadrin e Sanxhakut të Shkodrës.

Me përfshirjen e njësive të reja administrative osmane, përkatësisht të vilajeteve, Peja si qendër e kadiut hyri në kuadër të Sanxhakut të Prizërenit. Në vitin 1874, qyteti në fjalë hyri në kuadrin e vilajetit të Kosovës. Është për të vënë re se, fjala Dukagjin në gjuhën kroato-serbe prej shek. XIX ka pasur kuptim të dyfishtë. Në  radhë të parë si emër personi dhe principate, pastaj si kuptim gjeografik. Këtu është me rëndësi të përmendet fakti se etnolinguisti serb Vuk Karaxhiç, në fjalorin e vetë bën dallimin ndërmjet emrit personal Dukagjin dhe territorit Dukagjin. Ky studiues përdor për herë të parë në fjalorin e vet krahas toponimit Dukagjin edhe kuptimin gjeografik “Metohija“, që sipas tij, përfshinte Prizrenin, Pejën, Gjakovën dhe manastirin e Deçanit.

Është për të vënë re se, territori i Dukagjinit zihet ngoje bukur shpesh edhe në dokumente serbe të shek. XVII dhe XIX. Në shek. XIX njoftimet për territorin e Dukagjinit mjaftë dendur ndeshim edhe në historiografinë europiane, si, për shembull, te Grizbahu, Myleri, Jastrebovi, Gilferdingu, e ndonjë tjetër. Në fillim të shek. XX, pionerët e shkollës antropologjike serbe, St. Novakoviq dhe J. Cvijiq e disa përkrahës të mëvonshëm të studimeve të tyre, duke mos u mbështetur fare në burimet historike dhe hartat gjeo-historike, ngritën tezën për ekzistimin e emrit “Metohija”, që kishte kuptimin e territorit midis Prizrenit e Pejës. Këtë tezë e mbështesin në faktin se, termini “Metohion“, përkatësishtë “Metohija“ në gjuhën bizantine ka kuptimin e pronës së manastireve dhe në këtë aspekt, shumë fshatra të territorit në fjalë kanë qenë pronë manastirësh.

Është e ditur se kisha ortodokse gjatë mesjetës zotëronte manastire jo vetëm në këtë pjesë të territorit të sotëm të Kosovës, por edhe në mbarë Kosovën dhe në Serbi, pastaj në një pjesë të Bizantit (Hilandar), të Malit të Zi, Maqedonisë, Bosnjës e Hercegovinës, Kroacisë, Hungarisë, Rumunisë, e ndonjë tjetër. Sipas kësaj logjike, studiuesit e lartpërmendur dhe përshkruesit e tyre, që të gjitha territoret e mbretërisë mesjetare nemanjide, ku kishte “Metohion“ apo “Metohija“ të kishës ortodokse, është dashur t’i quanin me një emër të përbashkët “Metohija”. Kështu, në tezën e tyre të shtruar, nuk kanë ofruar fare elemente shkencore. Për më tepër ata kanë sjellë huti në shkencë. Në fund, duke marr parasysh të gjitha burimet historike të njohura, mund të themi me plotë gojën se territori i Pejës, i Gjakovës dhe të Prizrenit të sotëm, deri në vitin 1945, nuk ka pasur asnjëherë kuptimin gjeografik “Metohija”. Përkundrazi, prej shek. XV e deri në vitin 1945 ruante konceptin gjeografik Rrafshi i Dukagjinit, apo shkurt Dukagjin.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart