Institucionet e drejtësisë nuk po i trajtojnë me seriozitet rastet e dhunës fizike dhe seksuale


Gazeta Express
10 Prill 2019 13:30

Komisioni për Legjislacion ka diskutuar për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Kosovë përmes shoqërisë civile aktive.

Arjana Qosaj Mustafa, nga KIPRED, tha se nga raporti që kanë punuar me GLPS dhe Artpolis është vërejtur joseriozitet i institucioneve të drejtësisë për t’i trajtuar rastet e dhunës fizike dhe seksuale.

“Është vërejtur se policia, gjyqtarët, prokurorët kanë ende nevojë për trajnime. Ideja e konventës së Stambollit është të ketë fokus të veçantë në diskriminimin gjinor që ndodh. Kur kemi të bëjmë me rastet e dhunës në familje nuk ekzistojnë procedura e standarde. Ne insistojmë me këtë raport por edhe me statusit e konventës së Stambollit që të ketë më shumë ndjekje penale”.

“Kërkesat për paraburgim janë shumë të ulëta. Kemi vetëm 2.8 për qind të rasteve ku prokurorët kanë kërkuar paraburgim. Kemi vërejtur se policia e bën një vlerësim të rrezikut mirëpo ky vlerësim nuk vazhdon dhe nuk po bëhet”.

“Kemi vërejte se shumë raste në dhunë në familje bazohen në dëshmie e viktimës. Kemi vërejt përmirësim më të dukshëm se edhe kur po ka tërheqje të viktimave, prokurorët kanë vazhduar ndjekjen penale por prapë dëshmitë janë të dobëta”.

Ajo tha se ka numër të ulët të raportimit të rasteve të dhunës seksuale në Kosovë.

“Dhunimet vazhdojnë të trajtohen shumë dobët. Në gjysmën e parë të 2018 janë dënuar 8 raste të dhunës seksuale. Shihet tendenca e shtyerjes por jo të një vendimi me kod penal. Ka një joseriozet me marrjen e këtyre çështjeve. Është mungesë e harmonizimit të ligjeve dhe mospërputhja që ekziston në ligjin e statusit civil dhe ligjin e barazisë gjinore”.

Ndërsa dha edhe rekomandime: Kuvendi duhet ta ndryshojë Kushtetutën me përfshirjen e konventës së Stambollit; ka nevojë edhe për shumë trajnime por edhe për ndryshime ligjore, politike dhe ndryshime të strategjive për rastet e dhunës në baza gjinore dhe dhunës seksuale.

Kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu tha se duhet të ketë bashkëpunim më të madh.

“Kohët e fundit kam parë një joseriozitet më të shtuar të institucioneve. Duhet një bashkëpunim i Kuvendit dhe shoqësisë civile për të zgjidhur problemet e adresuara sot”.

Kurse deputeti i Nismës, Bilall Sherifi tha se nuk po bëhet mjaftueshëm as në sistemin e edukimit.

“Nuk jemi duke bërë mjaftueshëm edhe në sistemin e edukimit sepse dhuna ndalet që në gjenezë. Unë nuk shoh në literaturë dicka të tillë që sensibilizojë fëmijën që secilën grua duhet ta trajtojë si nënën e vet”.

Deputeti nga radhët e VV-së, Sami Kurteshi tha se është absurde që gruaja viktimë nxirret nga shtëpia ndërsa dhunuesi lihet aty.

Ai tha se çdo kontakt me policinë duhet të jetë i protokolluar, për çka shtoi se një gjë e tillë nuk ndodh në Policinë e Kosovës, raporton EO.

“Absurde është që nxirret gruaja me fëmijë nga shtëpia e dërgohet në strehimore kurse dhunuesi rri aty, shlirë. Çdo kontakt me policinë duhet të jetë i regjistruar dhe i protokolluar. Në Policinë e Kosovës kjo nuk bëhet shprehimisht dhe qëllimisht, fshihen veprat e krimit”.

Hajdar Beqa nga PDK-ja u shpreh i pasigurt për votimin e konventës së Stambollit në seancë pasi tha se mungesa e Listës Serbe çon në mosvotim të saj.

“Sa i përket konventës së Stambollit ai tha se mund të jetë problem votimi i saj në seancë për shkak të listës serbe, pasi për votimin e saj duhen 2/3 e votave”.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart