Infuzion afatshkurtër për krizën afatgjatë - Gazeta Express
string(42) "infuzion-afatshkurter-per-krizen-afatgjate"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

14/05/2022 14:25

Infuzion afatshkurtër për krizën afatgjatë

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

14/05/2022 14:25

Qeveria duhet t’i shikojë të gjitha mundësitë. Nëse do të jetë e nevojshme, prapë ta zbusë krizën me subvencione. Por, ajo që është më e rëndësishmja, ta rrisë pagën minimale. A nuk ka ardhur në pushtet Kurti me premtimin se do ta bëjë këtë!?

Shkruan: Pranvera Berisha

Çmimet janë rritur. Rrogat, të vogla. Lufta Ukrainë-Rusi. Ndonëse tema të ndryshme, ndërlidhen me njëra-tjetrën dhe, bëhen shkak kryesor që të kërkohet tërheqja e 30-përqindëshit nga kursimet pensionale.

Në këto rrethana, PDK-ja në krye me Bekim Haxhiun, mezi paska pritur që të ndërmarrë nismën për ta dërguar çështjen në Kuvend, Projektligjin, i cili do ta mundësonte tërheqjen e këtyre mjeteve. Ajo që po më bën përshtypje nga ky Projektligj është se si kontributpaguesit mund ta bëjnë tërheqjen, pra në bazë të shumës së kursimeve që kanë. Nëse i ke më pak se 10 mijë euro, mund të tërheqësh 30 për qind, deri në 20 mijë, -25 për qind, 30 mijë euro kursime, -20 për qind tërheqje. Pra, sa më e madhe shuma, përqindja aq më e vogël. Rrjedhimisht, po i bie që ata të cilët kanë më pak të holla se këto shuma, t’i tërheqin të gjitha. E kursimet e tyre pensionale mund të mbesin në zero, që i bie se mbesin pa kursime fare.

Të kthehemi një vit mbrapa, në kohën kur qytetarët kishin tërhequr 10 për qind nga rezervat e pleqërisë. Ashtu siç kishin shkruar nga “Trusti”, mbi 427 mijë e 371 shtetas e kishin praktikuar këtë. Madje, 8 mijë e 193 prej tyre kishin tërhequr deri në 10 euro. Ajo që e përmenda më lartë, shuma e kursimeve të tyre mund të mbetet zero €.

Krahas dëshirës së madhe, për t’i tërhequr këto para, Ligji për Fondet Pensionale, të drejtën e marrjes së kursimeve pensionale e parasheh vetëm në kohën e pensionimit, të vdekjes, ose të paaftësisë fizike të pjesëmarrësit. Po më çudisin ata qytetarë, ata njerëz, që po kërkojnë tërheqjen e 30-përqindësh! Kjo krizë është globale dhe, si e tillë do të kalojë. Edhe pse, ndoshta jo në mënyrën më të mirë të mundshme, por, më mirë të heqim “të zit e ullirit” tash dhe, të mendohet për vitet pas pensionimit. Nëse do t’i tërheqin kursimet pensionale, a thua, a do të kenë para për t’i blerë ilaçet pas shkuarjes në pension…?!

Derisa PDK-ja dhe partitë e tjera opozitare janë “kokë e këmbë” pro tërheqjes, nga ana ligjore një gjë e tillë nuk lejohet. Ja se çka thotë i pari i Qeverisë.

Për të marrë një mendim të kryeministrit, gazetarëve iu desh që ta pyesin në një vend e ngjarje jo aq të zakonshme, në ditën kur po bëheshin homazhe te busti i Zahir Pajazitit, aty ku nderimet e ngushëllimet ishin më primare, Kurtit iu desh të deklarohej, ngaqë nuk e kishte bërë më parë, se për të marrë nga pleqëria individuale nuk është zgjidhje. Më këtë, ai la të nënkuptohej se nga dita kur u propozua Projektligji, u është shmangur pyetjeve të gazetarëve për qëndrimin pro apo kundër 30-përqindëshit. Madje, për të thënë deklaratën, ai citoi ekspertët e FMN-së.

Gjithashtu, ai përmendi Pakon e Ringjalljes Ekonomike për zbutjen e krizës. Qeveria e bëri këtë, duke ndihmuar disa shtresa me nga 100 euro. Reagimet e opozitës linin për të dëshiruar, derisa këtë veprim e quajtën “populist”. Tek e fundit opozita është për ta kritikuar pozitën, aty dhe atëherë kur bën gabime. Por, sado veprim “populist” të jetë, kjo shumë simbolike është një injeksion për popullin. Me këto para, qytetarët mund t’i blejnë së paku për dy muaj produktet esenciale, si: vaj, miell e sheqer.

Reagimet nuk munguan as për refuzimin e Qeverisë për tërheqjen e kursimeve pensionale. Vendimi i tyre nga partitë në opozitë u konsiderua si gabim, neglizhencë, bile edhe papërgjegjësi.

Sidoqoftë, ka diçka që nuk mund të bëhet: tërheqja e 30-përqindëshit. Masa do të kishte përfitime afatshkurta socio-ekonomike, por pasojat do t’i vuanin në moshën e pas pensionimit.

Qeveria duhet t’i shikojë të gjitha mundësitë. Nëse do të jetë e nevojshme, prapë ta zbusë krizën me subvencione. Por, ajo që është më e rëndësishmja, ta rrisë pagën minimale. A nuk ka ardhur në pushtet Kurti me premtimin se do ta bëjë këtë!?