Presidenti amerikan Donald Trump ka shpallur një tarifë të re prej 100% ndaj filmave që prodhohen jashtë Shteteve të Bashkuara, duke e cilësuar këtë si një masë të nevojshme për të mbrojtur industrinë e filmit në vend, të cilën ai e përshkroi “duke vdekur shumë shpejt”.
Njoftimi i fundit për tarifat vjen pasi Trump, muajin e kaluar, shpalli rritje të taksave ndaj mallrave që hyjnë në SHBA nga vende të tjera.
Në një postim në rrjetin e tij social Truth Social, Trump akuzoi vendet e tjera se “ofrojnë lloj-lloj stimulimesh për të tërhequr prodhuesit dhe studiot e filmit larg Shteteve të Bashkuara”, duke e quajtur këtë një “përpjekje të qëllimshme nga kombet e tjera dhe, për këtë arsye, një kërcënim për sigurinë kombëtare”.
Ai tha se ka autorizuar Departamentin e Tregtisë dhe Zyrën e Përfaqësuesit të Tregtisë së SHBA për të vendosur një tarifë 100% për çdo film të prodhuar jashtë vendit që hyn në SHBA.
Ky vendim është pjesë e një serie politikash të reja që Trump ka shpallur në rrjete sociale. Të dielën, ai njoftoi se do të urdhërojë rihapjen e burgut famëkeq Alcatraz.
Nuk është ende e qartë se si kjo tarifë do të ndikojë në prodhimet ndërkombëtare të përziera, si për shembull filmi i ardhshëm Mission: Impossible – The Final Reckoning, i cili është xhiruar si në SHBA, ashtu edhe në vende të tjera.