India dhe Pakistani në prag të konfliktit


Gazeta Express
19 Mars 2019 13:49

Strategjia kombëtare nuk mund të lejohet të bjerë viktimë e pasioneve nacionaliste, të cilët janë shumë të etura për të marshuar drejt një lufte shkatërrimtare dhe mundësisht të pakontrollueshme, duke supozuar se ajo do të shmangë përdorimin e armëve bërthamore

Ankit Panda

India dhe Pakistani, janë në prag të përballjes së tyre më serioze ushtarake mes tyre, që nga viti 2002. Pas viteve të pësimit të sulmeve terroriste, të organizuara nga grupet militante me baza në Pakistan, India e humbi durimin pas shpëthimit të një bombe në një kamion të ushtrisë më 14 shkurt, që shkaktoi vdekjen e 40 ushtarëve indianë.

Përgjigja? Një sulm ajror, mbi atë që pretendohet se ishte një kamp stërvitor i drejtuar nga Jaish-e-Muhamed, grupimi që mori autorësinë e sulmit. Kjo hakmarrje, u festua menjëherë në Indi, pasi u pa si një tregim muskujsh, me mesazhin se Nju Delhi, nuk do të tolerojë më që inkurajimin e fshehtë të grupeve terroriste nga Pakistani.

Por sulmi u perceptua ng Islambadi si jashtë kontrollit. India e përshkroi goditjen si parandaluese, dhe të nxitur nga informacione shumë specifike, që flisnin për një kërcënim emergjent të besueshëm. Nju Delhi, theksoi se objektivat ishin “jo-ushtarake”, dhe se nuk po synonte të niste një luftë.

Ndërkohë, versioni i ngjarjeve nga ana e Pakistanit, ishte shumë i ndryshëm, me ushtrinë pakistaneze që pretendoi se India nuk kishte arritur asgjë tjetër, veç bombardimit të gjetheve në pyll. Ka edhe një element tjetër, për të kuptuar goditjen e Indisë dhe kundërpërgjigjen e Pakistanit.

Nju Delhi, ishte hakmarrë ndaj një sulmi me më pak viktima, që ndodhi në Kashmir në shtatorin e vitit 2016, duke ndërmarrë atë që ai e quajti “goditje kirurgjikale” në Kashmirin e administruar nga Pakistani, për të shkatërruar bazat e përdorura nga terroristët.

Pakistani e injoroi atë sulm, duke penguar shpërthimin e një krize, si ajo që po shohim të shpaloset sot. Por pas sulmeve indiane të kësaj jave, Pakistani reagoi ndryshe. Në një konferencë për mediat, zëdhënësi i lartë ushtarak i Pakistanit, hodhi poshtë idenë se ishte kapur gafil, dhe i premtoi Indisë një kundërpërgjigje të përshtatshme, në kohën dhe vendin e duhur.

Të mërkurën, situata u përshkallëzua, pasi avionët luftrakë F-16 të Pakistanit, kryen sulmet e tyre. Të dyja palët, dhanë sërish versionet e tyre rreth objektivave që janë goditur, me Pakistanin që u përpoq ta bënte të qartë, se reagimi i saj ishte hakmarrja proporcionale për sulmet indiane.

Një faktor që e rëndon krizën, ishte humbja e avionëve indianë.

Një pilot i Indian i “Air Force”, i detyruar të hidhej me parashutë nga avioni i tij MiG-21, ndodhet në paraburgim në Pakistan. Ushtria e Pakistanit, publikoi pamje që tregonin se piloti gëzon shendtë të plotë, për të shmangur kritikat e dikurshme për keqtrajtimin e pilotëve indianë, gjatë Luftës së Kargilit të vitit 1999.

Pretendimi i Indisë se sulmet e Pakistanit, synonin “instalimet ushtarake”, në shenjë hakmarrje për sulmin e kalibruar dhe “jo ushtarak” të Nju Delhit, do të rrisë presionin mbi qeverinë indiane, që tanimë do të hakmerret ndaj Islamabadit.

Kjo do të shënonte një raund të tretë të përshkallëzimit të tensioneve, duke ngritur mundësinë e një spirale gjithpërfshirëse, që do të rrezikonte çuarjen e dy vendeve në prag të një lufte bërthamore,  në kushtet kur dy vendet e zotërojnë një armë të tillë.

Por përshkallëzimi nuk është automatik, dhe do të varet nga hapat që do të ndërmarrin udhëheqësit politikë në ditët e ardhshme. Kryeministri indian Narendra Modi, po përballet me pengesa të veçanta në politikën e brendshme, me zgjedhjet e përgjithshme në vend vetëm disa javë larg.

Ajo që është e rrezikshme, është nëse lidershipi politik indian, arrin në përfundimin se duhet të hakmerret, duke pasur parasysh qëllimin e Pakistanit për të goditur bazat e saj ushtarake, sikurse e ka thënë publikisht. Ndërkohë publiku indian, është subjekt i një mjedisi mediatik shumë nacionalist, që tashmë është duke i trajtuar ngjarjet e ditëve të fundit, si pararendëse të një konflikti.

Nën këtë mjedis, vendimi i Modit për të ushtruar vetëpërmbajtje, do të kërkonte një guxim të madh politik. Një guxim i tillë, nuk është i padëgjuar nga udhëheqësit politikë, por mund të vijë me një kosto reale, veçanërisht në kutinë e votimit. Mënyra të tjera të mundshme, përmes së cilave mund të zbutet kjo krizë, përfshin ndërhyrjen e fuqive të treta.

Shtetet e Bashkuara, janë aktualisht të zëna me samitin në Hanoi të Vietnamit, ndërsa Kina dhe Rusia konsiderohen secila si shumë të njëanshme ndaj Pakistanit dhe Indisë. Vende të shumta, kanë bërë publike deklarata, duke u bërë thirrje të dyja palëve që të vetëpërmbahen.

Ajo se çfarë do të ndodhë më pas, varet nga vendimmarrësit politikë në Indi. Ky konflikt, mund të gjejë një valvulë shkarkimi të tensioneve, por kjo duhet të ndodhë shpejt. Mbi të gjitha, strategjia kombëtare nuk mund të lejohet të bjerë viktimë e pasioneve nacionaliste, të cilët janë shumë të etura për të marshuar drejt një lufte shkatërrimtare dhe mundësisht të pakontrollueshme, duke supozuar se ajo do të shmangë përdorimin e armëve bërthamore.

“National Interest” – Bota.al

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart