Imazhi i tjetrit gdhendur në shtyllë, ose anatomia e paragjykimit - Gazeta Express
string(64) "imazhi-i-tjetrit-gdhendur-ne-shtylle-ose-anatomia-e-paragjykimit"

Arte

Gazeta Express

13/05/2022 14:13

Imazhi i tjetrit gdhendur në shtyllë, ose anatomia e paragjykimit

Arte

Gazeta Express

13/05/2022 14:13

Në shfaqjën “Andorra” të Kushtrim Bekteshit me Teatrin “Bekim Fehmiu” të Prizrenit, fashizmi shfaqet dy herë në secilin vend, njëherë si tragjedi, e pastaj si farsë

Nga Halil Matoshi

Lexo Edhe:

1.

Pas rreshtit, megafoni është mjeti i parë i fashistit, pastaj vjen arma.

Në shfaqjën (tragjedinë) e Kushtrim Bekteshit “Andorra” megafoni është mjet i gjuhës regjisoriale që dëshmon rendin dhe urdhërin, sëpari dëgjohen në sfond audio fjalimet e zjarrta populliste që u drejtohen turmave nga megafoni: Hitleri, Mussolini, Milošević-i, Vučić-i…, pastaj me megafon trupat e tyre grumbullojnë njerëzit pēr t’i sistemuar në kampe përqëndrimi.

Pas thirrjës urdhëruese për grumbullim pason dhuna e hapur, tortura dhe vrasjet nga Gestapo, milicia, četnikët…andorrasit e rreshtuar me Fürerin, vožd-in, liderin: profesorë, ushtarë, gastronomë, pronarë biznesesh, priftërinj…

Fashizmi i bënë vegla qorre nacionalistët inferiorë, që për nga natyra janë frikacakë, dhe ata shfrytëzojnë regjimet totalitare për t’u shfaqur, për të marrë vëmendjen e rrethit që kurrë nuk e kishin…

2.

Drama e Frisch-it që mund të cilësohet edhe si tragjedi, në konceptin regjisorial të Bekteshit mësynë të damkosë, në plan të gjërë urrejtjën e tjetres/tjetrit në baza etnike, fetare ose ideologjike kurse në plan më të ngushtë konoton me gjenocidin serbian të viteve ‘90 ndaj popujve joserbë të ish Jugosllavisë.

Kjo dramë është si një çmenduri në errësirë, sepse gjithandej, turmat (madje edhe banorë të akëcilit vend) parapëlqejnë paragjykimin e tjetrit, të ndryshmit. 

Fabula e shfaqjës së Bekteshit ēshtë shtylla ku gdhendet imazhi i  tjetrit si armik!? 

Identiteti hebre në “Andorra” , një vend imagjinar por i kudondodhshëm në toposin dramatik të Max Frisch-it, është si një vurratë për stereotipet antisemite, ku një hebre nënvetëdijshëm stigmatizohet edhe nga mbrojtësit e hebrejve dhe ku secili mund të “bëhet” hebre!?

Sipas anatomisë së paragjykimeve dhe stereotipeve,

viktima e zgjedhur duhet të jetë patjetër një hebre (edhe kur ai është andorrez) dhe mizoritë ndaj tij janë të justifikueshme.

3.

Në Andorra jetonte një i ri që e kishin marrë për hebre. Rrëfimi do të duhej të merrej me historinë e supozuar të origjinës së tij, marrëdhëniet e tij të përditshme me andorrezët që shohin tek ai çifutin: imazhin e gdhendur që e pret kudo…

Në shtyllën që ngrisin vendasit për secilin që ata duan ta kryqëzojnë, mjafton të të shpallin për hebre, pastaj turma ta gdhend  imazhin me të vetmet mjete që ajo ka: stereotipet (koprrac që i interesojnë vetëm paratë e me hundë të madhe!?)

Michael Butler shkruan se kjo skemë në fakt është një ilustrim i mprehtë i teorisë së “imazhit të gdhendur” që Frisch zhvillon në pjesën e tij theatrale. 

Intenca e marrjës së tjetrit në sy të keq, si dikush që na bën të palumtur e të varfër, është totemike dhe ringjallet nga xhelozia e smira, sëkëndejmi, lumturia e tjetrit duhet shkatrruar, sepse fashisti e ka të gdhendur imazhin e tjetrit si rremihës dhe rrënues të lumturisë vetanake.

Turmat janë të prirura për të fiksuar shëmbëlltyra të gdhendura te njerëzit e tjerë, madje edhe te kombet e tëra, Serbia e Miloševičit kishte gdhendur imazhin e shqiptarit kosovar si ‘terrorist dhe dhunues grash serbe’.

Rusia e Putin-it e ka gdhendur imazhin për ukrainasët si nacistë, pra sëkëndejmi ata duhet shkatërruar!?

Gdhendja e imazhit tē tjetrit kur kombinohet me paragjykimin pason me shkatërrimin e tij, si akt i domosdoshëm, madje patriotik.

4.

Ky është rasti i hebreut andorran, i cili, pas vdekjes së tij brutale, (që andorrezët nuk bëjnë asgjë për ta parandaluar) zbulohet se është një andorras, si ata. Andorrezët përpiqen të harrojnë tradhtinë e tyre, por ‘sa herë që shikonin në pasqyrë, ata – secili prej tyre – panë me tmerr se ata vetë mbanin tiparet e Judës,)

Frisch ia shtoi shfaqjes një dimension krejtësisht të ri: tragjedinë private, por shembullore të mësuesit Can dhe familjes së tij. Për më tepër, thotë Butler, dhe ç’është më e rëndësishmja, shumica e andorrazëve në shfaqje nuk e njohin fajin e tyre, por përkundrazi vazhdojnë me dashje të mbrojnë bashkimin në krim.

5.

Faktura regjisoriale ia del ta përfshijë dhe ta bëjë të dukshme intencën e rikthimit të fashizmit, kudo dhe kurdo!?

Zigmund Freud e shihte fashizmin si një vërtetim transhistorik të një të kaluare mitike. Domethënë, fashizmi është një përsëritje, një version romanësor i mitit të babait parak. Pra ai mund të rishfaqet shfaqet kudo dhe kurdo, sepse armët kanë pushuar por ideja nuk ka vdekur!?

6.

Duhet theksuar lojën e angazhuar të ekipit, me mizanskenë shenjash tipike për epokat e errëta, ku sheshi i qytetit është edhe punëtori edhe kishë, pijetore, shtëpi e babës por edhe kuesturë e kamp pëqëndrimi. përfshi gjetjen e Bekteshit për ta inkorporuar Tribunalin e Hagës brenda dramës së Frisch-it, përmes përkthyesës e cila kujdeset për gjuhën ‘politikisht korrekte’ si pretendim se të akuzuarit mund të ishin folës të gjuhëve të ndryshme.

Por këtu përfundon tragjedia dhe nisë riseminimi i sajë si farsë: Tradhtarët e Andrit dhe ata që dorëzuan “hebrejt tanë” te autoritetet. tashti shfaqen si qytetarë të devotshëm, madje vrasës të konvertuar në liderë pirencialë të së ardhmës, që duan ta bëjnë Andorrën e këmishazive të bardhë dhe paqësore!?

7.

“Nuk dinim gjë” – thonë të gjithë fashistët, pas secilës ‘Natë të Kristaltë’ dhe kudo që shfaqet.

Po e përmbyll këtë interpretim me poezinë e poetit boshnjak Šaban Šarenkapić “Britma kundrash” (në një skenë, viktimat, njerëzit me imazh të gdhendur në shtyllë urdhërohen t’i heqin këpucat e tyre.)

kundrat mbetur shkret 

kur i pa

atlete t’shtangura

që kush i mbathë më nuk ka 

Gjenerali i zemëruar

amerikan para hangarit të Aushvicit 

solli mijëra e mijëra banorё

mijëra e mijëra këpucë e atlete për të parë 

Nga të vdekurit shpërndarë

Ata kthejnё kokёn duke thënë:

“Ne nuk e ditëm

Ne nuk e ditëm…”

E kundrat, ato bërtitshin: e dinit e dinit..

/Gazeta Express