I shpëtoi burgut përjetë, Prokuroria: Të rrëzohet vendimi për Dritan Dajtin


Gazeta Express
14 Mars 2019 8:44

 Prokuroria i bëri rekurs vendimit të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda për dënimin e Dritan Dajtit me 25 vite burg, duke kërkuar prishjen e vendimit dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm.

Dy ditë pas zbardhjes së plotë të vendimit, të pesëshes së Apelit, Akuza ka dorëzuar në Gjykatën e Lartë rekursin, me anë të të cilit kërkon që vendimi, që sipas tyre është dhënë në kundërshtim me ligjin dhe i pabazuar, të prishet për pjesën e pranimit të gjykimit të shkurtuar dhe çështja të kthehet për rigjykim.

Kujtojmë se Dritan Dajti u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda me akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese të oficerëve të Policisë, Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari dhe Kastriot Feskaj, gjatë një operacioni policor për kapjen e tij.

Ndërkohë, ky vendim u apelua nga Dajti, i cili i kërkoi Apelit të prishte vendimin, por procesi në Shkallën e Dytë u pasua me një seri seancash të shtyra deri në 8 shkurt të këtij viti, kur Gjykata vendosi të pranojë gjykimin e shkurtuar për Dritan Dajtin dhe dënimin e tij përfundimtar prej 25 vitesh. Sipas vendimit të zbardhur, mësohet se gjyqtarët e kanë mbështetur vendimin e tyre në të drejtën e të pandehurit për kërkesën dhe procedimin për gjykimin e shkurtuar.

Në vendim thuhet se e drejta për t’u proceduar me këtë formë të posaçme të gjykimit, është e njohur dhe e trajtuar nga Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese, madje edhe nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut. Këto gjykata, thuhet në vendim, e konsiderojnë si një të drejtë e të pandehurit kërkesën për gjykim të shkurtuar.

Me këtë argument, gjyqtarët e Apelit arsyetojnë se duhet prishur vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila kishte kundërshtuar kërkesën e Dritan Dajtit për gjykim të shkurtuar. Gjykatësit thonë se Dritan Dajti duhet ta vuajë dënimin me 25 vite burgim në një burg të sigurisë së lartë. Në lidhje me këtë vendim, Prokuroria për Krime të Rënda ka shënuar edhe një procedim penal për 3 gjyqtarët që kanë votuar pro pranimit të kërkesës së Dritan Dajtit për gjykim të shkurtuar.

Kështu, Skënder Damini, Aleks Nikolla dhe Petrit Aliaj janë duke u hetuar për akuzën e “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, ndërsa disa ditë më parë, në banesat e tyre, Prokuroria ushtroi edhe një kontroll të lejuar edhe nga Gjykata për Krime të Rënda. Nga kontrollet, vetëm në banesën e Skënder Daminit u gjetën 17 mijë euro dhe disa plumba, të cilat u sekuestruan nga Policia, ndërsa në banesat e dy gjyqtarëve të tjerë nuk u gjet asgjë, e cila të konsiderohej e paligjshme.

VRASJA

Ngjarja, për të cilën Dritan Dajti u gjykua dhe dënua me vendim të formës së prerë me 25 vite burg, ka ndodhur në 7 gusht të 2009, në orën 13:50 në lagjen nr.13, Plazh, Durrës, pranë pistës së vogël “Iliria”. Në dosjen e Prokurorisë sqarohet se gjatë kryerjes së operacionit për kapjen e shtetasit Dritan Dajti, kanë qenë të pranishëm disa punonjës Policie, ndërsa është marrë informacion për një makinë ku dyshohej se ishte Dajti.

Pas konstatimit të këtij automjeti, grupi operacional ka vazhduar ndjekjen për mbajtjen në vëzhgim dhe kapjen e këtyre personave. Në këtë moment, policët janë afruar në drejtim të mjetit tip “Touareg” me tre automjetet e tyre dhe aty ka filluar shkëmbimi i zjarrit mes Dajtit dhe policëve, 4 prej të cilëve përfunduan të vrarë.

Te fundit


Kthehu lart