“I shes të gjitha organet e mia veçse mbesa të jetojë” Thirrja prekëse e gjyshit për 18 vjeçaren shqiptare


Gazeta Express
19 Mars 2019 14:59

Jeta e saj është e varur në një fije të hollë, nëna, babai, gjyshi dhe e gjithë shkolla po mundohen që 18 vjeçarja të mund të hedhë një hap larg sëmundjes së rëndë që e ka prekur.

 Historia e Eugersa Bregut është rikthyer në një mision shpëtimi për shumë qytetarë dhe një ngjarje që ka prekur qindra. 18 vjeçarja nga qyteti i vogël i Mamurrasit vuan nga skleroza multiple dhe rrezikon që të përfundojë në karrige me rrota…ose më keq akoma, të dergjet në spital në gjendje kome.

Nëna e Eugersës nuk pushon së qari kur tregon gjëmën e rëndë që ka rënë në shtëpinë e saj. Gjelina Bregu thotë se ende e dëgjon zërin e vajzës së saj. I duket sikur sapo ka ardhur nga shkolla dhe e thërret në emër për t’i treguar që ka ardhur në shtëpi. Por e vërteta është që Eugersa ndodhet në spital, në karrige me rrota dhe e paaftë të lëvizë.

Sëmundja e ka degraduar aqsa e gjen të vështirë të lëvizë trupin. Eugersa ndodhet në Itali pranë tezes së saj, por nuk mund të paguajë dot shpenzimet e stërmëdha që kërkohen për ta sjellë sërish në këmbë… kushtojnë në mënyrë të hidhur plot 80 mijë euro.

Nëna: Më duket sikur do më thërrasë, e dëgjoj zërin e saj në shtëpi. Më mungon kudo, e shoh tek pjata boshe në tavolinë, tek orari kur ajo vinte nga shkolla dhe më thërriste. Jam shumë keq. Ju lutem të gjithëve të vënë dorën në zemër për vajzën time.

19 vjeçe kam qenë kur e kam lindur. Kur më thirri mami ka qenë dita më e lumtur në jetën time. Kam qenë shumë e sëmurë dhe Gersa ka përjetuar shumë keq largimin tim. Ika tek motra. Në kohën që Gersa u sëmur, una isha në Greqi duke u kuruar. Kam patur tiroide. E kam marrë vesh përmes burrit në telefon. Më thanë nisu se Gersa është sëmurë. E merrja përdore, as këmbët nuk i hidhte dot. Duart nuk i lëvizte. Më thoshte të shkoja në shkollë, por si mund ta çoja… nuk lëvizte dot. Kur mori vesh në konsultën që bëri në Itali, më mori në telefon dhe më tha që ishte e prekur nga sëmundja. Të ngeli ajo ashtu nuk e imagjinoj dot se çfarë do të bëj.

Por ajo që ka prekur thellësisht shqiptarët kanë qenë lotët e gjyshit të Eugersës. Në moshë të thyer Tom Bregu nuk e shqet dot nga mendja që nuk mund të bëjë dot asgjë për ta ndihmuar mbesën. Thotë se është nxënëse e shkëlqyer në shkollë dhe se për të do të jepte gjithçka. Tom Bregu nuk i përmban dot lotët dhe i drejtohet Zotit që t’i heqin të gjitha organet e trupit, vetëm që të gjenden paratë për të ndihmuar mbesën

Gjyshi: Siç pret ai që s’ka sytë, siç pret njeriu dritën e diellit, ashtu pres dhe unë Eugersën. Unë jam gati të jap jetën time, të jap veshkat e mia, të jap zemrën time, të gjitha organet e trupit për të shpëtuar mbesën time. Nuk më duhet jeta nëse nuk e shpëtoj dot Eugersën…(qan me dënesë)… o Zot i madh, ma ndihmoni mbesën.

Emisioni “Shqiptarët për Shqiptarët” vendosi që të marrë pjesë në orvatjen për ta ndihmuar këtë vajzë e cila pa ndihmën e shqiptarëve do të përhumbet në spitale dhe do të kalojë jetën në karrige me rrota.

Naçi: Na kanë sjellë qindra mesazhe për ktë vajzë. Shumë prej 80 mijë eurosh ishte relativisht e madhe dhe ne nuk kemi vetëm një rast. Realisht shuma e madhe na trembte. Por ky rast na bëri që ne ta merrnim dhe të mundohemi bashkë me shqiptarët që të mund të arrijmë këtë sasi parash për Eugersën. Në fillim mendonim se ajo mund të shërohej plotësisht, por shqiptarët na treguan se ajo sëmundje nuk shërohet e plotë, por mund të mbahet nën kontroll. E parë në një këndvështrim tjetër, kjo mund të quhet një shërim, pasi po ta lëmë ajo do të paralizohet, do të verbohet dhe mund të shkojë deri në koma.

Nëna e Eugersës tha në emision se sëmundja e vajzës ka avancuar shumë dhe se shuma e kërkuar për ta ndihmuar është e papërballueshme për të. Babai i Eugersës duket i drobitur nga fakti se nuk ka çfarë të bëjë për të bijën. Thotë se ka marrë borxh sa ka mundur, por sërish nuk po ia dalin dot.

Babai: Shpirtin do e jepja, gjithçka që vajza të kthehej në shtëpi e të jetonte. Kam marrë borxhe por nuk kam çfarë shes më shumë, veçse shpirtin…

Vëllai i 18 vjeçares është një fëmijë ende.

Vëllai: Motrën e kam shumë sëmurë… (qan) shpresoj që do të vijë sa më parë, se më ka marrë shumë malli. Në shkollë iknim bashkë. Uleshim të dy së bashku duke bërë detyrat. Më ndihmonte shumë… i lutem shqiptarëve të ndihmojnë motrën time.

Falë ndihmës dhe thirrjeve drejtuar shqiptarëve u krijua një fond për Eugersën. Elvis Naçi i tha nënës së Eugersës se do të bënin ç’të mundeshin për ta ndihmuar vajzën e saj. Ndihma tashmë ka nisur.

Nëna: Sëmundja filloi të ankohej, nga këmba e duart. Në nëntor filloi të ankohej, më mpihet dora e këmba. E shtruam për 10 ditë. Bëri serume e ilaçe dhe u pa e pashpresë për këtu. Kam motrën në Siena dhe e shtruam atje. Mjekëtu këtu nuk e gjetën se ç’kishte vajza. E solla me karrocë dhe e çova po në Itali me karrocë. Pas analizave e diagnostifikuan me sklerozë multiple. Nuk ka shërim, por një kurim i cili kushton shumë shtrenjtë.

Elvis Naçi: Kur e pamë këtë rast nuk e dinim që shumë shqiptarë të tjerë ishin të prekur nga ky rast. Jam plotësisht dakort se termi shërim nuk është plotësisht i saktë, por nëse ajo nuk përfundon në karrige e më tutje në koma, ky në njëfarë mënyre quhet shërim. Ne bashkë do të bashkohemi dhe do të bëjmë më të mirën për Eugersën. Ne do të bëjmë donacionin të parët, 5 mijë euro do t’i japim si fillim për Eugersën. Shpresoj shumë që të kemi një shumë të konsiderueshme që të paktën etapat e para të kryehen. Besoj se dhe shuma totale do të mblidhet, shqiptarët në bashkëpunim me tjetrin s’kanë qenë kurrë koprracë.

Fushata e shokëve të klasës së Eugersës

Shokët dhe shoqet e shkollës së Eugersës kanë dalë në rrugët e Mamurrasit dhe pavarësisht se kanë dalë shtëpi më shtëpi e derë më derë në një qytet aq të vogël, është arritur të grumbullohet një shumë prej 3 milionë lekësh të vjetra.

Shoqja e Klasës: Më tha më është mpirë dora… doli në tabelë dhe nuk mbante dot shkumësin. Kur merret stilolapsin në dorë i binte, nuk e mbante dot në dorë. Më mungon shumë, e ndjej kudo mungesën e saj.

Shoqja e klasës:Kemi dalë në të gjithë shkollat e bizneset këtu në Mamurras për të kërkuar para, në mënyrë që ta ndihmojmë sadopak Eugersën.

Mësuesja: Nuk mund ta imagjinoja dot sesi gjërat do të degradonin në këtë shkallë. E kemi përjetuar vërtet keq, por shpresa vdes e fundit dhe shpresoj që të gjithë do të mund ta ndihmojmë Eugersën.

Elvis Naçi: Njëra nga ato vajza më ka shkruar pafundësisht, më shkruante të lutem të lutem të lutem, derisa ne dhe unë reaguam. Janë shpirti i kësaj çështje dhe besoj se bashkë me shqiptarët besoj se do të arrijmë të mbledhim paratë për Eugersën.

Sidrit Bejleri: Të sensibilizosh për shoqen e klasës mbase është mëse normale, por ata fëmijë kanë dalë derë më derë… ato fëmijë do të kishin ardhur deri në Tiranë për Eugersën.

Te fundit


Kthehu lart