I paralizuar prej 15 vitesh sheh vetëm tavanin e banesës… shqiptarët bëjnë mrekullinë për të moshuarin


Gazeta Express
14 Qershor 2019 17:27

Po punonte tokën kur papritmas u rrëzua. Një ndër ditët më të rënda të jetës së tij, që do të hapnin siparin e një dhimbje, që vështirë të rroket. 5 orë qëndroi i shtrirë në tokë, duke thirrur për ndihmë. Këmbët e trupi nuk i përgjigjeshin.

Kanë kaluar 15 vite nga ajo ditë dhe jeta e Nazifit, sot 63 vjeç, ka kaluar në një kalvar dhimbje dhe sfilitje. Ky shqiptar jeton në një fshat të thellë të Gramshit, në Holtas, në rrëzë të malit. Atje ai është ngujuar prej 15 vitesh në regjim shtrati. Nuk mund të lëvizë këmbët, duart, thuajse asgjë.

Nazifi e tregoi historinë e tij të dhimbshme përmes emisionit “shqiptarët për shqiptarët”. Thotë se as dritën e diellit nuk e sheh, kurse koha për të është kthyer në një nocion të çuditshëm që nuk ka asnjë lloj lënde.

Nazif Llapushi: Kam 15 vjet që qëndroj shtrirë, në krevat… i paralizuar nuk lëviz. Kam dhimbje tek kyçet e këmbët, duart nuk i lëviz dot… rri kështu, vetëm në këtë krah. Ta mendosh qysh si ka ma ardhur në këtë ditë. Kam qenë duke punuar tek toka dhe përnjëherë, rash në tokë. Kam ndenjur 4-5 orë në tokë atje, derisa erdhën dhe më gjetën. Kam shkuar në spital dhe ndenja 15 ditë atje. doktori më tha kjo sëmundje njëherë në 100 vjet bie… më ra mua.

Por më e rënda e gjithë historisë së Nazifit është momenti kur ai sëmuret rëndë dhe i duhet të shkojë në spital. Duhet të bëjë rreth dy orë rrugë nga fshati drejt e në Gramsh. Fatmirësisht, banorët e zonës janë solidarizuar me të dhe e kanë marrë përsipër që të mblidhen së bashku për ta ndihmuar. Ata vijnë në banesën me qira ku jeton Nazifi dhe e mbajnë në krah me një barrelë. E lidhin me litar dhe më pas në krah për orë të tëra.

Emisioni shqiptarët për shqiptarët vendosi që ta ndihmojë Nazifin. Stafi i emisionit shkon në banesën e 63 vjeçarit për ta dërguar atë në Tiranë për një vizitë mjekësore. Nazifi mbërrin në kryeqytet dhe kryen të gjitha analizat. Me mbarimin e analizave ai pret të shkojë sërish në banesën e tij.

Nazifi: Kam tre ditë që kam ardhur këtu. Më kanë bërë rezonancën, skanerin e kokës… do marr ilaçet dhe pres të marr një recetë e të mjekohem. Këtu mir kam qenë, por nuk e di sesi do shkoj sërish atje lart. Por kështu është jeta, ca rrojnë ca vuajnë. Nuk e di sesi do shkoj lart në banesë.

Por shqiptarët kanë përgatitur një surprizë të madhe për Nazifin. Ai i hipën makinës dhe kujton se është duke shkuar drejt shtëpisë, ku sërish do të shohë vetëm tavanin e banesës. Sidrit Bejleri ndodhet në një shtëpi të re në Gramsh, mjaft afër spitalit. Në duar ka çelësat e shtëpisë.

Pret Nazifin dhe familjen dhe i tregon 63 vjeçarit lajmin e madh. Shtëpia ku ai ndodhet është tashmë e tij.

Sidrit Bejleri: Me urdhër të shqiptarëve dhe Elvis Naçit, jeni të urdhëruar që të qëndroni këtu përgjithmonë.

Nazifi përlotet thellë dhe thotë se nuk e priste.

Beljeri: Mos qaj mor burrë, përse qan

Nazifi: Nuk e prisja

Beljeri: Se prisje fare? As kur hyre këtu nuk e prisje?

Nazifi: Rrofshi shumë… nuk di ç’të them

Bejleri: Kemi patur mundësi me e bërë këtë dhe e bëmë me shqiptarët. Nëse do kishim mundësi me të heq sëmundjen, do e kishim bërë. Secili e ka pa si kontribut me e bo këtë punë për ty.

Nazifi: Shumë shumë faleminderit. I falënderoj të gjithë shqiptarët që kontribuuan për mua.

Bejleri: Dashtë Zoti të bëjmë dhe një krevat me rrota që të jetë i manovrueshëm. Ke një oborr të vogël atje, për të dalë.

Nazifi: Një mijë dita juve, Elvis Naçit dhe shqiptarëve. Nuk e prisje, të drejtën iu them. Po mendoja sesi do ngjisja malet, qysh dhe erdha. Nuk e harroj kurrë këtë nder të madh…

Te fundit


Kthehu lart