I jepet lamtumira Gjergj Xhuvanit, i biri me pranga në duar dhe i rrethuar nga policë


Gazeta Express
20 Gusht 2019 20:54

Aktorja Luiza Xhuvani së bashku me vajzën dhe djalin Kostandin Xhuvani i dhanë lamtumirën bashkëshortit dhe babait të tyre, Gjergj Xhuvani.

Regjisori, skenaristi dhe producenti shqiptar, Gjergj Xhuvani, u përcoll të martën në banesën e fundit. Familjarët vendosën që ceremonia mortore të ishte private, ndërsa kolegët thanë se arti humbi një ndër regjisorët më të mirë.

Djali i regjisorit u shoqërua gjatë gjithë kohës në ceremoni nga policë. Ai siguroi lejen nga Drejtoria e Burgjeve për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit.

Në heshtje përcollën ngushëllimet edhe miqtë e tij të ngushtë, edhe pse kishin shumë për të thënë për një regjisor e njeri të rrallë si Xhuvani.

Gjergj Xhuvani, humbi betejën me sëmundjen e rëndë që e mundonte prej vitesh, një javë më parë në Romë, në moshën 56 vjeç.

Gjergj Xhuvani, regjisor, skenarist dhe producent shqiptar, lindi në vitin 1963 në Tiranë. Në vitin 1986 u diplomua në Akademinë e Arteve në Tiranë, dega Artet Dramatike. Që nga viti 1986 deri në vitin 1990, ai punoi si asistent regjisor në shumë filma dhe në vitin 1991 realizoi filmin e tij të parë “Bardhë e zi”.

Ka punuar si regjisor në filma mjaft të njohur për publikun, si “Në kërkim të kujt”, “Lindje, perëndim, lindje”, “I dashur armik”, “Parrullat” etj.Qe i pari kineast shqiptar që mundi të çojë Shqipërinë në Kanë përmes filmit “Parrullat” në vitin 2001.

Ka dhënë kontributin e tij në kinematografinë shqiptare edhe si skenarist në filma si “Parrullat”, “I dashur armik”, “Në kërkim të kujt” etj.

Te fundit


Kthehu lart