I infektuari nga Kamenica: S'kam dalë nga Infektiva, kam bërë shaka me postimin në rrjetet sociale - Gazeta Express
string(97) "i-infektuari-nga-kamenica-sskam-dale-nga-infektiva-kam-bare-shaka-me-postimin-ne-rrjetet-sociale1"

I infektuari nga Kamenica: S’kam dalë nga Infektiva, kam bërë shaka me postimin në rrjetet sociale

Liridonë Çeta

02/04/2020 14:13

Personi i parë nga fshati Topanicë e Kamenicës, i cili doli pozitiv në testimet për virusin COVID-19, ka shkaktuar huti te qytetarët me publikimin e një fotoje në rrjetet sociale. Ai u konfirmua me koronavirus të hënën, ndërkaq publikoi fotografinë të mërkurën, ku ka shkruar se nuk e ndal as virusi e as ora policore. Por, foton ku shihet rruga përmes një xhami të një automjeti, duket se personi në fjalë e ka shkrepur më herët, pasi ai është duke u trajtuar në Klinikën Infektive të QKUK-së

Se fotoja nuk është publikuar të mërkurën, ka thënë për Gazetën Express edhe vetë personi i prekur me COVID-19.

Lexo Edhe:

“Jo jo nuk është e vërtetë, fotoja është e vjetër, e kam postu vetëm si shaka. Nëse e kisha ditë që kam koronavirus nuk kisha dalë prej shtëpisë, se 10 anëtarë të familjes m’i ka prekë. Unë jam në spital, prej që më kanë pru këtu me ndihmë të shpejtë unë nuk kam dalë, as rezën e derës nuk e kam prekë”, ka deklaruar ai.

Edhe nga Klinika Infektive e QKUK-së kanë thënë për Express se banori i Topanicës së Kamenicës i cili është prekur me COVID-19, po qëndron i shtrirë në Infektivë.

“Pacienti në fjalë ka rezultuar si pozitiv me COVID-19, ai për momentin gjendet në Klinikën Infektive”, ka thënë për Express infektologu Valbon Krasniqi.  

Nga Komuna e Kamenicës kanë treguar për Express se i infektuari i parë nga fshati Topanicë është shtrirë në Klinikën Infektive të QKUK-së më 29 mars dhe se prej asaj dite nuk ka dalë nga aty.

“Personi i parë i identifikuar në fshatin Topanicë me COVID-19, është shtruar në Klinikën Infektive me datën 29 mars dhe që nga ajo ditë ai nuk ka dalë fare nga Klinika. Foto e cila po qarkullon tashmë në rrjete sociale, është bërë disa ditë më heret dhe e njëjta është përdorur gjatë ditës së djeshme. Do të thotë nga data 29 i infektuari me virusin Covid qëndron në izolim në Qendrën Infektive në Prishtinë”, ka thënë zëdhënësja e Komunës së Kamenicës, Margarita Rashiti.

Ndërkohë, pas personit të parë nga fshati Topanicë, nga i njëjti vend rezultuan të infektuar edhe 11 persona të tjerë të cilët kishin pasur kontakt me të.

10 nga të infektuarit janë familjarë të të infektuarit të parë, në mesin e tyre edhe një foshnjë 5 muajshe. Ndërkaq i infektuari i 11-të nuk është pjesë e familjes, por kishte pasur kontakt me të infektuarin.

I prekuri i parë nga Topanica, i cili punonte si shofer i linjës Kosovë-Gjermani dhe anasjelltas, ka hyrë në Kosovë më 19 mars, përmes pikës kufitare Dheu i Bardhë.

Pas kthimit nga Gjermania, ai nuk e respektoi vendimin për vetizolim, pasi gjatë periudhës 19 deri më 29 mars, ai kishte shkuar edhe në fshatra tjera të Kamenicës.

Kujtojmë se fshati Topanicë i komunës së Kamenicës që nga e marta është shpallur zonë karantinë, nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

Sipas vendimit, kjo masë vendoset për shkak që qytetarët kanë pasur kontakt direkt me personin i cili rezultoi pozitiv me koronavirus.

“Fshati Topanicë, Komuna e Kamenicës shpallet zonë karantinë pasi që banorët e këtyre fshatrave dyshohen se kanë pasur kontakt të drejtpërdrejtë me personat e infektuar me coronavirus COVID-19”, thuhet në vendim.

Ndryshe, numri i personave të infektuar me COVID-19 në Kosovë ka shkuar në 125.

Megjithatë, deri më tani janë shëruar 10 nga 125 të infektuarit.

Derisa tashmë në vend është shënuar edhe viktima e parë nga koronavirusi. /GazetaExpress/