I është rritur me 3 herë pasuria,Tërmet Peçi probleme me deklarimin e të ardhurave


Gazeta Express
23 Maj 2019 8:50

Tërmet Peçi u zgjodh për herë të parë në krye të Bashkisë së Tepelenës në vitin 2011 dhe mori një mandat të dytë në zgjedhjet lokale të 21 qershorit 2015. Ai është përfaqësues i Partisë Socialiste dhe i Aleancës për Shqipërinë Europiane, ndërkohë që do të kandidojë për një mandat të tretë në zgjedhjet e pritshme të 30 qershorit.

Kryebashkiaku Peçi nuk ka publikuar një CV në faqen zyrtare të Bashkisë së Tepelenës, por referuar të dhënave në formularin e tij të dekriminalizimit, ai ka qenë emigrant ekonomik në Greqi gjatë viteve 1991-1993 dhe në Itali në vitet 2007-2008.

Ai deklaron gjithashtu se në vitin 2004 është dënuar me gjobë nga Gjykata e Tepelenës për veprën penale të “përdorimit të dokumenteve të falsifikuara”.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasuritë e kryetarëve aktualë të bashkive të vendit,  në prag të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.

Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga kryetari i Bashkisë së Tepelenës nga viti 2011 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurisë së deklaruar nga kryebashkiaku i Tepelenës, Tërmet Peçi per vitet 2011-2017.

Kryebashkiaku Peçi deklaronte si pronë të vetme një apartament me vlerë 700 mijë lekë në vitin 2011; kur deklaroi për herë të parë interesat e tij private në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI.

Në fund të vitit 2017, pasuria e tij familjare është rritur me 3 herë dhe kap vlerën e 2.6 milionë lekëve. Përveç apartamentit të deklaruar në vitin 2011, Z. Peçi e ka shtuar pasurinë e patundshme edhe me një sipërfaqe toke të blerë për 600 mijë lekë.

Ai deklaron gjithashtu likujditete bankare me vlerë 1.39 milionë lekë.

Të ardhurat familjare për periudhën 2011-2017 janë 9.9 milionë lekë. Paga nga funksioni i kryebashkiakut zë 43% të të ardhurave, ndërsa paga e bashkëshortes si mësuese 33%. Ndërkohë, 23% të të ardhurave familjare janë siguruar nga fitimi i shitjes së një automjeti.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 6 vite të deklarimit, të cilat rezultuan pa probleme.

Megjithatë, në analizën cilësore të deklaratave të pasurisë u identifikua si “flamur i kuq” fitimi i lartë i siguruar nga shitja e një automjeti. Zoti Peçi deklaron se ka blerë një automjet në vitin 2012 për 800 mijë lekë, ndërkohë që e njëjta pasuri është shitur tre vjet më vonë për 23 mijë euro. Fitimi i llogaritur nga shitja e pronës është rreth 2.3 milionë lekë.

BIRN identifikoi gjithashtu se subjekti nuk ka deklaruar të ardhura nga funksioni i kryebashkiakut në vitin 2011.

Deklarata Para Fillimit të Detyrës

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Marrë nga Reporter.al 

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart