I dënuari me 25 vjet burg për vrasjen e gruas dhe plagosjen e kunatit kërkon nga Apeli rigjykim, prokuroria dënim më të lartë


load
Gazeta Express
8 Nëntor 2019 14:07

 I dënuari më 25 vjet burg nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Ragip Gashi, po kërkon nga Gjykata e Apelit që rasti i tij të kthehet në rigjykim, me pretendimin se aktgjykimi i shkallës së parë është përfshirë në shkelje.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 mars 2019, e kishte dënuar me 25 vjet burgim, Ragip Gashin, i cili akuzohej për vrasjen e bashkëshortes së tij, M.G dhe plagosjen e vëllait të saj, Xhevdet Hetemi, për rastin që kishte ndodhur më 21 dhjetor 2016, në lagjen “Mati 1” të Prishtinës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërkaq, një dënim më të ashpër për të, po e kërkon Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila po kërkon një dënim më të ashpër ndaj Gashit.

Sipas Prokurorisë, dënimi i shqiptuar ndaj të dënuarit është tejet i ulët, duke kërkuar nga Apeli që ta ndryshojë aktgjykimin e shkallës së parë dhe ndaj tij të shqiptojë një dënim më të lartë.

Po ashtu, dënimin e shqiptuar ndaj tij po e konsideron shumë të ulët i dëmtuari Hetemi dhe familja e tani të ndjerës, të cilët kërkuan nga Apeli ashpërsimin e dënimit.

Ndërkaq, mbi pretendimin se aktgjykimi i shkallës së parë është përfshirë në shkelje procedurale, shkelje të ligjit penal dhe vërtetim të gabuar të gjendjes faktike, i dënuari Gashi, përmes mbrojtësit të tij, avokatit Sevdali Zejnullahu, po kërkon kthimin në rigjykim.

Ai ka ushtruar ankesë lidhur me lartësinë e dënimit, me pretendimin se dënimi  i shqiptuar është tejet i lartë.

Sipas tij, aktgjykimit i mungojnë arsyet për faktet vendimtare dhe se gjykata e shkallës së parë nuk është ndalur fare në anën përmbajtjesore, por vetëm në atë formale.

Zejnullahu, shtoi se e tërë ngjarja ka ndodhur pasi i akuzuari kur ka parë se bashkëshortja e tij, ka qenë së bashku me një person tjetër, ka menduar që dikush po e grabiste atë dhe ka gjuajtur me armë.

“Nuk ka arritur të vërtetojë se për motive të xhelozisë e kishte privuar nga jeta të ndjerën, pasi që mbrojtja pretendon se i dënuari ka menduar se në ditën kritike ka ardhur një person i tretë, një hajn dhe për këtë këtë arsyeje ka nxjerr armën”, thuhet në ankesën e mbrojtjes.

Avokati Zejnullahu, gjatë seancës shtoi se gjykata e shkallës së parë nuk e kishte përpiluar aktgjykimin brenda afatit prej 30 ditësh, siç është paraparë me ligj, por pas më shumë se pesë muajsh.

Ndërsa, Prokuroria e Apeli, përmes parashtresës ka kërkuar që ankesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë të aprovohet si e bazuar, ndërsa ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit të refuzohet si e pabazuar.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 mars 2019, e kishte dënuar me 25 vjet burgim, Ragip Gashin, i cili akuzohej për vrasjen e bashkëshortes së tij, M.G dhe plagosjen e vëllait të saj, Xhevdet Hetemi, për rastin që kishte ndodhur më 21 dhjetor 2016, në lagjen “Mati 1” të Prishtinës.

Për veprën penale të vrasjes, ai ishte dënuar me 18 vjet burgim, ndërsa për tentim vrasje ishte dënuar me shtatë vjet burgim, kurse me një vit burgim ishte dënuar për armëmbajtje pa leje.

Më pas ndaj tij, ishte shqiptuar dënimi unik prej 25 vjetësh.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 21 dhjetor 2017, Ragip Gashi, akuzohet se më 21 dhjetor 2016, në Prishtinë, në lagjen “Mati 1”, i nxitur nga motivet e ulëta të xhelozisë, e privon nga jeta anëtaren e familjes–bashkëshorten e tij, tani të ndjerën M.G.

Siç thuhet në aktakuzë, derisa e ndjera M.G, kishte shkuar mysafir te familjarët e saj, i akuzuari Ragip Gashi, e kishte thirrur në telefon dhe i kishte thënë se ka shkuar për ta marrë në shtëpi.

Kështu, sipas prokurorisë, tani e ndjera, duke mos dyshuar asgjë, është nisur të shkojë tek i akuzuari, i cili i kishte thënë paraprakisht se e priste në rrugë. Ndërsa, sipas aktakuzës, vëllai i saj, i dëmtuari–dëshmitari Xhevdet Hetemi, e kishte përcjellë.

Sipas aktakuzës, atyre papritmas iu ka dalë në pritë i akuzuari Ragip Gashi, me revole në dorë dhe me dashje që ta privojë nga jeta, ka shtënë në drejtim të tani të ndjerës, të cilën e kishte qëlluar me dy plumba, me ç’ rast ajo ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Prokuroria pretendon se nga të shtënat me armë është goditur edhe një veturë, e cila ndodhej e parkuar në vendin e ngjarjes.

Në aktakuzë pretendohet se me datën, kohën dhe vendin e njëjtë, i akuzuari Ragip Gashi, pasi kryen veprën e lartcekur penale, në mënyrë dinake i afrohet mikut të tij – të dëmtuarit Xhevdet Hetemi dhe me dashje që ta privojë nga jeta, ka shtënë me armën e njëjtë dy herë në drejtim të tij.

Me këtë rast, sipas aktakuzës, të dëmtuarin e qëllon dy herë me plumba në trup, duke i shkaktuar plagë të rënda trupore, të rrezikshme për jetën, ku të gjitha kualifikohen si lëndime të rënda trupore, me mundësi të pasojave të përhershme për shëndetin.

Me këtë, prokuroria pretendon, se i akuzuari, ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”.

Prokuroria e ngarkon të akuzuarin edhe me veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Kjo sepse, sipas prokurorisë, prej datës së pavërtetuar e deri më datën 21 dhjetor 2016, në shtëpinë e tij në Prishtinë, i akuzuari, ka mbajtur në pronësi dhe kontroll armë, në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, të cilën armë e ka përdorë në mënyrën e përshkruar si në aktakuzë. /BetimipërDrejtësi

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart