“I dënuar në Itali dhe Maqedoni”, prokuroria nis hetimet për kryebashkiakun socialist


Gazeta Express
12 Shtator 2019 9:39

Prokuroria e përgjithshme ka nisur verifikimet për kryebashkiakun e Vaut të Dejës, Mark Babani, i cili u akuzua dy ditë më parë nga Partia Demokratike se ka ndërruar 3 herë emrin dhe se ka fshehur dënime të marra jashtë vendit.

Vetë Babani i ka mohuar akuzat, duke thënë se në jetën e tij nuk ka marrë asnjë gjobë makinash, jo më dënime të tjera, të cilat pretendohen nga Partia Demokratike.

“Ai dyshohet se ka qenë i arrestuar/ndaluar në Itali gjatë periudhës 1994 -1999 dhe, më pas, ndaj tij është marrë masa e dënimit dhe dëbimit nga autoritetet përgjegjëse italiane. Nga ana tjetër, të dhëna të bëra publike më parë tregojnë se ai ka qenë i arrestuar/ndaluar dhe më pas dënuar edhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut gjatë periudhës 2002-2003.”, denonconte PD, ndërsa shtonte më tej se: Në Formularin e Vetëdeklarimit shtetasi Mark Babani ka deklaruar se ka mbajur identitetin e ndryshuar Mark Ndoc Babaj, i datëlindjes 24.12.1966.

Ekzistojnë dyshime të arsyeshme sipas indicieve të bëra publike më parë, se ky shtetas, gjithashtu në mënyrë ilegale ka mbajtur edhe disa identitete të tjera, të padeklaruara në Formularin e Dekriminalizimit, si më poshtë:

  1. Mark Ndoc Babani, i datëlindjes 24.12.1965
  2. Marq Saimir Babaj, i datëlindjes 11.06.1967
  3. Ylli Saimir Babaj, i datëlindjes 02.11.1968”.

Babani bëhet kryebashkiaku i tretë i zgjedhur nga PS që merret nën hetim nga Prokuroria, pas Agim Kajmakut të Vorës dhe Valdrin Pjetrit në Shkodër.

“Nuk i di pretendimet se jam në punë, por jam i gatshëm të sqaroj çdo gjë. Jam Mark Babani i lindur me 24 dhjetor 1966. Fisi jonë jemi me mbiemrin Babaj, por në shkollë të gjithë kushërinjtë dhe njerëzit e mi e kemi kthyer Babani. Kështu jam regjistruar në klasën e parë. Kam mbaruar shkollën e mesme, kam mbaruar ushtrinë në Tiranë, kam qenë sportist në klubin Vllaznia për tre vjet, si Mark Babani. Kur kam shkuar në Itali me 6 mars të 1991 jam regjistruar Mark Babani i datëlindjes 24 dhjetor 1966.

Momentin e parë kur kemi marrë permesot e sonxhornos në Itali, një grup i zonës sonë, në prill-maj të 1991 në Siçili, kam filluar punë në një fabrikë peshku në fund të ’91, shtator-tetor. Kam punuar për tre vjet deri në ’94. Punoja në dy punë, edhe në një hotel. Jam larguar nga Italia në 1995, me fabrikën që punoja kemi bërë një investim në Shëngjin të Lezhës. Kjo pjesë nuk ka lidhje me mua dhe jetën time, më vjen shumë turp që i dëgjoj këto fjalë. Kam luftuar të gjithë jetën time me qenë një shqiptar model. Gjithë jetën unë, babai im dhe gjyshi im nuk i ka bërë kush 24 orë burg.”- u shpreh Babani

Te fundit


Kthehu lart