I burgosuri në Fushë – Krujë prej 23 ditësh në grevë, ky është shkaku


Gazeta Express
19 Mars 2019 20:47

Verdi Morava, një nga 9 myslimanët e dënuar për rekrutim dhe dërgim të besimtarëve shqiptarë në Siri ndodhet prej 23 ditësh në grevë urie në burgun e Sigurisë së Lartë në Fushë Krujë.

Shkak është bërë mosdhënia e lejese shpërblyese prej 20 ditësh në vit për të takuar familjarët e tij.

Denoncimin e solli mbrëmjen e sotme emisioni investigativ “BOOM” në Tv Ora. Morava kishte telefonuar në tetor të vitit 2018 redaksinë e emisionit.

Ai është dënuar 10 vite burg, dhe sipas ligjeve në fuqi pas të kryejë gjysmën e dënimit ka mundësinë të përfitojë lejen shpërblyese 20 ditë në vit për të takuar familjarët.
Pretendimet e Verdi Moravës janë se leja nuk i jepet pa asnjë shkak ligjor.

Verdi Morava: Ju telefonoj nga burgu i Fushë Krujës, jam dënuar me 10 vjet burg. Kam kaluar 6 vjet dënim. Ju mora sepse ka një vit që më takon të dal nga institucioni me leje shpërblyese. Janë 20 ditë në vit dhe kjo jepet çdo tre muaj. Që në nëntor të vitit të kaluar, pra 11 muaj që i kam kërkuar Ministrisë, personalisht Ministres së Drejtësisë, e cila pas disa muajve autorizoi Drejtorin e Përgjithshëm që u shkarkua pastaj, Arben Çukon.

Unë plotësoj të gjitha kriteret që duhen për të marrë këtë leje. Në dyshimet e mia të arsyeshme në bazë të asaj që flitet mund të mendoj që është çështje korrupsioni. Për çdo gjë në Shqipëri duhet të paguash, këtu duhet të paguash për të marrë të drejtën tënde. Mesa di unë paguhet 100-150 euro në ditë. Ajo që kërkoj është një interesim nga ana juaj për të kontaktuar Drejtorin e Përgjithshëm për rastin tim, pse nuk më japin këtë leje shpërblyese.

Çfarë thotë ligji?

“BOOM” bëri kërkimet e tij për të parë nëse kjo leje është e bazuar në ligj dhe rezulton se në bazë të ligjit nr 8328, neni 59 pika b citohet se “lejet shpërblyese i jepen personave të dënuar nga 3 deri në 10 vjet burgim pasi të kenë kryer jo më pak se gjysmën e dënimit”.

Në rastin konkret Verdi Morava ka kryer 6 vite vuajtje dënimi, pra më shumë se gjymën e dënimit, pra ligjërisht ka të drejtë për të kërkuar leje.

Dielli Morava: Kanë premtuar jo nesër, jo pasnesër. Deri tani kanë gënjyer. Asnjë përgjigje as djalit dhe as mua.

Së bashku me babain e Verdi Moravës, Dielli Morava, gazetarja e “BOOM” ishte në Drejtorinë e Pergjithshme të Burgjeve për të pyetur se cilat janë arsyet që nuk i jepet leja, pasi Ministria e Drejtësisë ia jep këtë kompetencë Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.

Në takimin me këshilltarin e ish-drejtorit Stefan Çipa në nëntor të 2018, ai sqaroi se do ta shikojë këtë çështje me përparësi.

Dielli Morava: Këshilltari i ri i Drejtorit të Përgjithshëm që ka ardhur më la përshtypje nga më të mirat për momentin. Nuk e di sesi do të ndiqet. Vlerësimin e plotë do ta bëj pasi të na japin një përgjigje në respekt të ligjit, asgjë më tepër.

Por kërkesa e Verdi Moravës nuk mori as zgjidhje dhe as përgjigje.

I ndodhur në këto kushte, në 25 shkurt 2019 Verdi ka nisur grevën e urisë. Sot është në ditën e 23 të grevës, dhe po mbijeton vetëm me ujë.

“BOOM” së bashku me babain e Verdit ishte në burgun e Fushë Krujës, ku ai vuan dënimin.

Dielli Morava: Ka rreth një vit e gjysmë që po kërkon lejen shpërblyese të cilën në bazë të ligjit i takon. Institucioni i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve nuk ja ka dhënë. E drejta e tij është të vijë pranë familjes për shumë arsye, të qëndrojë disa ditë dhe të kthehet përsëri.Kërkon një përgjigje qoftë edhe për refuzimin dhe cilat janë arsyet.

Aty gazetarja takoi drejtorin e burgut por nuk mori dot asnjë informacion për gjendjen e tij shëndetësore, pasi duhet marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Kjo e fundit kërkoi që kërkesa ti drejtohet me email pasi Drejtori nuk mund të presë gazetaren.

Janë 3 Drejtorë Burgjesh që janë njohur me këtë çështje dhe askush nuk i ka kthyer një përgjigje zyrtare kërkesave të përsëritura.

Te fundit


Kthehu lart