Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka dalur me një komunikatë pas lajmit se personi i arrestuar rreth avullimit të 2 milionë eurove nga Ministria e Financave vjen nga kjo komunë.
I dyshuari në fjalë ka një foto të postuar me Lladrovcin, e ky i fundit e ka përfshirë edhe sqarimin për këtë fotografi në reagimin e tij.
“Lajm befasues se është paraburgosur ish drejtori i liruar nga departamenti i Buxhetit dhe Financave, për gati 9 muaj në komunën e Drenasit. Puna e tij në komunën tonë, gjatë vitit 2018, ka qenë e lidhur me përvojën e tij në Ministrinë e Financave, ndërsa ndërprerja e marrëdhënies së punës në Komunë, ka qenë për shkaqe personale.”, thotë ai.
“Fotografia ime e publikuar nëpër media bashkë me z. Gruda, është fotografi gjatë dëgjimeve buxhetore, pra, nuk është e lidhur me aktivitetet partiake. Lidhja e emrit të tij me punën në komunë gati nëntëmujore në Drenas dhe si anëtar i PDK-së, është e pavërtetë. Nga dita e largimit të tij nga komuna, ai nuk kishte asnjë qasje profesionale as përgjegjësi. Besimi ndaj organeve të gjurmimit, hetimit dhe zbatimit të drejtësisë, është e paluhatshme!”, shton ai. /Express/