I akuzuari serb për vrasjen e civilëve shqiptarë arratiset në Serbi


Gazeta Express
20 Mars 2019 15:06

Momçillo Jovanoviq, i akuzuar për krime lufte ndaj popullatës shqiptare në Vitomiricë të Pejës, është arratisur nga Kosova. Gjykata Themelore e Pejës, tashmë ka lëshuar urdhërarrest, mirëpo pritet që së shpejti të lëshojë edhe letër rreshtim vendor.

Morena Kokollari

Gjykata Themelore e Pejës pritet të lëshojë letër rreshtim vendor ndaj Momçillo Jovanoviq, i cili besohet se është arratisur nga Kosova.

Zëdhënësja për informim në Gjykatën Themelore të Pejës, Tringa Zhuti, ka thënë për Express se seanca gjyqësore ndaj të pandehurit Momçillo Jovanoviq, ka pasur të mbahet sot në këtë gjykatë por, në seancë nuk kanë qenë as i pandehuri e as mbrojtësi i tij.

“Gjykata ndaj të pandehurit ka lëshuar urdhërarrest dhe nga raporti policor është informuar se i pandehuri nuk gjendet në adresën e dhënë”, ka thënë Zhuti.

Edhe gjyqtari i rastit, Sali Berisha, e konfirmoi për Express se ndaj Momçillo Jovanoviqit është lëshuar urdhërarrest vendor dhe ndaj tij shpejt do të lëshohet edhe letërrreshtim vendor.

E nga Gjykata Themelore e Pejës, Zhuti tha se seanca është shtyrë për afat të pacaktuar.

Krejt kjo ndodhi, pasi Jovanoviq nga masa e paraburgimit doli në masën e lajmërimit në stacionin policor, e cila ia mundësoi atij të shkojë në Serbi dhe të mos kthehet më.

Jovanoviq kishte qëndruar në paraburgim, më pas në arrest shtëpiak dhe në fund kjo masë iu zëvendësua me masën e lajmërimit në stacion policor.

Për këtë gjyqtari tha se pasi atij iu ndërpre arresti shtëpiak për t’iu zëvendësuar me masën tjetër, personi në fjalë ka shkuar në Serbi dhe nuk është kthyer më.

Sipas Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, letër rreshtimi vendor mund të urdhërohet kur i pandehuri gjendet në arrati, e kundër të cilit tashmë ka filluar procedura penale.

Prokuroria Speciale e Kosovës akuzon Momçillo Jovanoviqin se ka qenë pjesë e grupit të civilëve të armatosur dhe rezervist i armatës, të cilët në kohë të luftës në Kosovë, ishin furnizuar me armë nga armata jugosllave.

Ai akuzohet se ka ndërmarrë veprime të krimeve të luftës në periudhën 24 mars 1999 deri më 12 qershor të po të njëjtit vit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, thuhet se Jovanociq ka shkatërruar prona private dhe ka vrarë civilët shqiptarë Bardh Aliu, Miradije Grabovci dhe Xhafer Grabovci.

Këto veprime, sipas prokurorisë janë kryer në bashkëkryerje me persona të tjerë, por ende të pa identifikuar.

Ai gjithashtu akuzohet se në vitin 1998, në një pikë kontrolli gjatë muajve gusht dhe shtator, kishte kërcënuar me automatik në fyt Shaban Sadikun, dhe nuk e kishte lejuar që të shkonte ta vizitonte gruan e sëmurë./Express/

Te fundit


Kthehu lart