Humolli që u largua nga Haradinaj për shkak të demarkacionit e vlerëson aktin e dorëheqjes


Gazeta Express
22 Korrik 2019 16:28

Një nga komandantët e UÇK-së në Zonën Operative të Llapit, Fatmir Humolli dhe ish-kryetari i AAK-së në Podujevë ka folur për Express lidhur me dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga posti i Kryeministrit dhe ftesën e Gjykatës Speciale. Sipas Humollit, Gjykata Speciale është krijuar për të mos vënë drejtësi.  Humolli ka qenë kryetar i AAK-së në Podujevë, por kishte dhënë dorëheqje nga ky post vitin e kaluar, pasi nuk ishte pajtuar me qëndrimet e liderit të kësaj partie lidhur ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi.

Ish-anëtari i Lëvizjes Kosovare për Çlirimin e Kosovës(LKÇK) kishte garuar me AAK-në për të parin e Podujevës. Humolli kishte dhënë dorëheqje nga partia e Haradinajt, pasi sipas tij Kryetari Haradinaj nuk i kishte mbajtur fjalët e tij për Demarkacionin dhe Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Humolli është shprehur se dorëheqja e Haradinajt nga posti i Kryeministrit  është respektim i shtetit dhe i logjikës institucionale.

“Akti i dorëheqjes së Ramushit është respektim i shtetit dhe i logjikës institucionale dhe e vlerësoj prej akteve shumë të drejta të tij”.

Fatmir Humolli tha për Gazetën Express se Gjykata e Hagës nuk është gjykatë për me vënë drejtësi andaj nuk do të jenë befasi edhe ftesat e tjera për ish-komandantët e UÇK-së.

“Gjykata e Hagës është gjykatë politike, nuk është gjykatë për me vënë drejtësi dhe mendoj që është befasi nëse ftohen edhe pushtetarë të tjerë, me qëllimin e vetëm me ç’orientu politikën e Kosovës në raport me politikën ndërkombëtare”.

Humolli ka thënë se ftesat e Gjykatës Speciale janë pasojë e politikës naive kosovare.

“Këto janë pasojat e klasës politike naive të cilët kanë pranuar presionin e politikës ndërkombëtare duke votuar Gjykatën Speciale. Kjo gjykatë është me ofendu luftën çlirimtare të Kosovës dhe nderin e kombin shqiptar në arenën ndërkombëtare”.

Humolli ka thënë se Evropa është orientuar në politika kundër shqiptarëve.

“Vet mos liberalizimi i vizave tregon se Evropa është e orientuar në masë të madhe kundër shqiptarëve” është shprehur ish-komandanti i UÇK-së.

Kryetari i AAK-së dhe ish-Komandanti i UÇK-së, Ramush Haradinaj dha dorëheqje të premten dy muaj pa i mbushur dy vite të Qeverisë së ndërtuar nga AAK, PDK, NISMA e AKR.

Haradinaj dha dorëheqje pasi tha se i erdhi ftesa nga Gjykata Speciale, e cila është krijuar për t’i ndjekur ish-udhëheqësit e UÇK-së të dyshuar se kanë kryer krime lufte.

Udhëheqësi i partisë së pestë në Kosovë mbeti i vetëm në luftën për të mbrojtur taksën e vendosur kundër Serbisë. Ndërsa, ishte kundër prekjes së kufijve, një temë kjo e përkrahur nga Hashim Thaçi.

Haradinaj ka kërkuar të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe t’i kthehet vendimmarrja popullit. PDK ka mbetur e hutuar nga ky vendim. LDK e Vetëvendosje kanë kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme sikurse edhe PSD e NISMA e Fatmir Limajt.

Presidenti pritet gjatë ditëve të thërras partitë politike për t’u konsultuar për dy opsionet: themelimin e një Qeverie të re ose shkuarjen në zgjedhje. /GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart