Humbja e milionave nga “gabimet” e drejtësisë


Gazeta Express
17 Mars 2019 14:51

Për shkak aktakuzave të pabazuara dhe vendimeve gjyqësore të kontestuara, qindra qytetarë të Kosovës privohen nga liria. Por, çdo prangosje e personave pa një bazë të fortë të fakteve, i kushton shtetit të Kosovës, i cili mund të humb miliona euro si pasojë e gabimeve të prokurorëve apo gjykatësve.

Emisioni “Betimi për Drejtësi” thekson se qindra mijëra euro për çdo vit u kompensohen personave ndaj të cilëve janë caktuar masa të sigurisë e janë zhvilluar procese gjyqësore, por që në fund janë shpallur të pafajshëm. Sipas këtij hulumtimi, ata që marrin një epilog të tillë gjyqësor, më pas kërkojnë kompensim nga shteti i Kosovës, konkretisht nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Mirëpo, në rastet kur në këto procese gjyqësore akuzohen njerëz të profilit të lartë, humbjet mund të jenë edhe më të mëdha.

Vetëm në dy raste, kërkesat për kompensim kanë prekur shifrat rreth 10 milionë euro. Për rastin “Kleçka”, në të cilin ish-komandanti i UÇK-së, Fatmir Limaj, tash zëvendëskryeministër i Kosovës, akuzohej për krime lufte, ka kërkuar shtatë milionë euro kompensim dëmi, pasi është shpallur i pafajshëm. Një shumë të tillë, ai e ka kërkuar për qëndrimin në paraburgim dhe arrest shtëpiak, si dhe për ballafaqim, siç e ka quajtur ai, të padrejtë me një proces të gjatë gjyqësor.

Kompensim financiar ka kërkuar edhe Sami Lushtaku, ish-komandat i UÇK-së dhe ish-kryetar i Komunës së Skenderajt, i cili gjithashtu ishte shpallur i pafajshëm në rastin e njohur si “Drenica”, e ku akuzohej për krime lufte. Që nga koha e arrestimit dhe mbajtjes së proceseve gjyqësore, Lushtaku mbi katër vjet ka qëndruar në burg. Për qëndrimin e tij në burg, ai në nëntor të vitit 2018 kishte bërë kërkesë në KGJK për kompensimin e dëmit në shumë prej 1.4 milion euro. Bazuar në raportet zyrtare të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, dukuria e arrestimit, paraburgimit apo dënimit pa arsye është vazhdimisht në rritje. Sipas raportit zyrtar të KGJK-së, Komisioni për Kompensim Dëmi për Personat e Dënuar ose të Arrestuar pa Arsye, gjatë vitit 2016 për burgim të padrejtë ka kompensuar 100 persona, në shumë totale prej 368.121,00 euro.

Ky numër ishte rritur në vitin 2017. Sipas raportit zyrtar të KGJK-së për vitin 2017, nga komisioni përkatës i KGJK-së ishin kompensuar gjithsej 153 raste, në shumë totale prej 385.470,30 euro. (E lexoj: Rreth 390 mijë euro) Kurse, bazuar në të dhënat që “Betimi për Drejtësi” ka siguruar nga KGJK-ja, gjatë vitit të kaluar janë kompensuar gjithsej 185 persona, në shumë totale prej 463.353,24 euro. Të gjithë këto kërkesa të aprovuara për kompensim dëmi, kanë ardhur pas dështimit të një numri të madh të aktakuzave të ngritura ndaj tyre.

Për personat që janë arrestuar, janë paraburgosur, apo janë dënuar, por që në fazat e mëvonshme janë shpallur të pafajshëm, Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, u mundësojnë atyre të kërkojnë kompensim dëmi. Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e drejta e lirisë dhe e sigurisë është e garantuar për secilin qytetar. Ndër të tjera, ajo mund të kufizohet për dyshim të bazuar për kryerje të veprës penale, vetëm kur privimi nga liria me një bazë të arsyeshme konsiderohet i domosdoshëm për të parandaluar kryerjen e një vepre tjetër penale dhe vetëm për një periudhë të shkurtër kohore para gjykimit në mënyrën e përcaktuar me ligj.

Pikërisht, numri i madh i rasteve të personave të arrestuar, mbajtur në paraburgim apo të dënuar pa arsye, cilësohet si shkelje e kësaj të drejte. Por, që shtetit të Kosovës po i kushtojnë këto lëshime, një dukuri e tillë është cilësuar si shqetësuese edhe nga vet krerët e institucioneve të drejtësisë në vend. Një çështje e tillë, ishte diskutuar edhe në takimin që KGJK-ja e kishte mbajtur më 1 mars të vitit të kaluar, ku statistikat e kompensimeve ishin vlerësuar si shqetësuese dhe ishte kërkuar që të merren masa konkrete. Për më tepër ndiqeni hulumtimin e plotë në vegzën në vazhdim.

Te fundit


Kthehu lart