Humanitas


Gazeta Express
10 Mars 2019 11:54

«Jam njeri, asgjë që ka të bëjë me njerëzit nuk është e huaj për mua». Kjo është formula e dhembshurisë si të tillë, jo e interesit, egos, manipulimit dhe hipokrizisë. Bashkëndjenja është virtyti njerëzor që ka ekzistuar para dhe përtej karitasit, mëshirës religjioze. Nuk do të kesh asnjë përfitim, kurdoqoftë. Qëllimi është t’ia lehtësosh tjetrit vuajtjen. E gjithë kjo thjesht zbulon natyrën tonë, të qenit njeri. Vetëm kaq.

Kosova është, ende, një vend pa një sistem social që do t’ia ofronte kujdesin e duhur asaj pjese të shoqërisë në nevojë ekzistenciale urgjente ose pothuajse. Me fjalë të tjera, është detyrë e shtetit ta “vrasë” nevojën që nga gjiri i tij të dalin shpëtimtarë të tjerë. Kur dështon ta arrijë këtë, atëherë, ndonjëherë për të mirë e ndoshta më shumë për të keq, nxjerrin kokën shpëtimtarët, (të vetë)shpallur shenjtorë a humanistë, sidomos ata të kampit religjioz.

Për mua është paksa edhe ironik ky dështim. Sepse, hiç më shumë se njëzet vjet më parë, vende nga e gjithë bota qenë ngrehur në këmbë të mishëroheshin me atë kujdes ndaj nevojtarit, pa asnjë interes, thjesht për të vënë drejtësi. Jo që ata nevojtarë të ndiheshin rehat në të qenit të ndihmuar, por që t’i merrnin këmbët dhe të ndërtonin një të ardhme në të cilën do të kujdeseshin për vetveten. Fatkeqësisht, Kosova u qeveris për tërë këto vite nga keqbërës të të gjitha animeve politike, kriminelë lufte e paqeje, skajshmërisht të pamëshirshëm në egon, papërgjegjësinë dhe arrogancën e tyre. Për rrjedhojë, tash dalin individë të caktuar ta luajnë rolin e shpëtimtarit.

Dështimi i shtetit është tragjik. Do të thotë se nuk ka mundur ta realizojë njërin prej kushteve parësore të veta, drejtësinë. Të pasurit e një strehe dhe mirëqenieje është një e drejtë. Schopenhaueri, te ‘Fundamenti i moralit’, thotë: «Drejtësia është virtyti i parë dhe fundamental themelor. Të gjithë filozofët e antikitetit e kanë njohur si të tillë, megjithatë i kanë koordinuar pranë tij tri virtyte të tjera… Mirëpo, nuk e kanë zgjedhur si virtyt dashurinë ndaj të afërmit, caritas-in, agàpe-n (dashurinë vëllazërore). Edhe Platoni… e ka konsideruar si virtyt vetëm drejtësinë spontane dhe pa interes».

Dështimi i shtetit, më tej, pra është krim. Përfaqësuesit tanë politikë janë autorët e krimit, s’do mend. Por, nuk do të na ndihmojë asgjë të strukemi në strofullin e viktimës.

***

«Homo sum, humani nihil a me alienum puto». Me këto fjalë përmblidhet në latinisht gjeneza e nocionit ‘humanitas’. I thotë një personazh i Terencit, te “Heautontimorumenos” (Ndëshkuesi i vetvetes). Pra, «Jam njeri, asgjë që ka të bëjë me njerëzit nuk është e huaj për mua».

***

Pavarësisht kësaj që u tha më sipër, është përherë e “palejueshme” të kesh qëndrim kritik ndaj atyre që (do të) marrin rolin e atij shpëtimtari, shenjtori, humanisti. Nevojtarët janë të shumtë, përkrahësit dhe adhuruesit e verbër të tyre edhe më të shumtë dhe çdo dyshim ndaj të bëmave të tyre është i pafalshëm. Nevojtarët tashmë i kanë çuar duart nga kujdestari i tyre i vërtetë dhe më i sigurt, shteti, për të gjetur një lloj shpëtimi, kalimtar e ndoshta edhe të rremë, te shpëtimtari i vetëshpallur, individi. Në njëfarë mënyre, edhe vetë ty të bëhet se mos rastësisht po ngatërrohesh në një gjë ku sigurisht mund të kesh të drejtë, por po ashtu mund të shkaktosh, në mënyrë të pandreqshme, pa dashje, edhe dhimbje e mllef.

Një shembull tipik i kësaj, kohës së fundit, është ai i Halil Kastratit, të cilit adhuruesit nuk kursehen fare t’ia ngjeshin epitetin e humanistit. Në të vërtetë, të cilin nuk guxon ta kritikosh, sepse menjëherë një luzmë e paanë “ushtarësh” të rrjeteve sociale e më shumë se aq të hidhen në qafë. Të bëjnë copa-copa.

Po çfarë ka për t’u kritikuar në veprimet e tij?

Mbi të gjitha, maskimi i animit religjioz, bindjeve të tij personale, me aurën e humanitetit. Mund të jetë jo qëllimkeq, por është keqbërës. Për këtë është për t’u debatuar dhe për këtë është për t’u kritikuar. Dhembshuria nuk rrjedh nga besimi, por nga natyra jonë njerëzore. Ekziston përtej çdo besimi dhe çfarëdo ideologjie. Për këtë, çdo përpjekje për ta manifestuar besimin personal në aktivitete të tilla është imponim dhe propagandim i besimit personal. Është sulm mbi bindjet dhe besimet e të tjerëve.

Një ilustrim për ta kuptuar më mirë Kastratin është Labinot Tahiri. Ky zotëria, para se të përfundonte (aty ku synonte që në nismë) deputet i Kuvendit të Kosovës, merrej me veprimtari (të cilësuara prej vetë tij) humanitare. Duke i përcjellë të gjitha veprimet e veta me besimin e vet. Me ilahi e turbofolk. E hiç më larg se dje bëri një postim, në pak rreshta me plot gabime drejtshkrimore e mangësi kuptimore, në të cilin shfaqi, pa fije turpi, dy elemente të personalitetit të tij: hipokrizinë dhe racizmin. Hipokrizinë, sepse përmes rrjetit social i trumbeton botës se do t’ia japë një të riu në hall 500 euro nga rroga e vet, kur gjithë këtë (siç do të bënte një humanist) mund ta bënte në një mënyrë të fshehtë, pa rënë në sy dhe pa asnjë interes. Pse duhet ta marrin vesh të tjerët se do ta ndihmosh dikë? Pse duhet të thuash publikisht se gjoja po e ndan rrogën tënde me dikë? Racizmin, sepse u kërkon të gjithë shqiptarëve t’i përqeshin njerëzit me ngjyrë, duke iu referuar me terma ofendues, politikisht jo korrekt. Një deputet i Kuvendit të Kosovës, që e quan veten humanist (si Halil Kastrati), manifeston racizmin e vet publikisht dhe i vetëkënaqur. Si mund të jetë humanist një njeri kaq i pashpirt dhe i pagdhendur?

***

T’i bëhet e vështirë apo e pamundur ta ruajë dinjitetin atij që është në vështirësi është sjellje e papranueshme. Edhe kur bëhet pa qëllim të keq. Një i skamur ka nevojë të përfitojë nga ndihma, bamirësia apo çkadoqoftë, por jo edhe në të njëjtën kohë t’i ekspozohet mbulimit medial, këmbimi i çfarëdoshëm, përveç nëse e kërkon vetë dhe  gjithsesi nuk është në kundërshtim me ligjin. Në çdo rast tjetër, mendoj, është manipulim dhe përçmim i gjendjes së tij.

Edhe mjerimi është privatësi. Thelbi i humanitetit është pikërisht ky: ta ndihmojë atë që është në nevojë, pa bujë dhe pa vetëkënaqësi. Sidomos pa i përzier në gjithë atë ndërmarrje bindjet politike, fetare, apo çfarëdo qoftë.

Manifestimi i bindjeve fetare duke e shndërruar të bëmën në një propagandim ideologjik është shkelje e të drejtave.

Po qe se i sheh paraqitjet publike të Kastratit, e vëren këtë tendencë; herë të dhënë haptas e herë me maskime të ndryshme. Pa dashur të rëndoj me ndonjë gjykim mbi ndjenjat e tij, përlotja nëpër video, duke i përdorur nevojtarët në to me qëllimin e fundmë që ta mbivërë veten si një shpëtimtar, është manipulim i pafalshëm dhe hipokrizi e qartë.

Siç e thashë më lart, mbulimi medial propagandistik i tillë më shumë se sensibilizim i të tjerëve është ekspozim egoistik i vetë të vetëquajturit humanist. Për ta imponuar veten, në emër të të tjerëve. Për më keq, në këtë shkulm errësire fetare, përmes ilahive.

Me gjasë, edhe ky, si bashkëfetari i tij L. Tahiri, po e përdor fenë dhe mjerimin e njerëzve për të arritur deri te posti i deputetit, ose më shumë se aq. Me këtë, sigurisht, nuk është as më pak as më shumë i pamoralshëm e hipokrit se sa politikanët (ateistë) që e kanë përdorur nacionalizmin dhe mjerimin e qytetarëve për t’i arritur qëllimet e veta.

***

«Jam njeri, asgjë që ka të bëjë me njerëzit nuk është e huaj për mua». Kjo është formula e dhembshurisë si të tillë, jo e interesit, egos, manipulimit dhe hipokrizisë. Bashkëndjenja është virtyti human që ka ekzistuar para dhe përtej karitasit, mëshirës religjioze. Nuk do të kesh asnjë përfitim, kurdoqoftë. Qëllimi është t’ia lehtësosh tjetrit vuajtjen. I shtyrë jo nga frika e Zotit, shpërblimi në botën e tashme a të përtejme, por nga të qenit njeri. E gjithë kjo thjesht zbulon natyrën tonë, të qenit njeri. Vetëm kaq.

Te fundit


Kthehu lart