Hudson-Odoi e do fanellën me numër dhjetë të Hazardit në Chelsea


Gazeta Express
15 Maj 2019 12:14

Callum Hudson-Odoi dëshirën të qëndrojë në Chelsea, veçanërisht pasi që Chelsea i ka premtuar se do të bëhet lojtari kryesor i skuadrës nëse Eden Hazardi largohet gjatë afatit kalimtar të verës, kur pritet të transferohet në Real Madrid.

Eden Hazardi e konfirmoi në një intervistë pas ndeshjes së fundit të këtij sezoni se ai tashmë e ka marrë vendimin përfundimtar për të ardhmen, mirëpo nuk e zbuloi se cili ishte ky vendim, transmeton Gazeta Express.

Real Madridi ende nuk ka arritur marrëveshje me “The Blues” sa i përket çmimit të yllit belg, pasi që ata po sillen rreth shifrave 100 milionë dhe 130 milionë euro.

Ndërkohë, Chelsea është ende duke tentuar ta mbajë në skuadër Hudson-Odoin, për të cilin Bayern Munichu i kishte bërë katër oferta gjatë afatit kalimtar të janarit. Të gjitha ato oferta u refuzua nga klubi londinez.

Dëshira e 18-vjeçarit për t’u larguar është shuar pasi që Maurizio Sarri ia siguroi atij një vend në formacionin e parë të Chelseat në katër ndeshje radhazi, para se ta lëndonte kyçin e këmbës në ndeshjen kundër Burnleyt në prill.

Ai u bë operacion në Spanjë dhe tani është kthyer në Londër. Hudson-Odoi dëshiron ta vendosë të ardhmen e tij sa më shpejt që të jetë e mundur, mirëpo atij ende nuk i është ofruar kontratë e re nga Chelsea.

Bisedimet për kontratën e re pritet të fillojnë pas finales së Ligës së Evropës, ku Chelsea do të përballet me Arsenalin më 29 maj. Si Bayerni, edhe Chelsea është i gatshëm t’ia ofrojë Hudson-Odoit fanellën e tij të preferuar, me numër dhjetë, e cila është mbajtur nga Eden Hazardi gjatë shtatë sezoneve të fundit. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart