Hoxhaj: Sulmi ndaj gruas rome një akt qyqar, fajtorët të dalin para ligjit - Gazeta Express

Hoxhaj: Sulmi ndaj gruas rome një akt qyqar, fajtorët të dalin para ligjit

Lajme

Gazeta Express

31/05/2019 15:28

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka dënuar ashpër sulmin e ndodhur sot në Ferizaj ndaj gruas së etnitetit rom, duke thënë se fajtorët duhet të dalin para ligjit dhe se viktimës në fjalë duhet t’i ofrohet ndihma e duhur nga institucionet e Republikës së Kosovës.

Ai thotë se është i trishtuar nga një sulm i tillë, të cilin e quan edhe qyqar. 

“I trishtuar nga sulmi i dyfishtë e qyqar ndaj gruas së komunitetit rom të vendit tonë. Kosova është shtet multietnik. Është shtet i të gjithë qytetarëve të saj dhe sulme të tilla janë të patolerueshme. Prandaj u bëj thirrje organeve të drejtësisë që fajtorët të përballen me ligjin dhe zonjës t’i ofrohet ndihma e nevojshme”, ka shkruar Hoxhaj, raporton Gazeta Express.

Kjo është hera e dytë, që gruaja rome sulmohet fizikisht. Herën e parë është sulmuar në qytetin e Lipjanit.

Rreth sulmit të sotëm për Gazetën Express kanë dhënë informacione dhe nga Policia e Kosovës, duke treguar fillimisht se e kishin dërguar në strehimoren e Lipjanit, por gruaja nuk kishte pranuar që të qëndrojë aty./GazetaExpress/