Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të diskutohet në dialogun me Serbinë.
Mbajtja e raundit të radhës të dialogut Kosovë – Serbi, i planifikuar të mbahet më 28 shtator në Bruksel, është vënë në pikëpyetje. Shkak për këtë është raportuar të jetë refuzimi i institucioneve të Prishtinës për të diskutuar për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe.
Por për Hotin, marrëveshja e vitit 2013 është çështje e kryer dhe nuk do të rihapet më, ndërsa ka shtuar se nuk e di nëse takimi i paralajmëruar për 28 shtator do të anulohet, raporton Gazeta Express.
“Kjo temë nuk diskutohet, sepse është e mbyllur me marrëveshjen e vitit 2013 dhe më pastaj marrëveshja tjetër e parimeve më 2015, që në fakt e përmirëson marrëveshjen e vitit 2013. Pra, kjo nuk është temë që hapet në procesin e dialogut. Nuk e di a do të mbahet takimi në Bruksel. Do të shohim në ditët e ardhshme”, ka thënë Hoti.
Ai ka ripërsëritur se Kosova është e angazhuar që ta çojë përpara procesin e dialogut me Serbinë. /Express/