Hoti e Bajrami vizitojnë BQK-në, thonë se do të ofrojnë mbështetje ekonomike deri në fund të dhjetorit - Gazeta Express
string(101) "hoti-e-bajrami-vizitojne-bqk-ne-thone-se-do-te-ofrojne-mbeshtetje-ekonomike-deri-ne-fund-te-dhjetorit"

Hoti e Bajrami vizitojnë BQK-në, thonë se do të ofrojnë mbështetje ekonomike deri në fund të dhjetorit

Gazeta Express

16/11/2020 19:01

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, bashkë me Ministren e Financave, Hykmete Bajrami, kanë vizituar Bankën Qendrore të Kosovës, ku janë pritur nga Guvernatori Fehmi Mehmeti me bashkëpunëtorë.

Hoti ka deklaruar se ndihet mirë për informatat premtuese për stabilitetin e sistemit bankar dhe financiar në vend, me rritje vjetore të aseteve prej rreth 10 për qind në 7.5 miliardë euro, me rritje të kredive në 3 miliardë euro që është rritje prej 7.2 për qind në baza vjetore kur krahasohen me vitin e kaluar, rritje të depozitave gjithashtu prej 11 për qind, që tregon se qytetarët dhe bizneset besojnë në qëndrueshmërinë e sistemit bankar në Kosovë.

Lexo Edhe:

Hoti e Mehmeti kanë biseduar edhe për bashkëpunimin e ngushtë që duhet të ketë Qeveria me Bankën Qendrore të Kosovës në masat e reja për rimëkëmbjen ekonomike nga janari i vitit të ardhshëm.

“Është më se e qartë që ne do të përballemi me këtë pandemi përtej dhjetorit të këtij viti. Deri në fund të dhjetorit ne praktikisht e mbështesim ekonominë e Kosovës me rreth 5 për qind të bruto produktit vendor në kuadër të Fondit për Rimëkëmbjen Ekonomike prej 365 milionë eurove”, tha kryeministri. Ai theksoi se me buxhet është paraparë vazhdimësia e këtij fondi për vitin e ardhshëm  në shumën prej 182 milionë euro si ndihmë për bizneset dhe për qytetarët.

Në takim  u bisedua edhe për ndihmën për Fondin për Garanci Kreditore dhe bashkëpunimin për të ulur numrin e veturave të paregjistruara, në mënyrë që në janar të fillohen bisedat e nevojshme për ta bërë Kosovën pjesë të Kartonit të Gjelbër.