Hospital prezanton ekspozitën “Qytetari i vdekur” të Bujar Sylejmanit


Gazeta Express
13 Nëntor 2019 14:39

Ekspozita rrin e hapur nga 14.11.2019 deri 30.11.2019

Qytetari i Vdekur është ekspozitë e Bujar Sylejmanit në galerinë Hospital në Prishtinë. Përbëhet nga piktura vaji në hekur të ndryshkur, akuarel në letër, skulptura nga hekuri, qymyri, dylli i bletëve dhe bitumi, tekste dhe fotografi me ngjyrë arkivore në letër pa acid. Veprat në letër janë të vendosura brenda kornizave të drurit të llojit qám i patrajtuar prapa xhamit joreflektiv.

Qytetari i vdekur është një kunderargument i mrekullueshëm dhe aspak i dobishëm për establishmentin. Është instalacion i një arti bashkëkohor Kosovar. I hedh poshtë programet e integrimeve, kampanjat e vetëdijësimit dhe historitë gojore. Merret me këtu dhe tash.

Është informues, por s’është didaktik. Edukues, por asnjëherë mediatik. S’është pjellë e luftës, as plaçkë e shtetit.

Në qendër të hapësirës në dysheme shtrihet vepra sartoriale, “Sipas Masës”: një kostum alafranga i prerë, por i paqepur. Në krye të dhomës është një triptik ikonostas me një ikonë ortodokse dhe dy imazhe të fabulave: njëri Indian, tjetri Korean. Vepra titullohet: “Shpalos”.

Muri afër hyrjes së galerisë ka dy fotografi dhe një tekst. Titullohet: “Gjeologjia e Ferrit”. Pak më tej, afër njërit kënd të dhomës është një tekst që përmban një koment/deklaratë nga “Qytetari i Vdekur”. Më tej në paradhomë janë dy akuarele: “Talli” dhe “Kapja”; skena nga libri i lashtë mësimor, Panchatantra. Në fund, grotoja e galerisë u jep strehë dy veprave: “Boshti” dhe “Ëndërra e Borgjezit”. E fundit nga tradita Aramaike, e shoqëruar me tregimin e shkurtër të shkrimtarit argjentinas: “Dy Mbretërit dhe Dy Labirintet”; dhe një koment të artistit.

Qytetari i Vdekur është ekspozitë që, po mori durim dhe kureshtje, krijon hapësirën e diskutimit për llojin e ardhmërisë që e dëshirojmë.

Te fundit


Kthehu lart