Rrëfimi për horrorin në Dardani: “Nanën e gruan t’i rahatova, tash po e rahatoj veten”


Arlena Krivenjeva
22 Prill 2019 19:08

Para se të kryente aktin makabër, Hasan Krasniqi 61-vjeçar, mori vajzën 2-vjeçare të djalit të tij, Kreshnikut dhe e dërgoi te fqinjët. Me tu kthyer në banesë, e pati të qartë atë se çka e kishte ndër mend të bënte. Cak i tij ishte gruaja me të cilën kishte vite që nuk po flisnin, derisa, e vdekur mbeti dhe gruaja e djalit, 27-vjeçarja Remzie Krasniqi. Pas këtij akti makabër, ai telefonoi djalin e tij (Kreshnikun) për t’i thënë vetëm diçka “nanën e gruan t’i rahatova, tash pe rahatoj veten”. Gazeta Express sjell historinë e vrasjes së trefishtë në Prishtinë

Ka disa vite që në familjen Krasniqi kishin filluar problemet, e burim i tyre ishte vetë kryefamiljari, Hasan Krasniqi, 61-vjeçar.

Ish-arsimtari për gati 10 vite, siç deklarojnë familjarët e ata që e kishin njohur nga afër i kishte bërë presion gruas së tij, Hysnijes (të cilën kishte tentuar edhe ta vriste) e katër fëmijëve të tij.

Për një kohë, madje familja kishin qëndruar larg tij, përderisa lajmërimet që disa herë kishin bërë në polici nuk kishin ndikuar që i njëjti të ndryshonte apo të përmirësonte sjelljen.

Ishin bërë katër vite që gruaja e tij, Hysnija, as nuk po fliste me të, teksa po mendonte edhe ndarjen, por, kjo nuk shihej as si opsion për Krasniqin. 60-vjeçaren përveç se e kishte rrahur disa herë, kishte tentuar ta vriste duke e lënë me lëndime trupore.

Pas tentim vrasjes, Hysnije Krasniqi, së bashku me djalin e saj Kreshnikun e gruan e tij, që mbeti e vdekur sot, Remzijen, ishin larguar nga shtëpia, e aty do të ktheheshin pas gjashtë muajve, kur 61-vjeçari do t’ju premtonte se kishte ndryshuar, e nuk do t’i shqetësonte më.

 Asgjë çka kishte premtuar Hasan Krasniqi nuk ndodhi. Problemet në familjen e tij kishin vazhduar deri sot, kur i njëjti me armën që nuk kishte shumë kohë që e kishte blerë do ta vriste së pari gruan e tij, pastaj nusen e djalit (Remzijen) e më vonë edhe veten.

 Çka ndodhi sot?

Sot para orës 12:00, Hysnije Krasniqi, së bashku me Remzijën (gruan e Kreshnikut) e vajzën e tyre dy vjeçare, kishin shkuar për të pirë kafe në lokalin ku punon si kamerier, henbollisti Kreshnik Krasniqi.

Aty do të qëndronin afërsisht 40 minuta, e pas kësaj do të vazhdonin për në banesën e tyre që ndodhet në lagjen “Dardania” saktësisht, afër bustit të Bill Clintonit.

Në banesë do të priteshin nga Hasan Krasniqi, që sipas dyshimeve të para, pas kthimit të tyre kishte pasur një konflikt me gruan e tij që do të përfundonte me vrasje të trefishtë.

Por, para se të kryente vrasjen, 61-vjeçari kishte marrë vajzën e djalit e kishte dërguar te fqinjët. Menjëherë, pasi u kthye, cak e pati gruan e tij, teksa, e vdekur mbeti edhe reja.

Duke folur për Gazetën Express, pronari i lokalit ku punon Kreshniku, ka bërë të ditur se kishte parë familjarët e tij e kishte biseduar me ta pak para se të ndodhte vrasja.

I njëjti ka shpjeguar edhe se si Kreshniku e kishte marrë vesh se i kishin vdekur gruaja edhe nëna. Kjo do të ndodhte pasi që Kreshnik Krasniqi do të merrte një telefonatë nga babai i tij që nuk do të fliste shumë fjalë.

“Nanën e grunë t’i rahatova, tash pe rahatoj edhe veten”, i tha 61-vjecari, djalit të tij, e pak sekonda më vonë ia mori vetes jetën.

“Burri i të ndjerës punon te unë edhe i kam kojshi, edhe nusja edhe nana kenë në lokal gjysmë ore para se me ardh. E ka thirre djalin e vet, hajde se nanën e grunë ti rahatova tash po e rahatoj edhe veten, djali si e ka dëgju ka vrapu menjëherë me djalin tim për në ndërtesë”, thotë ai.

Tutje, ai shton se 61-vjeçari kishte vite që kishte qenë i sëmurë, teksa familjarët shumë herë kishin lajmëruar policinë për rrezikun që ju kanosej.

“Ka qenë i sëmurë. Një vjet e gjysmë kanë dal prej banesës krejt me nanën e me nuse, ai ka jetu vetë, mas një kohe i ka thirrë i ka lut, hajdeni se skemi me pas problem ma shumë”, shton ai.

Rrëfimi i familjes

Vrasja e trefishtë që ndodhi sot në Prishtinë tronditi familjarët që menjëherë dolën në vend të ngjarjes.

Vëllai i Hysnijës (gruas së dorasit) i shqetësuar, duke folur për Gazetën Express tregon se si e mori informacionin për rastin.

“1:33 më ka thirrë djali më ka thanë më ka vra nanën (motrën tem) dhe gruan dhe në fund e ka vra veten. Para se me vra veten, e ka thirrë djalin i ka thanë nanën edhe grunë ta vrava e tash po e vraj edhe veten. Kanë pas probleme edhe ma herët, ai me gjakftofsi pe lajmëron djalin ta vrava nanën edhe grunë. Edhe ma herët kanë pas problem, nuk është e tashtit”, thotë ai.

Ai po shton se ka katër vite që po komunikonte vetëm me motrën e tij, derisa shkaku i sjelljes që kishte nuk komunikonte me personin që kreu krimin.

“Që katër vite vetëm me motrën kam komuniku, 100 herë i ka qit prej shpisë, janë kthy. Ka dalë në pension si invalid, ka marrë pension të invalidit ka thënë që ka problem me sy po në realitet nuk ka qenë ashtu. Edhe njëherë para 1 viti e gjys ka tentu me vra, ka pas gërvishje, e kanë lajmëru policinë, kanë qenë në gjyq gjyqi ka vendos në favor të atij”, shton ai.

Vëllai i të vrarës, po thotë se drejtësia asnjëherë nuk dëgjoi thirrjet e familjes, derisa disa herë e lajmëruan në polici, e kjo nuk ishte e mjaftueshme që të njëjtin ta largonin apo izolonin pasi që e konsideronin si person të rrezikshëm.

Fqinjët

Fqinjët e ata që i njihnin nga afër familjen Krasniqi kanë deklaruar për Gazetën Express se kishte tash e disa vite që kishte probleme të një pas njëshme në shtëpinë  e tyre.

Njëra nga fqinjët është deklaruar se pavarësisht se disa herë kishin shkuar policia në shtëpinë e tyre, nuk kishte ndryshuar situata. Sipas saj kishte dorasi dëgjohej shumë shpesh duke bërë zhurmë e kjo ishte shpeshtuar ditëve të fundit.

Policia e prokuroria

Për vrasjen e trefishtë sot për Gazetën Express kanë folur në Prokurorinë Themelore në Prishtinë e në Policinë e Kosovës.

Derisa fillimisht konfirmuan vrasjen, pak minuta më vonë, në vend të ngjarjes do të deklarohej edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

“Nga informacionet që posedojmë deri më tani fjalë për një vrasje që është cilësuar vrasje e dyshimtë, një person të gjinisë mashkullore të vitit të lindjes 1958, një grua të vitit të lindjes 1959 dhe një grua tjetër të vitit të lindjes 1991. Nga informacionet që i kemi kërkuar bëhet fjalë se fillimisht i dyshuari e ka vrarë gruan e tij e më pas rejën e tij dhe më pas ka bërë vetëvrasje.

Pas më shumë se katër orë prej kur hetuesia qëndroi në banesën e familjes Krasniqi ku ndodhi vrasja makabër , nga aty u nxorrën edhe tre trupat e pajetë.

Në vendin e ngjarjes doli edhe Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka që foli për rastin.

“Motivet ende nuk keni mundur me i marrë siç duhet, vetëm dimë se personi që e ka bërë këtë vepër ka qenë me probleme psikike ose mendore, sipas djalit të tij shpesh herë është kontrolluar në psikiatri”, ka thënë Beka.

“Vëllai i viktimës femër e vitit 59, në një bisedë jashtë kamerave ka thënë se të dy bashkëshortët kane qenë duke ndjekur procedura për shkurorëzim pasi kanë pasur probleme martesore. Ndërsa djali dhe reja e tij nuk kanë qenë duke jetuar në të njëjtën banës”, ka thënë Beka.

Ai gjithashtu tha se dorasi pas vrasjes së gruas së tij dhe rejës ka telefonuar djalin e tij duke i thënë se i ka vrarë nënën dhe gruan.

Trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion./GazetaExpress

Vendi i ngjarjes

Te fundit


Kthehu lart