Holanda e mposht Kamerunin dhe siguron kualifikimin nga grupet e Botërorit


Gazeta Express
15 Qershor 2019 17:15

Futbollistet e Holandës janë kualifikuar në fazën e 1/8 të finales së Kampionatin Botëror të vashave, që po zhvillohet aktualisht në Francë. Holanda e fitoi ndeshjen e grupit kundër Kamerunit me rezultat 3:1, falë ndihmës së Viviane Miedema, e cila i shënoi dy gola.

Holandezet e filluan rrugëtimin në Botëror të martën me fitore me rezultat 1:0 kundër Zelandës së Re. Me gjashtë pikët e fituara nga dy ndeshjet e para të Grupit E, ato e kanë siguruar një vend në mesin e 16 skuadrave më të mira. Të enjten, faza e grupeve do të mbyllet me ndeshjen kundër Kanadasë, transmeton Gazeta Express.

Holanda kaloi në epërsi katër minuta para se të mbyllej pjesa e parë në Stade de Hainaut në Valenciennes falë një goli të shënuar me kokë nga Miedema, e cila tani është golashënuesja më e mirë në histori të Holandës.

Kameruni, që të martën humbi me rezultat 1:0 kundër Kanadasë, u kthyen në lojë dy minuta pasi Holanda e kishte shënuar golin e parë, kur Gabrielle Aboudi e shfrytëzoi një gabim në mbrojtjen e Holandës për ta barazuar rezultatin.

Menjëherë pasi filloi pjesa e dytë e ndeshjes, Dominique Bloodworth ia ktheu epërsinë Holandës nga gjuajtja e lirë, ndërsa pesë minuta para fundit të ndeshjes, Miedema shënoi sërish.

Ndeshja tjetër e grupit E, mes Kanadasë dhe Zelandës së Re, do të zhvillohet të shtunën në mbrëmje, në orën 21:00, në Grenoble. Dy skuadrat e pozicionuara në dy vendet e para të grupit kualifikohet për 1/8 e finales. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart