Hleb: Barça i shiti të dehurit Ronaldinhon dhe Decon për ta mbrojtur Messin


Gazeta Express
27 Qershor 2019 8:42

Alexander Hleb ka pohuar se Barcelona i kishte shitur Ronaldinhon dhe Decon, në mënyrë që ta mbronte Lionel Messin nga ndikimi i tyre, sepse dyshja kishte shkuar shpesh në stërvitje në gjendje të dehur.

Ronaldinho dhe Deco ishin lojtarë të klasit botëror në Barcelonë në kohën kur Messi shpërtheu duke dalë nga akademia e Barçës më 2004 dhe mahniti duke zënë vend në ekipin e parë bashkë përkrah tyre, transmeton Gazeta Express.

Por, braziliani dhe portugezi u shiten në vitin 2008 kur Pep Guardiola e mori drejtimin e skuadrës dhe e ndryshoi atë rrënjësisht, para se të korrte sukses të jashtëzakonshme me klubin katalonas.

Hleb, tani 38 vjeç, i ishte bashkuar Barçës nga Arsenali në vitin që Guardiola e zëvendësoi Frank Rijkaardin në pozitën e trajnerit dhe pohon se i mban në mend sjelljet e këqija të Ronaldinhos dhe Decos.

“Ronaldinho dhe Deco vinin në stërvitje të dehur. Prandaj në vitin 2008 Ronaldinho dhe Deco u shiten. Klubi druhej se ata dy do të ndikonin në Lionel Messin dhe do ta shkatërronin atë,” tha Hleb për V OKA TV.

Edhe pse Hleb ka qenë pjesë e Barcelonës për katër vjet, ai i bëri vetëm 36 paraqitje në të gjitha garat, duke e kaluar shumicën e kohës i huazuar në Stuttgart, Birmingham dhe Wolfsburg, para se të largohej përfundimisht më 2012. /Gazeta Express/  

Te fundit


Kthehu lart