Historia prekëse e vajzës nga Vitia: I mbijetoi operacionit 8-orësh në boshtin kurrizor


Gazeta Express
15 Prill 2019 15:59

18-vjeçarja Mirjeta Hyski, nga Komuna e Vitisë, ka pak ditë që ka dalë nga një operacion që ka zgjatur tetë orë. Ndërhyrja në boshtin kurrizor po ia pamundësonte asaj jetën, ndërkaq, momentalisht gjendja e saj është përmirësuar e pas shumë vitesh ajo ka arritur të qëndrojë drejt, raporton T7.

Gazetare: Arlinda Sejdiu

Para disa muajve, gjithçka çfarë mund të shihnit ishin lotët e Mirjetës, e cila kishte dhimbje të mëdha që po i shkaktoheshin nga sëmundja e skoliozës, deformim i shtyllës kurrizore.

“Ma herët kom pas shumë probleme, kom pas dhimbje d.m.th. s’kom mujt me nejt kurqysh”, ka deklaruar për T7, 18-vjeçarja Mirjeta Hyski.

“HUMAN” kishte raportuar për gjendjen e rëndë të Mirjetës, me ç’rast ajo gjeti shërim duke iu përmirësuar dukshëm deformiteti që kishte. Mirjeta i është nënshtruar një operacioni të rrallë, i cili kishte zgjatur tetë orë.

“Pas operacionit kur jam zgjuar jam ndier shumë e lumtur që e kam kry, gjithçka m’ka shku shumë mirë”, thotë ajo.

Para operacionit, Mirjeta për shkak të deformimit të shtyllës kurrizore nuk mund të drejtohej e as të ecë. Mirëpo, tashmë rri ulur pa problem gjë që nuk mund ta bënte më parë. Edhe për gjërat që i duhen, Mirjeta mund të ecë vetë pa ndihëm e askujt.

“Tash është shumë mirë qysh pe vërej, edhe me ecë shumë mirë…”, shton tutje.

Ajo përgjatë atyre ditëve sa ka qëndruar në klinikë, çdo ditë ka bërë edhe ushtrime fizikale.

Tani që gjendja shëndetësore ka filluar t’i përmirësohet, 18-vjeçarja tregon për frikën që kishte para se të hynte brenda në sallë të operacionit.

 “Kom pas frik, jom tut, por masandej jo”, thotë 18-vjeçarja.

Ajo më tej shton se familja që i qëndroi pranë në momentet e vështira janë të lumtur që pati sukses.

“Janë gëzu shumë, janë të lumtur ata që mkanë pa t’u ecë”.

Për shkak të sëmundjes që kishte, Mirjeta ishte detyruar ta lërë shkollën. Por, pas përmirësimit, ajo thotë se do të fillojë mësimet përsëri.

 “Po kismet, do të vazhdoj.”, shton vajza.

“Mirjeta ishte njëra nga pacientët e cila kur erdhi në spitalin tonë kishte problemin e qëndrimit në këmbë për shkak të deformimit të madh që kishte në shtyllën kurrizore dhe rotacionit që kishte në shtyllën kurrizore dhe për shkak se kraharori i ndeshej me kërcin apo kockën e legenit kishte dhe dhimbje të padurueshme”, ka bërë të ditur Doktor Evren Fehmi Atay specialist i Ortopedisë dhe Traumatologjisë 00311

Fehmi Atay thekson se në këtë rast ka pasur një deformim të formuar ndër vite. Ai tregon më shumë detaje për operacionin.

“Ajo që ne bëmë si pikë kyçe ishte hapja e shtyllës kurrizore, vertebrës dhe rruazave të shtyllës kurrizore dhe vendosja e videove dhe përmirësimi i rotacionit. Kishim të bëjmë me një deformim të formuar ndër vite, i shoqëruar edhe me deformimin e kockave të kraharorit”, shtoi ai.

Për dallim të skoliozave të tjera, te rasti i Mirjetës për të arritur përmirësimin janë detyruar që edhe disa kocka të kraharorit t’i rikonstuktojnë në mënyrë që t’i drejtohet shtylla kurrizore.

Fehmi Atay thekson se tash e tutje Mirjeta mund të vazhdojë aktivitetin normal ditor të saj, ndërsa ajo që i limitohet janë vetëm sportet e rënda pasi sportet e lehta si ecja dhe noti i rekomandohen.

Gjithashtu ajo duhet të vazhdojë edhe kontrollet normale ortopedike. /GazetaExpress

Te fundit


Kthehu lart