Hisja e LDK’së për punësime në Bankën Qendrore të Kosovës


Gazeta Express
20 Mars 2019 19:21

Një vit pas rrëzimit të qeverisë së Isa Mustafës, me mocion mosbesimi, shefi i kabinetit të tij Sokol Havolli, u rikthye në punën e vjetër.

Por, kësaj radhe, me më shumë autoritet dhe kompetenca. Në qershorin e vitit 2018, ai arriti të zgjidhet zëvendësguvernator i BQK-së.

Havolli ishte krahu i djathtë i ish-kryeministrit Mustafa për një kohë të gjatë, ashtu sikurse edhe këshilltar i Kuvendit të Komunës së Prishtinës nga radhët LDK-së.

Por, në fillim të këtij viti, në institucionin kryesor financiar të Kosovës, Havollit iu bashkuan edhe familjarë të tjerë të kolegëve të tij partiakë nga LDK-ja, raporton KTV. 

Në fillim të këtij viti, Igballe Përçuku –Tahiri, u punësua si zyrtare e logjistikës në Bankën Qendrore të Kosovës.

Përçuku –Tahiri, e cila është bashkëshortja e kryetarit të Vushtrrisë, Xhafer Tahirit, deri para pak kohësh, ka punuar në Komunën e Prishtinës, konkretisht në drejtorinë për Shëndetësi.

Guraja e deputetit të LDK-së, Arben Gashi, Zana Gashi punon në BQK për më shumë se një dekadë.

Por, sipas informacioneve që posedon Kohavisioni, ajo së fundi është ngritur në detyrë duke u emëruar drejtoreshë në Departamentit e Makros, pa pasur fare konkurs – as të jashtëm e as të brendshëm.

Në një përgjigje elektronike që ia ka dërguar KTV-së, BQK-ja thotë se të gjithë punonjësit e saj janë punësuar në bazë të konkurseve publike.

“Të gjithë këta punonjës janë punësuar në BQK në bazë të konkurseve publike, i janë nënshtruar testit me shkrim dhe intervistës dhe kanë rezultuar me pikët më të larta në procesin e vlerësimit nga komisionet vlerësuese. Dëshirojmë që edhe një herë të theksojmë se proceset e rekrutimit në BQK zhvillohen në pajtueshmëri të plotë me të gjitha standardet e rekrutimit transparent dhe objektiv,dhe nuk ka vend për ndikime të jashtme”, thuhet në përgjigjen e BQK-së

Kohavisioni ka provuar të vë kontakt me kryetarin e Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, dhe deputetin e LDK-së Arben Gashi, për t’i pyetur nëse kanë përdorur ndikimin e tyre për punësimet dhe gradimet, por ata kanë qenë të paqasshëm.

Telefonatave nuk i është përgjigjur as zëvendësguvernatori Sokol Havolli, ani pse ka premtuar se pas mbledhjes do të lajmërohet.

Zyrtar i mbikëqyrjes financiare, që nga fillimi i këtij viti, është Besim Dema. Dema është dhëndëri i vëllait të ish-kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa. Ai është i martuar me Blerina Mustafën, vajzën e vëllait të ish-kryeministrit të vendit.

Sidoqoftë, Banka Qendrore e Kosovës ka pranuar për Kohavisionin se të gjithë të lartpërmendurit janë pjesë e BQK-së, e disa prej tyre ka thënë se janë në ende në periudhën provuese.

“Prandaj, me këtë rast, dëshirojmë të konfirmojmë se të gjithë personat e përmendur nga ju janë pjesë e personelit të BQK-së dhe i janë bashkangjitur këtij institucioni në saje të përgatitjes së tyre akademike e profesionale, si dhe përvojës që kanë bartur nga institucione të ndryshme. Në kuadër të punonjësve të përmendur nga ju, disa janë ende në periudhë provuese, ndërsa disa tanimë kanë mbi 5 deri në 10 vjet përvojë pune në BQK dhe kanë dhënë kontribut shumë të rëndësishëm në zhvillimin e këtij institucioni”, thuhet në përgjigjen nga Banka Qendrore e Kosovës.

Banka Qendrore e Kosovës është shfrytëzuar kryesisht nga PDK-ja dhe LDK-ja për punësimin e njerëzve të tyre dhe, së fundmi, këtë praktikë e kanë vazhduar edhe AAK-ja e Nisma për Kosovën.

Te fundit


Kthehu lart