HIJEDRITAT E JETËS, Lis Bukuroca


Gazeta Express
27 Mars 2019 20:56

Shkruan: Thanas Jorgji

Hijedritat e jetës i lexova dhe i shijova me kënaqësi të thellë.

Kur mora në dorë librin “Hijedritat e Jetës”, kujtova se ai do ishte një përmbledhje me poezi dashurie, por pasi e lexova pashë se ai përbëhej nga tre korpuse:

Dashuria

Politika

Religioni

Nëse ciklin e poezive për Dashurinë do ta krahasoja me një partiturë muzikore, do të thosha se ky cikël i përmban të gjithë regjistrat e Simfonisë së Dashurisë. Nga ndjenjat më të larta e fisnike e deri tek ato më të ulëtat deri në brutalitet. Nga flladet e puhizat e këndshme fërgëlluese e deri tek plagët e dhimbshme të dashurisë.

E thënë pak më ndryshe, në këtë korpus Lis Bukuroca na jep Universin e Dashurisë në dritë-hijet e tij. Si një Dante Poeti na udhëheq dhe na shoqëron në tre realitetet në të cilët jeton dhe ekziston Dashuria: në Parajsë, në Purgator dhe në Ferr.

Në Parajsën e ciklit gjejmë akuarele poezish me bukuri mahnitëse, ndër të cilët veçoj poemin “Më thuaj e dashura ime” dhe “Më fal, Teuta!” të cilët do t’i bënin nder çdo antologjie me temën e Dashurisë.

Je ti që më do?

Apo jam unë që të pushtoj çdo ditë?

Jam unë që të dua?

Apo je ti që më magjeps çdo ditë?

(“Më thuaj, e dashura ime”)

Ja edhe një etyd tjetër dashurie:

Faleminderit që në jetën time hyre e dole krenare

Qafëgjatë e ëmbëlake plot hir si sorkadhe

Dashuritë nuk fshihen, vonë këtë e kam nxënë

Mijëra fjalë që janë dhe kanë ngelur pa u thënë

(“Më fal Teuta”)

Poezi pas poezie, shkallë pas shkalle, Poeti na zbret nga “qielli i shtatë” i Parajsës në qiej më të ulët, në Purgatorin e Dashurisë ku tashmë nuk shohim dashuritë ideale me përjetime fine për të zgjedhurën e zemrës, por shohim një realitet të ashpër, remineshencat e të cilit ekzistojnë ende, herë të fshehura, herë haptas, midis nesh dhe para syve tanë.

Në kohën kur u linda unë

Martesa e tyre nuk ishte dashuri

Takimi i parë në krevat, ora njëzet e një

Në orën njëzet e një e pesë: seks

Ndërzimi i detyrueshëm

Dhe pak më poshtë:

Në kohën kur u linda unë

Gratë nuk lindnin

Ato pillnin

Për të ardhur tek finalja e ashpër dhe e trishtë:

Në kohën kur u linda unë

Dashurinë nuk e mësonim

Ajo ishte turp dhe kurvëri

Ajo ishte krim!

Urrejtja dhe vrasja në lule të ballit

Burrëri dhe nder!

Por gjithçka nuk mbaron te Purgatori. Hijedritat e Dashurisë vijnë e bëhen edhe më të errëta, edhe më rrëqethëse. Poeti Lis Bukuroca na zbret edhe një qiell më poshtë (më saktë me thënë: një bodrum më poshtë) në Ferrin e Dashurisë.

Për ta ilustruar po sjell poezinë “Thirrje telefonike”

Është kaq e ashpër, kaq brutale dhe kaq e dhimbshme sa nuk mund ta citoj dot të ndarë, veçse duke e sjellë të plotë:

Thirrja telefonike.

“Po më rreh burri,

ejani, ju lutem!”

“Po si moj zonjë,

moj shpirtligë

thërret policinë për burrin?

Si nuk ke turp moj?

Ai është burri yt,

Pronari yt

Zoti yt

Moj grua e pafytyrë!”

– bërtiti i çartur.

“Edhe ne i rrahim gratë tona,

kë të thërrasë shoqja ime?”

Dhe polici shqiptar përplasi receptorin

Dhe përpara se të nxitojmë të dalim të shokuar nga ky Ferr, ja edhe një strofë tjetër që të shtang deri në frymëmbetje:

Dhe

Nesër

Mund t’i themi:

“Merre, ja ku e ke!

E ruajtëm për ty

Stërvitur me nënshtrim

Plot trysni e mbikqyrje,

KËNAQU

burrë i dheut!

(“Honoris Causa”)

*****

Nëse Migjeni ka një poezi me parantezë nën titull: (motiv Niçean) Lis Bukuroca ka një të tillë me “motiv Migjenian”.

Poeti i gjallë i drejtohet Poetit të vdekur:

Kafshatë që s’kapërdihet nuk është më varfëria

Nuk ngordh më kafshë, nuk vdes njeri nga uria

E megjithatë është i njëjti mjerim, ndonëse i niveleve të ndryshëm. Poeti i gjallë Lis Bukuroca i raporton Poetit të vdekur Migjenit për realitetin e ri dhe për dukuritë e reja që përjeton shoqëria shqiptare.

Dhe po kështu bën Poeti tek poezia “ Marshi i tarafit”, të shkruar në ritmin e “Marshit të Barabajt” të Fan Nolit.

Allalla, o arrivist, o mashtrues allalla

…..

Hajdut, ti na vodhe, na zhvate këtë atdhe

Ti na molise, na degdise, mohon me be

Me sa duket, poeti Lis Bukuroca gjen tek krijimtaria e Nolit, “regjistrin” e shprehjes së indinjatës së tij kundrejt realitetit të shoqërisë dhe politikës shqiptare, posaçërisht asaj kosovare. Dhe këtë e bën edhe tek poema “Noli për Kosovën” në të cilën ai luan mbi partiturën e poezisë “Anës lumenjve”.

Të çliruar dhe mashtruar

Grabitur dhe dërmuar

Me biletë dhe shumë shpresë

Askush atje nuk do të mbesë

Kështu e hap siparin e realitetit të trishtë kosovar Poeti në këtë poem. Për të shpërthyer më pas plot indinjatë:

Po bërtas i trishtuar

Nga mëmëdheu i dëbuar

Herë mërzitur, herë tronditur

Herë i shtrirë, herë i ngritur

Dhe si të ishte një magjistar ringjallës dhe transformues i poezisë klasike shqipe, poeti Lis Bukuroca nuk lë pa “rivitalizuar” edhe “Bagëtinë e Bujqësinë” e Naim Frashërit në poezinë e vet me titull “Bagëti e mafi”.

Oh sa vrer ka tufa! Pikëllim nga politika e mafia

Na damkosën në botë, i mallkoftë Perëndia!

Nëpër ministri, në dogana punësuar plot derra

Matrapazit me përkulje, menjëherë i hapet dera

Veçori shquese e këtij cikli janë edhe ironia e satira me të cilat poeti stigmatizon dhe fshikullon ashpër figurat politike tashmë të diskredituara jo vetëm vendase, por edhe përtej arealit shqiptar si tek poemi “Kush e vizatoi flamurin”, ironi dhe satirë të cilat arrijnë deri në sarkazmë tek poemi “Sikur Erdogani”.

Mu si paraardhësit e tij para disa shekujve,

Që na gjetën

Me kulla e shtëpi ndërtuara prej guri

Dhe na lanë me shtëpi qerpiçësh

Që na gjetën me banjë në shtëpi

Dhe na lanë me qenef në oborr

Me bukuri befasuese dhe përcjellëse e një mesazhi të fortë është poezia “Koncerti shqiptar” në fokusin e së cilës janë politikanët shqiptarë të cilët e shohin atdheun si një “domen” të tyrin të cilin mund ta ndryshojnë dhe transformojnë sipas shijeve dhe interesave të veta, deri në shfytyrim.

Unë njoh një shqiptar, atë e njeh edhe Ti…

Unë njoh një shqiptar që don ta ndryshojë alfabetin

….

Gjuhën…

Flamurin…

Himnin…

Historinë…

Kombin

Dhe ta ndërtojë një komb për vete

Sipas dëshirës:

Komb privat

Histori private

Hero privat

Gjuhë private

Alfabet privat.

Dhe pasi ia rreshton të gjitha monstruozitetet këtij farë shqiptari, Poeti në fund ia vë edhe notën:

Bota rreth tij po ndryshon

E ai mbeti plug.

Dhe nëse do më pyesni: cila poezi është më “Lis Bukurocë” në këtë korpus, do të thosha pa mëdyshje: “Zot edhe një libër”.

Shkruaje edhe një libër të lutem se na hangër

dreqi

….

Shkruaje o burrë i qiellit

Se do ta hajë dreqi burrin e dheut që e bëre nga

balta

e po bëhet llum

….

Sepse balta po han baltën këtu o Zot

Në emrin tënd

E ti hesht tash e mijëra vite

Mbyll librin me poezi “Hijedritat e Jetës” i mbushur plot përshtypje dhe me kënaqësi poetike.

Thashë disa gjëra.

I sigurt se nuk i thashë të tëra.

Libri është kompozuar në tre korpuse të cilët krijojnë edhe hijedritat e këtij vëllimi:

Erotika, nëse këtë bllok do ta krahasoja me një partiturë muzikore, do të thosha se në të gjenden të gjithë regjistrat: që nga flladet e këndshme të dashurisë e deri tek plagët e saj. Që nga kristalet e brishtë të cilët mund të shkrihen edhe nga një hukamë dhe deri tek brutaliteti dhe vulgariteti. E thënë pak më ndryshe, në këtë korpus Poeti Lis Bukuroca na jep Universin e Dashurisë. Si një Dante ai na shoqëron dhe na udhëheq në tre realitetet në të cilët jeton Dashuria: në Parajsë, në Purgator dhe në Ferr.

Poeti është i kujdesshëm në shfaqjen e ndjenjave deri në finesë. Por  vjen një çast vlimi kur ai bashkë me heroin lirik, shpërthen. Atëherë vargu, figuracioni dhe verbi poetik bëhen të vrullshëm e të egër deri në kufi të brutalitetit. Dhe kjo është e përligjshme. Sepse e tillë është edhe dashuria në vetvete.

Thanas Jorgji

Mynih, 27.3.2019

Te fundit


Kthehu lart