Hetimi për urat mbi Ibër, Isufaj: S’lejoj keqpërdorim të fondit publik në emër të patriotizmit - Gazeta Express
string(91) "hetimi-per-urat-mbi-iber-isufaj-slejoj-keqperdorim-te-fondit-publik-ne-emer-te-patriotizmit"

Lajme

Gazeta Express

28/07/2025 0:04

Hetimi për urat mbi Ibër, Isufaj: S’lejoj keqpërdorim të fondit publik në emër të patriotizmit

Lajme

Gazeta Express

28/07/2025 0:04

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, ka reaguar ndaj akuzave publike se ka ndikuar në ndaljen e projektit për ndërtimin e dy urave mbi lumin Ibër në pjesën veriore të Mitrovicës, duke i cilësuar këto si shpifje dhe përpjekje për ta denigruar institucionin që ai drejton.

Në emisionin “KallxoPërnime”, Isufaj u pyet për hetimet rreth kontratës njëburimore që u përdor për ndërtimin e urave, si dhe për përfshirjen e Prokurorisë në këtë proces.

Kryeprokurori tha se nuk ka asnjë kërkesë të bërë nga ai apo nga ndonjë prokuror tjetër për ndaljen e projektit apo të buxhetit për ndërtimin e urave.

“U përfol shumë kjo temë, si zakonisht, sulme të papërgjegjshme nga njerëz të caktuar të Facebook-ut e ku ta di unë. E kemi thënë edhe në komunikatë që e kemi lëshuar për media dhe po përsëris: Prokuroria Speciale, asnjëherë, në asnjë mënyrë – e as unë si kryeprokuror – nuk kemi kërku ndaljen e atij projekti, përkundrazi kërkojmë që puna për ndërtimin e urave le të vazhdojë. Kurrë s’kemi kërku me u ndalë buxheti për urën,” tha Isufaj.

Ai theksoi se gjithçka që është ndërmarrë ka qenë në përputhje me detyrimet ligjore të institucionit që ai drejton.

“Ju e dini që në momentin kur te ne vjen një informacion me pretendim dyshimi korruptiv, ne e kemi obligim me e trajtu. Sikurse të gjitha të tjerat. Edhe në rastin konkret, ne nuk kemi hetime të filluara zyrtarisht ndaj personit të caktuar për vepër të caktuar sepse jemi në fazën e grumbullimit të informatave.”

Për akuzat që janë përhapur në media dhe rrjete sociale, Isufaj u shpreh:

“Ajo që e thonë shumë eksponentë të ndryshëm se Blerim Isufaj lëshoi urdhër për t’u ndal puna, për t’u ndal buxheti – ju garantoj që është e pavërtetë e madhe dhe ju bëj thirrje nëse ka urdhër të tillë ta publikojnë. Nuk ka urdhër të tillë, ka qëllime të caktuara. Qëllimi është me e denigru Prokurorinë Speciale, mua si kryeprokuror dhe me tërheq vëmendjen nga puna jonë e përditshme nga një kategori e caktuar e njerëzve.”

Ai shtoi se nuk do të lejojë që paraja publike të keqpërdoret në emër të patriotizmit.

“Unë të garantoj ty dhe qytetarët e Kosovës se nuk kanë me mujt me realizu as të parën as të dytën. Unë jam Blerim Isufaj, jam i Junikut. Në asnjë mënyrë, në asnjë situatë nuk kam me leju me u keqpërdorë fondi publik në emër të patriotizmit. Për mua, patriotizëm është me punu ndershëm, me zhvillu, me ndërtu, me avancu pa e keqpërdorë paranë publike. Se kur ka qenë koha për patriotizëm, e që kurrë nuk e kam thënë, unë kam qenë aty ku është vendi – e këta që flasin, nuk e di ku kanë qenë. Ura le të ndërtohen, se e mirëpresim me padurim – informacionin do ta trajtojmë ndershëm, me korrektësi, në bazë të standardeve të procedurës penale.”

I pyetur nëse kontrata njëburimore përbën problem në këtë rast, Isufaj tha se nuk dëshiron të paragjykojë.

“Nuk dua të hy me shpjegu çështje profesionale çka është korrupsioni, pse është problem kjo, pse është problem ajo. Ligji i përcakton qartë situatat kur mund të përdoret kontrata njëburimore dhe kur nuk mund të përdoret. Unë nuk po paragjykoj, aktualisht nuk kemi diçka të prekshme për çështje korruptive – nëse gjejmë, natyrisht se do të veprojmë.”

Në lidhje me krijimin e lajmeve dhe spekulimeve që pasuan pas vetëm një indikacioni për hetim, Isufaj tha:

“Pyetni ata që kanë ba lajme, ne nuk kemi bo. Unë nuk e di kush po tutet. Nëse ka dikush arsye me u tut, le të tutet, nëse s’ka, atëherë s’ka arsye me u tut.”

Përmes një komunikate, Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se hetimi lidhur me kontratat për ndërtimin e këtyre urave nuk ka të bëjë me ndonjë kundërshtim ndaj projektit në fjalë, por me përmbushjen e obligimeve ligjore.

“Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se nuk e ka në kompentencë të vlerësojë apo të aprovojë ndonjë projekt infrastrukturor, por theksojmë se roli i PS-së është të veprojë bazuar në ligjet në fuqi, në rastet kur ekzistojnë dyshime për keqpërdorim të fondeve publike. PS-ja, nëpërmjet pesë prokurorëve të angazhuar, i ka aktualisht në trajtim afër 2 mijë kontrata një burimore”- thuhej ne komunikatën e lëshuar me 10.07.2025.

Bazuar në këtë, thuhet më tej në komunikatë, Prokuroria Speciale ka autorizuar Policinë e Kosovës të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të konstatimit të drejtë të gjendjes faktike për të gjitha dyshimet lidhur me rastin, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale.

“Hetimi për kontratën për ndërtimin e urave në Mitrovicë, nuk ka të bëjë me ndonjë kundërshtim ndaj projektit në fjalë, por me përmbushjen e obligimeve ligjore, në mbrojtje të interesit publik dhe sundimit të ligjit, në mënyrë që të garantohet një administrim i drejtë dhe ligjor i resurseve publike”- thuhet më tej në njoftim.

Më 01.07.2025  është vënë guri i themelit të dy urave që do të ngrihen mbi lumin Ibër dhe lidhin qytetin e Mitrovicës.

Ndërtimi i këtyre urave u bë i mundur pas një memorandumi të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës me Komunën e Mitrovicës së Veriut dhe Komunën e Mitrovicës së Jugut./Kallxo.com