Heshtja e presidentit dhe ambasadave – a po gatuhet një qeveri e re pa zgjedhje?


Arlena Krivenjeva
23 Korrik 2019 13:08

Partitë politike kanë folur: të gjitha po kërkojnë zgjedhje. Presidenti Hashim Thaçi po hesht. Në fakt ai ka bërë vetëm një koment pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt, ka thënë se do të veprojë në bazë të “kompetencave kushtetuese”. Tashmë kur të gjithë pothuajse janë bindur se vendi do të mbajë zgjedhje, ambasada gjermane ka turbulluar situatën. Dje ambasadori Christian Heldt ka thënë se vendi duhet ta bëjë shpejt një qeveri funksionale, pa i përmendur zgjedhjet.

 GAZETA EXPRESS

Dorëheqja e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit erdhi në kohën kur ky i fundit po përballej që disa muaj me presion ndërkombëtar për heqje të taksës. Por, kjo nuk ishte arsyeja që ai po shkonte nga detyra e kryeministrit.

Ftesa për t’u intervistuar në Hagë nga Gjykata Speciale ka bërë që Haradinaj të dalë një një konferencë për media t’i befasojë të gjithë duke e kumtuar largimin.

Pas veprimit të Haradinajt të gjitha partitë parlamentare kërkuan zgjedhje të shpejta. Të njëjtën e bëri edhe kryeministri Haradinaj duke ia kërkuar edhe me letër këtë presidentit Thaçi.

Ajo që çuditi ishte reagimi i së shtunës i ambasadorit amerikan Philip Kosnett, i cili nëpërmjet një “tweet”-i tha se tani është koha për dialog me Serbinë pa bërë ndonjë koment rreth dramës së ditës së premte kur Haradinaj shpalli se po largohet.

Dje, ndërkaq ambasadori gjerman, Christian Held, shtoi se Kosova është me rëndësi që të ketë një qeveri funksionale.

Ky reagim i ambasadorëve në vend po interpretohet si mundësi, që këta të fundit të ndikojnë në përzgjedhje të liderit të ardhshëm të Qeverisë, pa shkuar në zgjedhje.

Në një bisedë për Gazetën Express, analisti Imer Mushkolaj po thotë se më e rëndësishme se mbajtja e zgjedhjeve për ndërkombëtarët, është e ardhmja e dialogut.

“Deri tash e kemi pa një reagim të ambasadorit amerikan që e përmend rëndësinë e dialogut, thotë se dialogu duhet të vazhdojë. Mungesa e reagimeve tjera, të paktën mu më jep me kuptu se më e rëndësishme sesa mbajtja e zgjedhjeve edhe zvarritja e dialogut për bashkësinë ndërkombëtare respektivisht për SHBA po edhe për shtetet tjera të BE-së është vazhdimi i dialogut”, thotë Mushkolaj.

Ai shton se duke pasur parasysh se bisedimet ka kohë që janë pezulluar shkaku i vendimit për taksën, ka gjasa se do të gjendet një mandatar i ri në mënyrë që të vazhdohet menjëherë me dialog.

“Nëse zgjedhjet mbahen sipas paralajmërimit, diku ka gjysma e shtatorit, duke pasë parasysh edhe përvojat nga e kaluara, koalicioni qeveritar merr kohë derisa të krijohet. Nuk mundemi me pritë vazhdim të dialogut me Serbinë para fillimit të vitit të ardhshëm. Në pranverë të vitit të ardhshëm mbahen zgjedhjet në Serbi, që nënkupton se dialogu shtyhet edhe më tej, kam përshtypje se do të ketë presion që të gjendet dikush një mandar i ri që mund të çojë deri në fund mandatin që dialogu të vazhdojë, kjo do të jetë e vështirë bazuar në deklarimet e partive që po kërkojnë zgjedhje”, shton ai.

Mushkolaj vlerëson se do të jetë problem që të gjendet ndonjë person nga partitë politike që të vendoset në postin e kryeministrit, e thotë se mund të gjendet një person që formalisht dhe politikisht mund ta ketë mbështetjen e tyre.

Por, se çka do të ndodhë në vazhdim me fatin e Qeverisë, në dorë e ka presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Gazeta Express ka dërguar pyetje në Presidencë sa i përket asaj se a do të diskutohet paraprakisht me partitë për një qeveri teknike apo do të caktohet menjëherë data e zgjedhjeve. Kjo e fundit nuk është përgjigjur në këto pyetje, megjithatë Televizioni publik duke u thirrur në burime brenda këtij institucioni, ka shkruar sot se zgjedhjet është vendosur të mbahen më 8 shtator.

Partitë politike, kundër qeverisë teknike

Kryeministri në largim dje dorëzoi edhe zyrtarisht dorëheqjen e tij te i pari i Kosovës. Sipas kompetencave që saktësohen edhe në Kushtetutë, mbetet në dorë të presidentit për të parë se a ka shanse që të gjendet dakordim për qeveri teknike, apo të caktohet një datë për zgjedhje.

Opsioni i një qeverie teknike, që do të funksionojë deri në fund të këtij mandati nuk po përkrahet nga partitë politike në vend. Pozitë e opozitë po thonë se janë të gatshme për zgjedhje të jashtëzakonshme, duke thënë se një gjë e tillë duhet të bëhet sa më parë.

Muharrem Nitaj, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë sot gjatë ditës për Gazetën Express se do t’i kryejnë punët si pjesë e koalicionit vetëm deri në zgjedhje të jashtëzakonshme, e se kundërshtojnë çdo formë të qeverisë teknike, apo ndonjë improvizim tjetër.

“Kryeministri e ka kthyer mandatin e popullit. Ne jemi koalicion i gjerë dhe AAK prej momentit të dorëheqjes së kryeministrit, është pjesë e një koalicioni të dorëhequr. Ne do t’i kryejmë punët tona vetëm deri në zgjedhje të jashtëzakonshme, që duhet të shpallen sa më parë. Nuk do të pranojmë asnjë qeveri teknike e asnjë improvizim tjetër”, thotë Nitaj.

“Vendi duhet të shkojë në zgjedhje dhe çdo përpjekje tjetër është synim që me e futë këtë vend në krizë politike”, tha deputeti i AAK-së.

Njësoj si AAK-ja sa i përket zgjedhjeve po qëndron edhe Nisma Social Demokrate. Shefi i grupit parlamentar të Nismës, Bilall Sherifi, po thotë se vendi nuk ka nevojë për qeveri teknike.

“Vendi ka sfida politike dhe jo sfida teknike, prandaj ka nevojë për një qeveri politike që merr legjitimitet nga qytetarët dhe jo një qeveri teknike”, tha Sherifi për Gazetën Express.

Partia Demokratike e Kosovës, ndërkaq sot i tha Express-it se tashmë qëndrimi i saj është bërë publik.

“Deklarata e kryetarit Kadri Veseli është shumë e qartë dhe shpreh qëndrimin e PDK-së për këtë çështje”, bën të ditur sot gjatë ditës PDK-ja. Veseli pas kthimit nga Amerika, tha se zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme, e se partia e tij është e gatshme për këtë proces.

Më të zëshme drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme po mbesin partitë që kanë paralajmëruar tash e sa kohë mocion për rrëzim të tash Qeverisë në largim.

Në një përgjigje për Gazetën Express, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, tha se tashmë dihet qëndrimi zyrtar i LDK-së.

“Sa i takon mundësisë së krijim të një qeverie teknike është qëndrim zyrtar i LDK-së i bërë nga kryetari i partisë që nuk diskutohet dhe ne e mbështesim. LDK-ja kërkon zgjedhje kjo Qeveri ka kohë që nuk i ka numrat, kryeministri ka dhënë dorëheqje dhe tani vendos sovrani. Nëse i kanë numrat të krijojnë qeveri teknike atëherë ju lumtë, jeta parlamentare ka muaj që është bllokuar definitivisht këtu nuk ka rrugë tjetër dhe duhet të shkohet në zgjedhje”, ka thënë Rugova, derisa ka shtuar se edhe për koalicione do të vendoset pas Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje, që po shihet si opsion për të bërë koalicion me LDK-në në zgjedhje të jashtëzakonshme, thotë se ky proces duhet të fillojë sa më parë.

“Ne kemi kërkuar zgjedhje shumë kohë para se kryeministri të largohej. Zgjedhjet duhet mbajtur menjëherë. Çdo vonesë shpjegohet vetëm nga frika e PDK-së prej zgjedhjeve, mirëpo nuk mund të mbetet vendi peng i PDK-së. Çdo vonesë është e papranueshme”, tha për Gazetën Express, Arlind Manxhuka nga sekretariati për media i VV-së.

Nga partia e udhëhequr nga Shpend Ahmeti, thonë në anën tjetër se nuk ka arsye se pse të shkohet me qeveri teknike.

“Nuk ka arsye për qeveri teknike. Në aspektin demokratik të legjitimitetit, zgjedhjet janë të domosdoshme, edhe për legjitimitet edhe për ndryshim”, tha për Express, Natyra Kuçi, zëdhënëse për media në PSD.

Mirëpo, pavarësisht këtyre deklarimeve, analisti Imer Mushkolaj thotë se partitë politike nuk janë të gatshme për zgjedhje.

“Pavarësisht deklarimeve partitë nuk është se janë të gatshme për zgjedhje, ne si qytetarë e dimë në përgjithësi se nuk janë të gatshme e një zgjidhje teknike do të mund t’u vinte për shtati shumicës së partive politike në Kosovë. Përpjekjet në fillim do të jenë që të krijohet kjo qeveri teknike dhe nëse kjo dështon atë herë nuk mbetet zgjidhje tjetër pos zgjedhjeve të reja”, thotë Mushkolaj, derisa shton se kushdo që mund të vijë në pushtet do të ketë një sfidë të madhe karshi vendimit për taksën.

“Është çështje e ndjeshme edhe varet shumë se me çfarë kushte ose çmimi do të hiqet kjo taksë, është kriju në diçka shumë popullore edhe do të jetë e vështirë prej dikush ta heq, ose ta mbajë duke pasë parasysh presionin, është njëra ndër çështjet më të nxehta që do ta ketë në tavolinë cilido qoftë kryeministër që do të mundë të vijë”, tha ai.

Kushtetuta e Kosovës saktëson se nëse kryeministri jep dorëheqjen, Qeveria bie dhe presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për ta formuar qeverinë.

Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i të parit të Qeverisë, të premten pas mbledhjes së Qeverisë, pasi që bëri të ditur se ka marrë ftesë për intervistim në cilësinë e të dyshuarit nga Gjykata Speciale./GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart