Haziri i bën thirrje opozitës që t'i japë votat pasnesër në Kuvend për impiantin e ujërave të zeza në Gjilan - Gazeta Express
string(107) "haziri-i-ben-thirrje-opozites-qe-ti-jape-votat-pasneser-ne-kuvend-per-impiantin-e-ujerave-te-zeza-ne-gjilan"

Haziri i bën thirrje opozitës që t’i japë votat pasnesër në Kuvend për impiantin e ujërave të zeza në Gjilan

Arbër Jashari

07/07/2020 16:28

Të enjten pritet votimi në Kuvendin e Kosovës për ratifikimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat nuk kanë arritur të kalojnë në seancën e 23 qershorit, pasi vetëm 58 deputetë morrën pjesë në votim. Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri u ka bërë thirrje opozitës të votojë pro marrëveshjeve, sidomos për atë me BERZH, ku komuna që drejton është përfituese. Nga Lëvizja Vetëvendosje nuk janë përgjigjur në pyeten se a do t’i votojnë këto marrëveshje. Kurse Shefi i GP të PDK’së, Bedri Hamza i tha Gazetës Express se ende nuk kanë një qëndrim zyrtar lidhur me këtë çështje.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Pasnesër, Kuvendi i Kosovës do të mbledhet sërish për të vazhduar punimet e papërfunduara nga seancat e datës 11 dhe 23 qershor.

Në rend dite do të jetë votimi për pesë projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat nuk janë votuar në seancat e kaluara.  

Një nga to është edhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe BERZH’it për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan.

Lutfi Haziri, kryetar i Gjilanit në një përgjigje me shkrim për Express e ka lutur opozitën që të enjten të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare, e që njëra nga to është e rëndësisë së veçantë për komunën që drejton.

“Pres dhe i lutrem opozitës që ta votojë ratifikimin e marrëveshjes me BERZH për impiantin e ujërave të zeza në Gjilan. Kushtëzimet politike nuk duhet të bëhen shuplaka politike për qytetarët. Ne kemi punuar më shumë se 4 vite për këto projekte”, ka thënë Haziri.

Haziri ka përmendur edhe marrëveshjen tjetër me Bankën Botërore për komunën e Gjilanit që do të vijë së shpejti.

“Shumë shpejt vjen edhe ratifikimi me Bankën Botërore për ujërat në komunën e Gjilanit. Në këto projekte kanë marrë pjesë tre qeveri. Është filluar me kryeministrin Haradinaj, nënshkrues në takimin e Sarajevës ka qenë ish-ministri Hamza dhe ka pas negociata edhe ministri Bislimi, Abdixhiku e Hajdari në fund para delegimit në Kuvend”, është shprehur Haziri.

Ai tutje ka shtuar se është koha që të dëshmohet se se po punohet për interes të qytetarëve.

“Koha me dëshmu që punojmë për qytetarët e jo për inati partiak e në dëmin e tyre”, tha Haziri.

Gazeta Express ka dërguar pyetje në zyrën për media të VV’së, lidhur me atë se a do të votojnë pro marrëveshjeve ndërkombëtare deputetët e kësaj partie të enjtën, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndërkaq, Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Bedri Hamza i tha Gazetës Express se nesër do të dalin me qëndrim zyrtar lidhur me votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Nesër kemi mbledhjen e Grupit Parlamentar dhe pas kësaj mbledhje do të bëjmë publik qëndrimin tonë lidhur me këtë çështje”, tha Hamza në një bisedë për Express të martën.

Kryeministri Avdullah Hoti gjatë seancës së 23 qershorit u kishte bërë thirrje partive opozitare që të mbështesin ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare pasi sipas tij marrëveshjet mundësojnë realizimin në praktikë të Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike. /GazetaExpress/