Hashimi dhe Vjosa - Gazeta Express
string(17) "hashimi-dhe-vjosa"

Hashimi dhe Vjosa

Gazeta Express

10/06/2020 10:19

Për ç’arsye «kapen për flokësh» Vjosa Osmani dhe Hashim Thaçi? Dy akterët e zënkës janë përfaqësuesit e parë të Republikës. Përfaqësues të këqij dhe pa kulturë. Ngatërrohen në garë se kush do ta shpëtojë vendin apo veten?

Xhemal AHMETI

Lexo Edhe:

I pakulturë duket ky titull. Pse nuk u drejtohemi këtyre dy figurave në emër të institucioneve që bartin për të manifestuar respektin tonë ndaj tyre? Ose duke hiperbolizuar rëndësinë e tyre me ndonjë titull si «Oktaviani sulmon Kleopatrën për shkak të Mark Antonit».

Kleopatra besonte se do ta shpëtojë traditën faraonike të sundimit të Lindjes duke shpërdorur Mark Antonin e sëmurë pas saj dhe historia do të rifillonte edhe njëherë me të. Epilogu i mëtutjeshëm i sagës është edh si cartoon për fëmijë. Nuk mund t’i quajmë këta dy ashtu ngase sjellja e tyre hungërinë nga banaliteti. Do të përbuznim madhështinë e dy perandorive historike poqëse i shpërdorim si karahasim me këta dy.

Le të mbrojmë veten me Epistulae morales 94, 43 të Seneca-s, e cila thotë: «Ab alio exspectes, alteri quod feceris»! Primatët që trajtojmë këtu nuk mund të presin nga opinioni që ky të sillet me zhargon ndryshe nga ai me të cilin këta dy mërzejnë saherë buzëngjitur altoparlantëve të shumtë që kanë në disponim i ulërijnë njëri tjetrit.

Hashim Thaçi gjendet në luftë ad hominem me Vjosa Osmanin. Ndërkaq juristja që karrierën nisi si përkthyese dhe këshilltare pas kryes së ish-presidentit Fatmir Sejdiu i ka shpallur luftë gjithkujt që ia zë udhën mëngjitjes drejt majës së pushtetit. I pari është president i vendit me uratën e partisë të së dytës. E dyta është kryetare e Kuvendit me bekimin e partisë mëshirëmadhe PVV, e cila e trajton si bijën e shtëpisë.

Polemikës ndërmjet këtyre i mungojnë vetëm edhe nofkat e llojit si «hajni, krimineli» dhe «mushka e Trojës, lopa e PVV» që unë t’ia mbyll qenes sime Flaire veshët me cyanacrylat gjersa ndjek debatet mediave shqiptare.

A duhet të operojmë edhe ne me gjuhën e tyre? Para se të fusim gjuhën pellgishteve të mentaliteteve (para)politike shqiptare, le të bërtasim si Horaci dikur vetes: «Ohe, iam satis est»! Ndal, tashmë mjafton! Edhe më thellë e teposhtë nuk lëshohet qoftë edhe ai subjekt që për ca ditë e ka ndier veten komod mësonjtoreve të sjelljes me kulturë.

E jona është t’i lexojmë skenat dhe t’i interpretojmë ato duke shpresuar përkthimin sa më plastik të tyre. Pse pikërisht këta dy kapen për flokësh, duke shpikëzuar durimin e opinionit deri sa ky ta jap pikën e fundit të gjakut?

PRESIDENTI

Hashim Thaçi është nervoz. Para do kohësh ai publikoi video të para shumë viteve për të “demaskuar” kundërshtarët e tij politik si prodhues narkotikësh. A nuk tha se gjykatat janë të pavarura? Tregoi se tre musketarë të PVV-së vodhën materiale përgjimesh për të shantazhuar qytetarët. A nuk merret prokuroria dhe policia me këto punë? Ç’tha ajo. Mbrëmë tha se familja e kryetares së Kuvendit ka punuar për Serbinë. Dakord. E kjo, zonja Osmani për kë ka punuar? Për Fatmir Sejdinë e tash për Albin Kurtin siç thonë kundërshtarët e saj? Përgjigjet nuk na interesojnë por profili aktual i presidentit: është dështim eklatant të shpalosh veten si të paaftë për ta trajtuar individin, subjektin, tjetrin me shumë se ç’të informon spermatogjeneza e tij. Kjo qasje e rrëzon presidentin në nivelin e një individi të përshtatshëm për kohën kur njerëzit ende thirreshin si Bedrija i Mahmutit, Gjyla e Hasipicës, por jo për sot.

Një tabor i analistëve thotë se nervoza i ka shpërthyer për shkak mosrealizimit të planit të tij për ta ndarë Kosovën. Tabori tjetër thotë se i paska plasur filmi, ngase e akuzojnë për diçka që nuk e ka bërë – marrëveshjen për ndarjen e vendit.

Çka ne dimë sot me siguri është se një marrëveshje e tillë nuk ekziston fare. Ideja tashmë edhe zyrtarisht është kundërshtuar nga BE, SHBA-të dhe gjithë tjerët. Hashim Thaçi vetë nuk e ka materializuar idenë publikisht e konkretisht, këshilltarët dhe miqtë e tij mirëpo po.

Nëse nuk ka qenë pro ndarjes, atëherë pse kaq nervoz? Ka frikë se do të mbarojë shërbimin e tij «si njeri që në fund dështoi ta ndajë Kosovën copa copa në favor të Serbisë». Frikë kjo e arsyeshme për një njeri që historia e fatëzoi të jetë akter në momentet kyçe të historisë së vendit të tij. Frikë, mirëpo, kurth që e bëri dora vetë kundër vetes.

KRYETARJA E KUVENDIT

Kampanja për qenien e prindit të Vjosa Osmanit si «milic serb» ka nisur moti. Përkrahësit e saj e mbrojnë duke thënë se gjithë «kemi qenë milicë,mësues, prokuror». Ata që nuk e durojnë thonë «molla nuk bie ndër drurin e bananes». Të dyja palët i përkojnë një mentaliteti bio – racist, atij që e karakterizuam kur folëm për nivelin e degraduar aktual të Hashim Thaçit.

Vetë zonja Osmani u përgjigj me fjalor të ashpër dhe koncedent me atë të sulmuesit të saj. Ushqejnë njeri tjetrin për protagonizëm. Për presidentin spekuluam se ç’mund t’i dhemb që sillet me pakulturë dhe trillime. Ç’problemi ka Vjosa Osmani? Ditëve të fundit sa më shumë merr konture tendenca e saj për t’u fiksuar në psikën e opinionit si «shpëtuesja, nëna e kufijve». Joserioze del kjo punë, ngase tema u mbyll qysh në qeverisjen e AAK-së dhe atë falë edhe reagimit të ashpër të shoqërisë civile dhe mediave të veçanta që vunë në aksion ambasadat dhe qeveritë e partnerëve të Kosovës. Që atëherë u vendos: Shtetet me të forta evropiane janë kundër. Sot edhe BE dhe SHBA nuk e diskutojnë më as si ide. Nuk ke më ç’mjel nga kjo temë. As metoda më e përkryer populiste s’ta ndihmon polarizimin. Nga ana tjetër LDK diskuton largimin e saj, ngase nuk pranon vendimet e shumicës së organeve të saja. Operon hapur në favor të një partie tjetër – dhe atë që se në syprinë u shfaq kontesti i demarkacionit me Malin e Zi. Analistë jo të parëndësishëm thonë: «Nëse Thaçit nervoza i vjen se nuk i realizoi planet e tij – për të mbetur si kolos i pagabueshëm në histori apo për të ndarë Kosovën – kjo vuan nga nervoza se nuk realizoi planin e saj për ta marrë kalanë nga brenda, LDK-në dhe të heq nga skena gjeneratat e mëparshme».

SINTEZA

Që të dy e kanë një element të përbashkët. Të dy u bëjnë dëm partive me mandatin e të cilave janë në politikë. Acarrojnë shoqërinë dhe kampet politike për interesa total personale. Thaçi si label i PDK-së me sjelljet e tij të fundit i bën dëm gati poaq se ajo zonja radikale e Uranit që dikur mbronte imamët që dërgonin njerëz në Siri, ndërsa lufta e Vjosës kundër partisë së saj tashmë dihet botërisht.

Kacafytja e këtyre dy është thjeshtë personale, luftë për mbijetim dhe protagonizëm. Vjosa nuk di se si do të mbarojë nesër pa LDK-në. Në LVV e di se kurrë nuk do dal e para. Presidenti ka hallin se po që doli kjo qeveri e suksesshme e largojnë nga loja dhe nuk do ta mbarojë veprën e tij atdhetare – me nënshkrimin e një marrëveshjeje ku Serbia njeh Republikën e Kosovës.

Nuk u drejtohemi pra këtyre dy figurave me emrat institucionalë që bartin në titull, ngase sillen ordinerçe dhe i kanë nuk i meritojnë. Si dy përfaqësuesit e një vendi së paku pak kulturë ua kanë borxh qytetarëve.