Haradinaj sulmon “shqipfolësit” në 1-vjetorin e taksës: Shpirtrat e shitur duan dominimin e Serbisë


Gazeta Express
21 Nëntor 2019 14:24

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, në njëvjetorin e vendosjes së takës 100 për qind për produktet serbe e boshnjake ka thënë se vendi ka fituar shumë që nga vendosja e kësaj mase, raporton Gazeta Express.

Haradinaj ka shkruar në Facebook, se Kosova dhe territori i saj janë kauza që nuk kanë pasur çmim dhe kanë tejkaluar çdo kalkulim personal dhe politik.

“Është për të ardhur keq që sot, shpirtrat e shitur dhe argatët e Serbisë së madhe, në qarqe të ndryshme, duke folur gjuhën tonë, të shqiptarit, i japin të drejtë vetes dhe tentojnë të influencojnë opinionin, duke kalkuluar interesa të tjera, që assesi nuk janë të Kosovës dhe përveç tjerash janë në dëm të saj, duke prodhuar lajme, si formë presioni për ta hequr taksën, për ta dobësuar Kosovën dhe për ta rrezikuar integritetin e saj”, thotë Haradinaj, derisa shton se këto opinione kanë qëllim rikthimin e dominimit politik dhe ekonomik të Serbisë mbi Kosovën.

“Ky vërshim titujsh dhe komentesh se taksa nuk ka prodhuar efekt të rritjes së prodhimit dhe të zhvillimit ekonomik, është po aq i rrezikshëm sa edhe vizatimet e hartës së Ballkanit nga tavolinat antishqiptare dhe të anti-paqes në Ballkan. Kosova, sot në njëvjetorin e vënies së taksës 100 për qind ka fituar shumë! Ka fituar prodhuesi, blerësi ynë dhe ka fituar flamuri ynë”, shton ai.

Tutje, Haradinaj ka thënë se kushdo që e drejton Qeverinë e re e ka të tejkaluar presionin për taksën.

“Qeveria e re, kushdo që e drejton atë, e ka të tejkaluar presionin taksë, sepse atë për një vit e kemi bartur ne, duke i thënë jo, çdo skenari të dëmshëm për dobësim. Efekti “taksë” ka dhënë frytet e saj edhe në forcimin politik të vendit, siç ka dhënë efekt përplasja dhe kundërshtimi i vazhdueshëm i ndarjes së Kosovës. Këtë fakt, duhet ta shfrytëzojmë të gjithë, në mbrojtje të Kosovës dhe jo interesave të argatëve dhe shpirtrave të shitur!”, shtoi ai. /GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart