Haradinaj reagon pasi Zaev u tregoi komikëve rusë planin për ndarjen e Kosovës - Gazeta Express

Haradinaj reagon pasi Zaev u tregoi komikëve rusë planin për ndarjen e Kosovës

Ballina

Gazeta Express

10/07/2019 13:59

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas deklaratave të mbrëmshme të homologut të tij maqedonas se ende është në tavolinë ideja për shkëmbim me territore e se e njëjta ka prapa Rusinë e Turqinë, raporton Express.

Përmes Facebook-ut i pari i Qeverisë së Kosovës, ka shkruar se askush nuk do ta ndajë Kosovën.

Tutje, ai ka shtuar se sovraniteti, integriteti dhe paprekshmëria e Kosovës do të mbrohet me çdo çmim.

Vetëm një ditë më parë është bërë e ditur se kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, përmes një telefonate që mori nga dy komikë rusë, duke menduar se po fliste me ish-presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko, foli për planin për ndryshim të kufijve të Kosovës, duke thënë se mbrapa këtyre qëllimeve qëndrojnë interesat e Rusisë dhe të Turqisë.

Në një telefonatë që është publikuar në faqen e dy komikëve në YouTube, Zaev duke menduar se po fliste me Poroshenkon ka deklaruar se për idenë e ndryshimit të kufijve kanë rënë dakord edhe dy presidentët, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq, por kjo mund të shkaktojë një luftë të re në Ballkan dhe se kancelarja Angela Merkel është totalisht kundër idesë.

Duke dhënë tutje detaje, Zaev është deklaruar se kjo nënkupton që Kosova t’ia japë Serbisë 10 komuna.

Të martën në një konferencë për shtyp, Zoran Zaev ka pranuar se është mashtruar. /Express/