Haradinaj reagon pas ndalimit të këshilltarit të tij


Gazeta Express
25 Prill 2019 14:07

Partia Liberale Serbe ka njoftuar sot se në vendkalimin kufitar Dheu i Bardhë është ndaluar anëtari i kësaj partie, njëherësh këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, Srgjan Jovanoviq.

Sipas një komunikate nga SLS, Policia e Serbisë e ka ndaluar atë duke i thënë se kanë urdhër ta ndalojnë pasi që “dikush duhet të flas me të”. Lidhur me këtë ka reaguar kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj, i cili ka shprehur shqetësimin për ndalimin e këshilltarit të tij.

Haradinaj ka deklaruar se kjo edhe një herë dëshmon se Serbia po përdorë agresion ndaj Kosovës dhe sipas tij, ky agresion nuk i shërben normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve.

“Shpreh shqetësimin për ndalimin e këshilltarit tim Srdjan Jovanovic nga autoritetet e sigurisë dhe inteligjencës serbe. Ky ndalim, që nuk është i pari i kësaj natyre, edhe njëherë dëshmon qartë se metodat e frikësimit që përdoren nga autoritetet serbe, janë një shenjë agresioni, karshi qytetarëve të Kosovës. Ju bëjmë thirrje autoriteteve të Brukselit zyrtar që të reflektojnë dhe adresojnë, sjelljen e autoriteteve serbe ndaj qytetarëve të Kosovës. Ky agresion, nuk i ndihmon normalizimit të marrëdhënieve mes shteteve tona.”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Më herët janë ndaluar edhe Sllobodan Petroviq, Boban Stankviq, Nebojsha Javkovljeviq dhe Srecko Spasiq

Te fundit


Kthehu lart