Haradinaj kërkon edhe një mandat si kryeministër, thotë se liderët duhet të jenë të panënshtrueshëm


Gazeta Express
13 Gusht 2019 11:05

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, përmes profilit të tij zyrtar në Facebook, ka shkruar se secili lider që vjen në pushtet ka kontratë me popullin dhe shtetin.

“Si Kosovë, jemi përcaktuar që shtetin tonë ta ndërtojmë në demokraci dhe mbi bazën e vlerave euro-atlantike.
Rrjedhimisht, kontrata e secilit lider me popullin dhe shtetin, është kontratë me Kushtetutën dhe ligjet”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka thënë se këtë kontratë e zbatojnë vetëm udhëheqësit që kanë prioritet sovranitetin e Kosovës para interesit personal.

“Këtë kontratë, e zbatojnë vetëm liderë dhe udhëheqës, të qëndrueshëm, të cilët para çdo interesi personal, e kanë parësor shtetin dhe qytetarin!
Qëndrueshmëria e bazuar në të drejtën dhe konsistenca në politikëbërje, e forcon integritetin dhe sovranitetin e Kosovës dhe e bën ndryshimin”, ka shkruar Haradinaj.

Haradinaj ka shkruar se ata liderë që i vendosin interesat personale para atyre shtetërore sjellin pasoja tragjike për vendin.

“Nënshtrimi për interesa personale dhe grupore, kompromiset dhe politikat e paqëndrueshme, që bien ndesh me interesat vitale, nacionale dhe shtetërore, sjellin pasoja tragjike për vendin dhe të ardhmen tonë!
Vetëm demokracia dhe vullneti i qytetarëve, mund dhe duhet ta sfidojë secilin liderë, duke ia përcaktuar të ardhmen politike”, është shprehur Haradinaj. /GazetaExpress/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart