Haradinaj i dërgon një mesazh Kurtit për reciprocitetin me Serbinë


load
Gazeta Express
5 Nëntor 2019 14:40

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka folur pas mbledhjes së Qeverisë, për taksën 100 për qind për produktet serbe, si dhe arrestimet që janë paralajmëruar se mund të bëhen gjatë këtij muaji nga Gjykata Speciale, raporton Gazeta Express.

Haradinaj fillimisht ka folur për vizitën e Matthew Palmerit në Kosovë, si dhe emërimin e Richard Grenell nga Donald Trump.

“E falënderoj z. Palmer për ardhjen, është komunikim i vazhdueshëm, edhe më herët jam taku me të në Amerikë, është vazhdim i agjendës amerikane për shkak se ka edhe përgjegjësi nga Departamenti i shtetit, ndërkaq, siç e dini ambasadori Grenell ka përgjegjësi direkte nga presidenti amerikan Donald Trump, pra është vazhdim, është agjendë e ndërsjellët, për këtë arsye s’kam bë ndonjë postim. Është vazhdim i komunikimit, nëse i keni përcjellë të gjitha zhvillimet, është dinamikë Kosovë-Amerikë”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj tutje ka komentuar vendimin për taksën 100 për qind derisa i ka dërguar një përgjigje për këtë liderit të VV-së, Albin Kurti.

“Analiza është prezente në vazhdimësi, një vakum të produkteve serbe e zëvendëson prodhimi vendor që është zhvilluar dhe ka ndikim direkt në ekonominë e vendit. Politikisht nuk është vetëm taksa por janë qëndrimet që i kemi mbajtë në Kosovë që e kanë mbajtur vendin të pavarur nga tavolina e znj. Mogherini, vendimet për ushtrinë, për Trepçën. Sa për me hjekë reciprocitetin e pëlqej këtë ide, por le të mbetet taksa, nëse VV do të reciprocitetin nuk e kuptoj pse duhet me e hjekë taksën, edhe habitem për qëndrimin e kujtdo që i kthen mallrat serbe pa e marrë njohjen është një gabim kapital politik”, shtoi ai.

Sa u përket arrestimeve nga Gjykata Speciale, Haradinaj tha se për këtë duhet të pyeten ata që dikur kishin dhënë votën për.

“Për arrestimet nuk di duhet me i vetë ata që e kanë votu gjykatën, ata i dinë më mirë procedurat se jam jashtë informatave, ata që e kanë votu është mirë më i vetë çka mendojnë”, tha Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë. /GazetaExpress

Te fundit


Kthehu lart