Muzeu Marubi prezanton ekspozitën personale të fotografëve Safet e Gjylzade Dokle, kuruar nga Lek M. Gjeloshi, nesër më fillim nga ora 19:00. Aktiviteti fotografik i bashkëshortëve Safet e Gjylzade Dokle u zhvillua në Borje të Rrethit të Kukësit e më gjërë, duke përshkuar një hark kohor dyzet vjeçar, nga vitet ’30-të deri në fillim të viteve ’70-të. Në koleksionin e tyre fotografik dokumentohet historia politike, jeta shoqërore, ritualet e ndryshme dhe aspektet tradicionale të Shqipërisë verilindore të asaj kohe. Ky koleksion, i cili përbëhet nga rreth njëzetmijë negativë, është më i madhi i dhuruar mbas viteve ’90-të në arkivin e Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”. Ekspozita sendërton narracionin e parë mbi të, ku një vëmendje e posaçme i dedikohet përmasës etnografike dhe ezoterizmit që ajo ofron tanimë si fluks imazherik.