Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i është kundërpërgjigjur Kurtit në mënyrën e njëjtë përmes një videoadresimi publik.
Hamza ka thënë se dje pamë një tentim tjetër nga Kurti për t’ia hedhur fajin opozitës lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri.
Ajo që pamë nuk ishte reflektim, sipas Hamzës, por vetëm ndryshim i formës së manipulimit.
“Nga fyerjet e mëhershme për ne si opozitë, dje dëgjuam moralizim politik. Por moralizim pa përgjegjësi dhe pa vetëdije për dëmet që shkakton me retorikën e tij. Çdo lider politik i përgjegjshëm ndalet, reflekton dhe bashkëpunon, sidomos në momentet kur vendi ka më së shumti nevojë. Ndërsa z. Kurti, për vite me radhë, ka bërë të kundërtën: ka refuzuar bashkëpunimin, ka refuzuar kompromisin dhe ka zgjedhur përplasjen si mënyrë veprimi. Edhe tani ai po kërkon nënshtrim, jo bashkëpunim. Po e kërkon përkrahjen tonë, jo për shtetin, por për pushtetin e tij. Jo për stabilitetin e vendit, por për stabilitetin e tij politik”, ka thënë Hamza.
Prej gati dy vitesh, Hamza ka thënë se vendi po mbahet peng i bllokadave politike të Kurtit.
Jo sepse mungojnë mundësitë, por sipas tij, sepse mungon vullneti për të qeverisur me përgjegjësi.
“Si Kryetar i PDK-së, unë kam dëshmuar vullnet e gatishmëri për dialog dhe bashkëpunim. Kam qenë aty, në çdo takim, në çdo ftesë. Madje edhe në vikend, në zyrën e tij, me shpresën e vetme: që kjo çështje të trajtohet seriozisht dhe me përgjegjësi shtetërore. Por shumë shpejt u bë e qartë: nuk ishte i interesuar për konsensus. Nuk ishte i interesuar për kompromis. Kishte vetëm një qëllim: imponimin e një presidenti partiak për pushtetin e tij. Ne, si PDK, kemi ofruar zgjidhje konkrete. Kemi ofruar marrëveshje gjithëpërfshirëse. Kemi ofruar marrëveshje vetëm për Presidentin dhe diskutim për emra konsensualë në një fazë të dytë, pas dakordimit parimor. Madje kemi mbështetur edhe figura unifikuese, që i bashkojnë të gjithë qytetarët tanë. Por kjo qasje konstruktive e jona nuk u vlerësua. U shtrembërua. U keqinterpretua. U përdor për konsum politik. Dhe në fund, vendi u shty drejt një rruge të gabuar që çonte në zgjedhje të reja, me dy kandidatë partiakë të tij dhe pa asnjë përpjekje reale për zgjidhje”, ka thënë Hamza.
Edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që i dha kohë të mjaftueshme për të reflektuar dhe vepruar, Hamza tha se nuk pati asnjë hap serioz.
“Asnjë platformë. Asnjë ofertë të sinqertë. Madje, nuk ishte në gjendje ta konkretizonte as kërkesën e tij përmes një letre zyrtare për PDK-në”, tha ai.
Kjo, sipas kreu të PDK-së, është shmangie nga përgjegjësia që qytetart ia kan besuar.
“Përgjegjësi nuk është të dalësh tri ditë para afatit me ide të reja. Përgjegjësi është të punosh nga dita e parë, me sinqeritet e vendosmëri. Çdo ofertë e re tani në minutat e fundit është vetëm lojë politike për t’u arsyetuar dhe jo përgjegjësi shtetërore për të ofruar zgjidhje. Institucionet nuk mund të përdoren si skenë për beteja narrative. Nuk jemi këtu për teatër politik. Nuk jemi këtu as për sfilata politike pa rezultat. Jemi këtu për zgjidhje. Dhe kur mungon serioziteti, nuk mund të ndërtohen as bashkëpunime”, ka thënë Hamza.
Lideri i PDK-së ka thënë se qëndrimi i kësaj partie ka qenë, është dhe mbetet parimor.
“Ne nuk bëjmë pazare politike”, ka thënë Hamza.
Për PDK-në, shton lideri i PDK-së, stabiliteti institucional nuk është objekt negocimi, por interes shtetëror.
“Dhe stabiliteti nuk ndërtohet me improvizime dhe kalkulime ditore politike. Ndërtohet me besim qytetar. Me legjitimitet të ri. Prandaj, duhet të kthehemi tek qytetarët. Le të vendosin ata për drejtimin që duhet të marrë vendi. Sepse demokracia nuk është vetëm numër votash, por është edhe mënyra sesi e përdor atë besim. Nuk duhet të keqpërdoret kështu, besimi qytetar, nga kryeministri i vendit. Kosova nuk e ka luksin për zgjedhje e kriza, të cilat për ty, fatkeqësisht, janë vetëm lojëra politike”, i thotë Hamza – Kurtit.