Habia e Edi Ramës me udhëheqësin e Ku Klux Klanit të Serbisë - Gazeta Express

Gazeta Express

07/10/2020 19:01

Habia e Edi Ramës me udhëheqësin e Ku Klux Klanit të Serbisë

Gazeta Express

07/10/2020 19:01

Vulini është një monstrum politik dhe njerëzor. Ai e ka vetëm një të mirë, është transparent. Ministri i Mbrojtjes i Serbisë i thotë gjërat ashtu siç i mendon, për dallim prej presidentit Vuçiq. Vulini është më të vjetrën. I quan shqiptarët me terma pezhorativë, ashtu siç na quanin në “kohët e mira të vjetra” Shesheli, Millosheviqi, Arkani, Qosiqi, e shumë e shumë të tjerë të asaj plejade. Ne ishim zezakët e tyre. Këtë Edi Rama nuk e ka ditur.

Shkruan: Berat Buzhala

Para disa ditësh kryeministri i Shqipërisë ishte habitur kur kishte mësuar se si një ministër i Qeverisë së Serbisë, në faqën zyrtare të ministrisë së tij, po i quante shqiptarët “shiptari”, kurse për vetë Ramën i kishte rezervuar edhe disa cilësime estetike. Është fjala për ministrin e mbrojtjes të Serbisë, Aleksandar Vulinin.

Ndërsa derisa Rama po habitej me Vulinin, unë po habitesha me Ramën. Si është e mundur që kryeministri i Shqipërisë, pas shtatë vitesh në krye të shtetit shqiptar, duke i pasur afër vetes të gjitha informatat e shërbimeve sekrete të shtetit, duke i pasur para vetes të gjithë librat e mundshëm të historisë, por edhe të ditëve tona, edhe më tutje është kaq naiv në raport me Serbinë? Rama dëshironte të besonte se ajo çfarë Vulin kishte thënë për të dhe për shqiptarët ishte një meme (miim) e jo një postim serioz. Pra, kryeministri i Shqipërisë, e ndoshta edhe të gjitha shërbimet sekrete shqiptare, për vetë faktin që u habitën kaq shumë, lënë të kuptohet se për Vulinin dinë më pak se sa secili shitës në tregun e gjelbër në Kosovë.
Sikur bota të kishte qënë vetëm pak më ndryshe, sikur të mos kishte ekzistuar NATO, BE dhe SHBA, Aleksandar Vulin, i shoqëruar edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë serbe, fare lehtë do të mund të kishte qënë një udhëheqës i Ku Klux Klanit. Vulini është një monstrum politik, por edhe njerëzor. Ai e ka vetëm një të mirë, është transparent. Ministri i Mbrojtjes i Serbisë i thotë gjërat ashtu siç i mendon, për dallim prej presidentit Vuçiq. Vulini është me të vjetrën. I quan shqiptarët me terma pezhorativë, ashtu siç në “kohët e mira të vjetra” na quanin Shesheli, Millosheviqi, Arkani, Qosiqi e shumë e shumë të tjerë të asaj plejade. Ne për këta njerëz ishim zezakë. Ishim qenie inferiore, të padenja edhe për t’u ulur së bashku në autobus, për t’u shkolluar së bashku, për të jetuar së bashku. Ne, për këta njerëz, për njerëzit si Vulini, para të cilit në mënyrë të turpshme po i mbyllin sytë ambasadorët e BE’së, ishim të denjë vetëm për të çarë dru për banorët e Beogradit.

Fatkeqësisht, derisa i gjithë rajoni i Ballkanit ka bërë hapa përpara drejt tolerancës ndëretnike, të vetmit serbët kanë mbetur aty ku kanë qënë tash e 100 vjet, a tash e 200 vjet, a tash e 1000 vjet. Në politikën e Serbisë, në mediat e Serbisë, nuk ka ndryshuar asgjë. Është tepër e çuditshme qysh Edi Rama për këto shtatë vjet në krye të shtetit shqiptar nuk e ka kuptuar një gjë të tillë. Ai madje dukej që ishte i bindur se i ka mbetur edhe shumë pak punë për ta shndërruar Vuçiqin dhe nxënësit e tij në paqeberës të këtij rajoni. Po bënin plane të mëdha së bashku, qysh shqiptarët dhe serbët duhet të ndjeknin rrugën e francezëve dhe të gjermanëve. Po këndonin së bashku (ka video) në Beograd pas takimeve të frytshme. Kalinka – Malinka ishte shndërruar në himn të takimeve, të interpretuar nga ylli i muzikës popullore serbe Ivica Daçiq, edhe ky një nxënës i devotshëm i Sllobodan Millosheviqit, që gjithashtu fare lehtë do të mund të kishte qënë themelues i KKK’së.

Prandaj, është e pafalshme qysh Rama, dhe rrethi i tij, kanë shpresuar, kanë bërë plane të mëdha, që së bashku me klasën aktuale politike në Serbi do ta ndërtojnë një të ardhme të ndritshme për të gjithë popujt e këtij rajoni. Ai sot po i ndien pasojat e politikave të tij të mëhershme. I befasuar po e pyet Vuçiqin në Twitter për zhvillimet e fundit në raportet shqiptaro – serbe, duke dashur të besojë se ai nuk po e di se çfarë po bën ministri i tij.

Gjëja më e bukur e gjithë kësaj budallakie, por që flet shumë për mentalitetin serb, ishte kur Vulini deklaroi se “nuk janë të gjithë shqiptarët e pandershëm”. Ai si burrë të mirë, si shqiptar të ndershëm, e veçoi Esat Pashë Toptanin. Kjo flet më shumë se çdo gjë tjetër. U pa se ai dhe Vuçiqi kanë qënë të gatshëm që Esat Pashës t’ia bëjnë edhe një shok, Edi Ramën.

Unë nuk besoj se Edi Rama bën pjesë në një ligë me Esad Pashën, mirëpo unë besoj se Rama e ka mbivlerësuar talentin e vet për të bërë politikë të madhe.

Një akrep, që nuk dinte not, e kishte pyetur bretkosën nëse do të mund ta bartte në shpinën e saj matanë lumit. Bretkosa kishte hezituar, duke u frikësuar se në një moment gjatë rrugës atë do ta thumbonte akrepi, por ky i fundit e kishte siguruar se një gjë e tillë do të ishte naive të mendohej, sepse pastaj do të mbyteshin që të dy në fund të lumit. Bretkosa e kishte konsideruar këtë argumentim të akrepit si të pranueshëm dhe ishte pajtuar që ta kalonin lumin së bashku. Diku nga mesi i lumit akrepi vendosi që megjithatë ta thumbojë bretkosën, duke u mbytur kështu që të dy. Në botën tjetër, të dy tashmë të vdekur, bretkosa e kishte pyetur akrepin se përse e kishte bërë një gjë të tillë, duke i ditur pasojat, duke e ditur se edhe ai do të fundosej. “S’kisha çfarë të bëja. Është në natyrën time”.

Në raport me shqiptarët, kjo është, kjo ka qënë dhe për një kohë kjo do të jëtë politika serbe. Është thjesht në natyrën e tyre. Duke qenë shërbëtor i Sllobodan Millosheviqit, duke e ditur se problem kryesor për integrim në Bashkimin Evropian i ka shqiptarët e Kosovës, Vuçiqi kishte nevojë për shpinën e Edi Ramës. Sigurisht që në një moment të caktuar do ta thumbonte.