Gylenisti që i shpëtoi rrëmbimit të dhunshëm në Kosovë iku për strehim në Gjermani


Arlena Krivenjeva
26 Mars 2019 11:18

Për gati tre muaj, strehë e shtëpi për Hasan Hysen Demir ishte bërë Qendra e Azilkërkuesve në Magure të Lipjanit. Me gruan e dy fëmijët, ai ishte vendosur aty, pak ditë pasi 6 shtetasit turq u rrëmbyen e u deportuan në Turqi. Si për ironi të fatit, Demir shpëtoi pasi që gabimisht, autoritetet kosovare arrestuan Hasan Huseyin Gunakan në vend të tij. Por, me gjithë kontrollet që bëhen në këtë qendër sa i përket sigurisë, mosinteresimi i institucioneve për të zbardhur rastin, bëri që i njëjti të largohej ndoshta përgjithmonë nga Kosova, e siç mëson Gazeta Express, për t’u strehuar tash e sa muaj në shtetin gjerman

Mësuesi i lëndës së Kimisë, Hasan Huseyin Gunakan, ditën e 29 marsit të vitit të kaluar iu bashkua listës së personave që kërkoheshin nga shteti turk, e që iu dorëzuan Erdoganit me një operacion të organizuar mirë nga inteligjenca kosovare, ani pse gjatë rrëmbimit autoritetet e kuptuan se nuk kishin kapur personin të cilin po e kërkonin.

Për të njëjtën gjë shkruhet edhe në raportin e ekspertit amerikan, Tienmu Ma, që u angazhua nga komisioni për hetim të deportimit të gjashtë shtetasve turq, në vitin e kaluar.

Madje, atë ditë, edhe personat përgjegjës e kishin pranuar se e patën të pamundur të identifikonin se a bëhej fjalë për personin për të cilin kishin shkuar, megjithatë arrestimi ndodhi, e kështu Hasan Hysein Gunakan u dërgua në aeroport së bashku me të dyshuarit tjerë të Turqisë, e Hasan Demir mbeti në Kosovë.

Gunakan kishte provuar t’i bindë udhëheqësit e operacionit se nuk ishte personi të cilin po e kërkonin, megjithatë as kjo nuk kreu punë.

“Kur e kanë çuar këtë në Aeroport ai (Gunakan) shihet në sekuenca që thotë unë nuk jam ky. Ky… thotë nuk jam unë, mirëpo aty tani një pjesë nuk e rrokin filmimet edhe shihet që del një komunikim mes drejtorit të Divizionit për të Huaj dhe Migrim (Sylejmani) bisedon me dikë… Ai thotë unë nuk jam ky mirëpo shihet që përmes një komunikimi thuhet që edhe ky duhet të dëbohet”, thuhej në njërën nga deklaratat në Komisionin parlamentar që ishin dhënë nga personat që kishin kryer operacionin.

Për Hasan Hysen Gunakan, megjithëse ishte rrëmbyer e deportuar krejt gabimisht, është ngritur ndaj tij edhe aktakuzë e po gjykohet njësoj si personat që ishin në “llupë” të Erdoganit.

Megjithëse, policia nuk ia kishte qëlluar se cili ishte Hasan Demir, pas gjithë këtij skandali, i njëjti e pa si zgjidhje të vetme, për të mos pasur fatin e përfundimit në duar të Erdoganit, qendrën për kërkim të azilit në Kosovë.

Atëherë madje, Gazeta Express kishte raportuar se edhe pse i njëjti po qëndronte në qendër të azilit, ekzistonte dokumenti që shkruante se ai ishte larguar nga Kosova më 29 mars, e nuk i lejohet të hyjë në Kosovës për pesë vitet e ardhshme.

Pas gjithë skandalit, e duke parë deklaratat e liderëve vendorë që hidhnin fajin nga njëri te tjetri, pa bërë hapa drejt gjendjes së zgjidhjes, apo sigurimit të të kërkuarit të “Erdoganit” Demir u detyrua që pak ditë më vonë, saktësisht më 4 prill të vitit 2018, së bashku me gruan e dy fëmijët të kërkojë azil në Qendrën e Azilkërkuesve në Magure të Lipjanit.

Në Qendrën e Azilit, i njëjti lejohej të dilte deri në orën 22:00, çdo ditë, por atë nuk mund ta vizitonte askush pa dëshirën e tij.

Kështu për një kohë, krejt kjo iu duk normale, deri në qershor të atij viti, kur Demir dhe familja e tij u larguan nga Kosova, pas frikës se autoritetet e vendit do të lejonin një skenar të njëjtë si ai i 29 marsit, pasi që për të nuk ishte bërë asnjë hap që do t’ia dëshmonte të kundërtën.

Me 25 qershor të vitit 2018-të, i njëjti kishte deklaruar në Qendrën e Azilit se së bashku me familjarët ishte duke shkuar për vizitë te disa familjarë, por atë ditë nuk u kthye më.

“Me 25 qershor të vitit 2018 nuk është kthyer në qendër, e sipas procedurës nëse nuk kthehet në orën 22:00 atëherë personi lajmërohet që nuk është kthyer në qendrën për azil”, deklarohen nga kjo qendër për Expressin, ndërkaq, shtojnë se më vonë për këtë rast do t’i njoftonte përfaqësuesi ligjor i familjes.

Familja e tij, siç mëson Gazeta Express, kishte vendosur që të strehohet në Gjermani, pas skandalit që ndodhi në Kosovë, e të njëjtën gjë e ka konfirmuar për Expressin edhe përfaqësuesi i tyre ligjor.

Kanë mbetur, ndërkaq, edhe pak ditë që të bëhet një vit nga kur aksioni i deportimit ndodhi. Momentalisht, organet e rendit kanë filluar hetimet ndaj rastit, megjithatë siç ka konfirmuar prokurori i Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha, për këtë temë ende nuk është ngritur aktakuzë për ndonjë person.

Edhe në Kuvend të Kosovës është hartuar një raport lidhur me hetimet për këtë rast, ndërkaq ajo dosje iu bashkëngjit shkresave të lëndës.

Për dëbimin e gjashtë shtetasve turq, kanë reaguar ashpër edhe ambasadat në vend.

Operacioni në datën e 29 marsit u bë përmes një aksioni të organizuar mirë ndërmjet shërbimeve të inteligjencës kosovare dhe turke./GazetaExpress

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart