Gullit: Guardiola s’mund ta fitojë Ligën e Kampionëve pa Messin


Gazeta Express
18 Prill 2019 10:17

Legjenda holandeze, Ruud Gullit, beson se ai e ka gjetur arsyen pse Pep Guardiola ka dështuar në Ligën e Kampionëve që kur u largua nga Barcelona.

Pep Guardiola e fitoi trofeun më prestigjioz të Evropës dy herë me gjigantin spanjoll, fillimisht në sezonin 2008/09 dhe pastaj në sezonin 2010/2011, të dyja sa ishte trajner i Barcelonës, transmeton Gazeta Express.

Ai ende nuk ka arritur ta fitojë këtë titull që kur u largua nga Spanja, përkundër që ishte trajner i gjigantit të Bundesligës, Bayern Munichut, dhe pastaj e mori Manchester Cityn, që e ka skuadrën më të shtrenjtë në histori të futbollit.

48-vjeçari ka dështuar ta dërgojë Manchester Cityn në fazën çerekfinale të Ligës së Kampionëve deri më tani. Disfata e mbrëmshme kundër Tottenhamit bëri që Guardiola të eliminohej për të dytin vit radhazi nga rivalët anglezë në Ligën e Kampionëve.

Dhe legjenda holandeze Gullit beson se mungesa e superyllit Lionel Messi është arsyeja e vërtetë pse Guardiola nuk po e arrin nivelin që e kishte arritur gjatë kohës sa ishte trajner i Barcelonës.

“Kjo po ndodh sepse ai nuk e ka Messin. Kjo gjë e bën dallimin e madh. Ai tentoi ta arrinte këtë me Bayern Munichun. Ai ishte afër, por nuk e arriti këtë qëllim. Ta fitosh titullin e Bundesligës me Bayernin nuk është më arritje sepse ata e fitojnë çdo vit”, është shprehur Gullit.

“Dhe unë e di si është Pepi, kjo është ajo që ai e do. Ai e do titullin e Ligës së Kampionëve dhe unë ndihem keq për të. Natyrisht, ai ishte me Barcelonën, ku e trashëgoi një ekip të pabesueshëm nga Frank Rijkaardi”.

“Messi veçse kishte debutuar nën drejtimin e Rijkaardit. Dhe pastaj, Messi u bë edhe më i rëndësishëm dhe ishte kyç në ndeshjet në shumë ndeshje me të në Barcelonë”. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart