Guardiola: Vendimet e VAR-it ishin mizore për Man Cityn


Gazeta Express
18 Prill 2019 8:59

Trajneri katalonas, Pep Guardiola, mbeti i lumtur me paraqitjen e skuadrës së tij, mirëpo mendon se ata mbetën të dëmtuar nga vendimet e marra nga VAR-i, që rezultuan me eliminimin të Manchester Cityt nga Liga e Kampionëve.

Pep Guardiola u duk shumë i zhgënjyer me eliminimin e skuadrës së tij nga faza çerekfinale e Ligës së Kampionëve përsëri, pasi VAR-i ia anuloi golin e shënuar në minutat e fundit, që ia siguronte Manchester Cityt fitoren dhe kualifikimin në gjysmëfinale, për shkak të pozitës jashtë loje.

Manchester City e filloi këtë ndeshje pas disfatës 1:0 në ndeshjen e parë në White Hart Lane dhe duhej të fitonte me dy gola epërsi për ta siguruar kualifikimin. Në vetëm 21 minutat e parë, ata i shënuan tri gola, mirëpo edhe Tottenhami i shënoi dy të tjera.

Ndërsa, golin që i nevojitej Cityt e shënoi Sergio Aguero në pjesën e dytë të ndeshjes (4:2), por menjëherë pas tij erdhi edhe goli i radhës i Tottenhamit (4:3), rreth 15 minuta para fundit. Ky gol i Tottenhamit u kontrollua me VAR pasi që Fernando Llorente e kishte prekur topin me dorë, mirëpo gjyqtari vendosi që prekja me dorë kishte qenë aksidentale dhe nuk e kishte devijuar topin.

Manchester City ishte në kërkim të golit të fitores, mirëpo edhe kur një i tillë u shënua nga Raheem Sterling, disa momente para fundit, ai u anulua për shkak se Sergio Aguero e kishte marrë topin në pozitë jashtë lojë gjatë aksionit.

“Në 20 minutat e parë, ishim duke fituar 3;2. Pesë gola në 20 minuta nuk është normale. Ne i shënuam golat tona dhe pjesën tjetër e bëri VAR-i. Llorente shënoi me dorë. Goli i Sterlingut ishte nga një pozitë jashtë loje”, ka thënë Guardiola.

“Unë e mbështes VAR-in, mirëpo nga një kënd, goli i shënuar nga Fernando Llorente duket se goli duhej të ishte anuluar për prekje me dorë. Nga këndi i gjyqtarit ndoshta nuk dukej kështu. Ishte mizore”.

“Në atë moment ne festuam dhe ishim shumë pranë gjysmëfinales, por kështu e ka futbolli. Pjesa e parë ishte e mirë. Në të dytën krijuam shumë raste. Tottenhami është një ekip i mirë, kështu që ndeshja ishte e barabartë. Fatkeqësisht nuk jemi në fazën tjetër”.

Tani, në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, Tottenhami do të përballet me Ajaxin, që të martën e eliminoi Juventusin. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart