Guardiola: Sot mund ta kishim humbur titullin e Premierligës


Gazeta Express
20 Prill 2019 22:13

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, e theksoi rëndësinë e fitores 1:0 së skuadrës së tij në ndeshjen e zhvilluar kundër Tottenhamit, pasi që beson se çdo pikë e humbur mund të jetë fatale në garën për titullin e Premierligës.

Fitorja e Manchester Cityt i ktheu ata në kreun e tabelës së Premierligës, që do të thotë se Liverpooli do të duhet t’i fitojë tre pikët në ndeshjen kundër Cardiff Cityt të dielën nëse dëshiron ta mbyllë këtë javë në pozitën e parë, transmeton Gazeta Express.

Kampioni në fuqi i Premierligës, Manchester City, u kthye fuqishëm sot kundër Tottenhamit, nga i cili pësoi eliminim dramatik nga Liga e Kampionëve në mesjavë. Dy klubet janë përballur tri herë gjatë katër xhirove të fundit, dy herë në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, e një herë në Premierligë.

Megjithatë, mendja e Guardiolës mbetet te titulli i Premierligës dhe pas ndeshjes së sotshme, ai e lavdëroi skuadrën e tij për paraqitjen në një ndeshje që sipas tij mund t’ia kishte shkaktuar humbjen e titullit të kampionit anglez.

“Ishte ndeshje shumë e rëndësishme në garën për titullin e Premierligës. E dimë që nuk mund ta humbim pikë. Ishte ndeshje e vështirë, ata krijuan më shumë raste sesa në dy ndeshjet paraprake “, ka thënë Guardiola.

Manchester City e ka tani kreun e Premierligës, por mund ta humbë atë nëse Liverpooli fiton nesër. Megjithatë, Manchester City e ka një ndeshje më pak dhe për këtë arsye e ka garën për titullin në duar. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart