Guardiola: Edhe Liverpooli edhe ne e meritojmë titullin, por veç njëra do ta fitojë


Gazeta Express
24 Prill 2019 23:44

Pep Guardiola ka thënë se Manchester City tani mendon për ndeshjen e radhës ndaj Burnley, të cilën e vlerëson si shumë të vështirë, në përpjekje për ta siguruar titullin e kampionit në Premierligë, pas triumfit të madh ndaj Manchester Unitedit në Old Trafford.

Bernardo Silva dhe Leroy Sane shënuan dy golat e triumfit ndaj rivalit të qytetit në Old Trafford të mërkurën, që nënkupton se nëse skuadra e Pep Guardiolës i fiton tri ndeshjet e mbetura në ligë do të shpallet kampion, pavarësisht se çfarë bën Liverpooli, raporton Gazeta Express.

Duke folur në një konferencë për media pas ndeshjes, Guardiola tregoi se kishte kërkuar nga futbollistët e tij të luanin për fitore edhe nëse duhej të rrezikonin për të pranuar gol.

“E kuptoj presionin që kemi dhe Manchester United na e bëri të vështirë me Rashford dhe Lingard në sulm. U thashë lojtarëve se duhet të luanim për të fituar, nuk ka rëndësi nëse pësojmë gol”, tha Guardiola pas ndeshjes.

City do të luajë ndeshjen e radhës në fundjavë kundër Burnley, të cilën spanjolli e sheh si shumë të vështirë. 

“Tani do të shkojmë në Burnley dhe e dimë që do të jetë tepër e vështirë. Është e rëndësishme të jemi të qetë. Nuk jemi akoma kampionë me tre ndeshje të mbetura, është e pabesueshme me pikët që kemi grumbulluar, po ashtu edhe Liverpool. Të dyja skuadrat e meritojnë titullin, por vetëm njëra mund ta fitojë. Ekipi që do të humbasë nuk mund të ketë pendime pasi ka dhënë gjithçka”, shtoi ai. /Gazeta Express/  

Te fundit


Kthehu lart