Griezmann lë të kuptohet se do të transferohet te një klub jashtë La Ligës


Gazeta Express
12 Qershor 2019 7:52

Antoine Griezmann nuk është i sigurt nëse dëshiron të qëndrojë në La Liga, mes spekulimeve se kampioni i Ligue 1, Paris Saint-Germaini, i ka bërë atij ofertë edhe më të mirë sesa Barcelona.

Ylli francez e bëri të qartë se do të largohet nga Atletico Madridi pas pesë vjetëve me këtë klub dhe fituesi i Kupës së Botës është sugjeruar se do t’i bashkohet kampiones spanjolle, Barcelonës, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, PSG-ja tani besohet se është njëra ndër destinacionet e mundshme për Griezmannin, pasi që e ardhmja e dyshes Kylian Mbappe – Neymari është e pasigurt në kryeqytetin francez.

Tani Griezmanni ka bërë thirrje që të ketë më shumë durim për ta pritur vendimin e tij për të ardhmen, ndërsa sugjeroi se një transferim jashtë Spanjës mund të ndodhë këtë verë.

“Kam nevojë për durim, pasi që është ende shumë herët”, u shpreh 28-vjeçari, pas fitores me rezultat 4:0 të Francës kundër Andorrës në kualifikimet për Kampionatin Evropian 2020 të së martës.

“Unë, më shumë se gjithë të tjerët, dua që e ardhmja ime të zgjidhet, por duhet të presim. Nuk e di nëse do të mbetem në Spanjë. Ndoshta brenda dy javësh do të dimë diçka. Unë vetëm dua të luaj futboll dhe të argëtohem”.

Përkundër që në fillim ishte konsideruar pothuajse e sigurt se Griezmmani do t’i bashkohet Barcelonës, gjatë kohës së fundit ka pasur sugjerime se ai mund ta zgjedhë ndonjë skuadër tjetër.

Presidenti i Atletico Madridit, Enrique Cerezo, ka thënë se ai nuk e di se ku do të përfundojë sulmuesi francez, por ka bërë të ditur se Barcelona nuk e ka kontaktuar ende atë. /Gazeta Express/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart