Griezmann, çelësi që mund t’ia hapë Neymarit derën për në Real Madrid


Gazeta Express
16 Maj 2019 13:32

Nëse Antoine Griezmann vendos të transferohet në Paris Saint-Germain, presidenti i klubit francez, Nasser Al Khelaifi, mund ta shqyrtojë mundësinë e transferimit të Neymarit në Real Madrid, sipas AS.

Emri i Neymarit po përmendet për një transferim të mundshëm në Real Madrid edhe këtë verë. Ai mund ta ketë mundësinë që të kthehet në Spanjë, nëse ylli i Atletico Madridit, Antoine Griezmann, shkon në PSG, transmeton Gazeta Express.

Edhe pse pritet që Barcelona të jetë klubi që arrin t’i sigurojë shërbimet e Griezmannit këtë verë, tani edhe PSG-ja ka hyrë në këtë garë. Drejtori sportiv i klubit, Antero Henrique, po flet me familjen e francezit për t’i zbuluar kërkesat e tij.

Gjithashtu, PSG-ja është e gatshme t’i ofrojë Griezmannit pagë më të lartë sesa Barcelona, që ia ka ofruar 17 milionë euro për sezon dhe një marrëveshje pesëvjeçare.

Më herët këtë javë, e përditshmja franceze Le Parisien raportoi se PSG-ja i ka përgatitur 210 milionë euro për t’i transferuar Toni Kroosin, Iscon dhe Gareth Bale në kryeqytetin francez.

Kjo shumë, bashkë me 120 milionë eurot e klauzolës së Griezmannit, do të thotë që PSG-ja do të duhet t’i shpenzojë 330 milionë euro.

Neymari mbetet ende lojtar kyç në planet e Real Madridit. Presidenti Florentino Perez u akuzua se ai nuk po arrin të transferojë yje në Madrid gjatë sezoneve të fundit. Përkundër transferimit të Eden Hazardit, që pritet të kompletohet së shpejti, Real Madridi dëshiron ta përforcojë skuadrën edhe më shumë.

Klubi madrilen është edhe në kërkim të Luka Jovicit, që luan për Eintracht Frankfurtit, mirëpo Perezi vazhdon të jetë tifoz i madh i Neymarit, edhe për shkak të përfitimeve financiare që do t’ia sillte braziliani përmes reklamave. /Gazeta Express/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart